MENU
klinika

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Flutura Açka: PD nuk fiton në 2025!

29.07.2024 - 18:44

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka e cila është tërhequr nga radhët e grupit parlamentar demokrat ka rrëfyer për emisionin “Ekspres” në RTSH1 tërheqjen e saj dhe atë që po ndodh në skenën politike shqiptare.

“Ajo që kam parë, vërej pas tre vitesh është se politika shqiptare ka probleme të mëdha. Politika shqiptare nuk dëshiron të ndryshojë. E patë në seancën e fundit për Kodin Zgjedhor. Politika shqiptare mendon vetëm për politikën shqiptare edhe pse e ka detyrë kushtetuese të mendojë për shqiptarët. Në këtë konflikt të madh isha e papërgatitur në këtë lloj kuptimi”, u shpreh Açka.

E pyetur nëse e nxori politika jashtë nga të qenit së bashku në një skuadër politike apo u largua vetë, Açka u përgjigj se “kjo kërkon një analizë të gjatë sepse lidhet me fatin e Partisë Demokratike”.

Açka tha se qeveria nga ana tjetër po ushtron dhunë verbale të vazhdueshme ndaj opozitës. Ndërsa tha se opozita ka në radhët e saj elementë që shiten.

“Po të shikoje Kongresin e PS-së ishte një ekstazë ku shihje edhe dhunën verbale ndaj opozitës. Si mundet një qeveri që është në pushtet prej 11 vitesh dhe para saj ka një opozitë të brishtë dhe ajo është përfshirë në gjithçka për ta shkatërruar deri në fund si mund të jetë kaq entuziaste para një situate të tillë. Ne nuk jemi demokraci. Ne kemi shenjat e demokracisë. Demokracia nënkupton edhe një opozitë të fortë, por qeveria i blen. Po pse shiten eksponentë të caktuar të opozitës, për çfarë shiten”, theksoi Açka.

Ajo nënvizoi se Rama e ka kthyer opozitën “në një mjerim, për të cilën ai do të gjykohet”.

“Një gjë që i dallon burrat e shtetit është a arrin të ndërtojnë. Rama e shkatërroi demokracinë shqiptare pavarësisht se z. Berisha ka tatuazhit të demokracisë nisur nga “nongrata” shpallur prej Departamentit të Shtetit. Rama shkatërroi demokracinë, Berisha shkatërroi Partinë Demokratike. Ata që shkatërrojnë nuk janë burra shteti. Shëmbëlltyra e vogël në Parlament, z. Bardhi është shkatërrues i grupit parlamentar”, akuzoi Açka, ndërsa shtoi se ajo është ndjerë “e pafuqishme, e shtypur, e fyer dhe e anashkaluar”, tha më tej Açka.

Sa i përket figurës së Lulzim Bashës, Açka vuri në dukje se as Basha nuk arriti të krijojë frymë dhe alternativë politike.

“Nga 11 qershori, me humbjen e vulës, e kam parë të arsyeshme të mos qëndroja në një konstrukt politik që do të ishte paralele me Partinë Demokratike, qoftë edhe e quajtur “Euroatlantike”. Pata edhe një lloj shqetësimi edhe me emërtimin, mu duk pak niçean, pak ndarës, pak superan; ka një racë që është euroatlantike dhe ka një racë nuk marrin vesh nga çështjet e euroatlantizmit. Në këtë moment e pashë veten të arsyeshme që jam nënkryetare, nënkryetare e një strukture që është paralel me Partinë Demokratike. Që nga ajo kohë jam tërhequr nga të gjitha palët”, vuri në dukej deputetja Flutura Açka.

Sa i përket votimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga opozita dhe mazhoranca socialiste, Açka tha se me këtë zhvillim politik, Partia Demokratike e ka të pamundur të fitojë në zgjedhjet e vitit 2025.

“Kjo jo vetëm e vështirëson fitoren e Partisë Demokratike, por e pamundëson. Ajo që është fatale, përveç listave të mbyllura, ne nuk u japim shanse shqiptarëve që të votojnë 100 për qind. Ne nuk do të mund të kthejmë në sinergji mundin e demokratëve. Demokratët nuk janë të interesuar me po të njëjtat figura që janë konsumuar”, shtoi Açka.