Sipas raportit të përvitshëm të punës, Eures, Europa ka nevojë urgjente për profesionistë në 40 sektorë, që nga saldatorë, hidraulikë, drejtues kamionësh të rëndë, mjekët specialist, mekanike, profesionistë të infermierisë, kamerierë, metalurgë, montues makinerish, punëtorë në shtrimin e dyshemeve, punëtorë çatish, mekanikë të klimatizimit dhe ftohjes, punëtorë ndërtimi. Shumica e punëve të kërkuara në të gjithë Bashkimin Europian kanë të bëjnë me ndërtimin dhe degët inxhinierike, kujdesin shëndetësor dhe TIK.
Erion Muça, ekspert për punësimin shprehet: “Ky raport është reflektim i faktit që shumica e të rinjve shqiptarë në 5 vitet e fundit, po zgjedhin degë dhe programe që lidhen me kërkesat aktuale të tregut europian duke shpërfillur nevojat e vendit për profesione, zanate dhe mundësi pune, gjë që pasqyrohet 100% në këtë raport.
Nëse vazhdojmë me këto ritme do të kemi braktisje të tregut vendas të punës. Shumë industri, biznese dhe sektorë do ulin rendimentin e të punuarit dhe do të kenë vështirësi për t’u zhvilluar më tej dhe praktikisht shumë degë dhe profesione do të mbeten pa specialist dhe ekspertë, gjë që do të na kushtëzojë edhe në shërbimet më jetike siç janë mjekësia, apo shërbime të tjera në komunitet dhe familje”.