Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka dalë në një deklaratë për mediat nga Shëngjini, ku një natë më parë një zjarri i madh përfshiu zonën, duke shkrumbuar sipërfaqe të madha pyjore e duke rrezikuar resorte, banesa, e jetë njerëzish.
Çako është shprehur se është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli dhe mali, dhe se ditën e sotme situata është vënë nën kontroll dhe nuk ka më vatra zjarri në zonë.
Ai bëri me dije se grupet e punës janë duke u tërhequr. Ndër të tjera, Çaku u ka bërë thirrje qytetarëve të sinjalizojnë sa më shpejt të munden vatrat e zjarrit, në mënyrë që ndërhyrja të bëhet në kohën e duhur.
“Këtu është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli dhe malit, por kjo është një fazë tjerë që do të vlerësohet demi i shkaktuar, qoftë në pemtari apo në banesa.
Në këtë zonë, grupet e punës janë duke u tërhequr, nuk kemi më vatra zjarri edhe me ndihmën e avionëve italiane. Situata është totalisht nën kontroll. Situata është normalizuar. Helikopteri i Forcave të armatosura ka qenë në operacion gjatë gjithë kohës, në disa vende, kjo e beri të domosdoshme dhe kërkesën e ndihmës evropiane.
Helikopterët janë në Tepelene dhe po operojnë atje, nuk ka helikopterë për çdo fshat. Qytetarëve u bëj thirrje të sinjalizojnë në kohë”, tha ai.