MENU
klinika

Kutitë që sollën avantazhin për PS

Cili ishte “sekreti” i fitores së Vangjel Tavos?!

05.08.2024 - 17:10

Të dhënat e publikuara nga KQZ, japin një pasqyrë tepër interesante sa i përket mënyrës se si kanë votuar banorët e Himarës në zgjedhjet e djeshme krahasuar me ato të majit 2023.

Siç raportuam më herët, Vangjel Tavo e fitoi Himarën duke thelluar avantazhin ndaj kundërshtarit të tij, Petro Gjikuria, teksa mori një numër të madh votash në dy njësitë administrative Lukove dhe Hore Vranisht, ndërsa humbi brenda në qytet.


Ndërkohë, nëse bëhet një krahasim i rezultatit të këtyre zgjedhjeve me ato të majit 2023, rezulton se në fakt, kandidati i PS është shpallur fitues sepse ka mundur të rrisë numrin e votave të marra brenda në Himarë, pasi në të dyja zgjedhjet, votat për të majtën janë thuajse të njëjta në dy njësitë e tjera administrative.


Kështu, Jorgo Horo rezulton të ketë marrë 1 576 vota në zgjedhjet e 2023 kundrejt 2 446 votave të Fredi Belerit brenda në qytetin e Himarës. Në këto zgjedhje, rezulton se kandidati i opozitës, Petro Gjikuria ka ruajtur votat e Belerit duke marrë 2 462 vota.

Por, ndryshe nga zgjedhjet e majit, Vangjel Tavo ka marrë 556 vota më shumë se Jorgo Goro brenda në qytetin e Himarës duke kapur numrin 2 132.

Rrjedhimisht, edhe pse humbës në këtë njësi administrative, duket se Vangjel Tavo është shpallur fitues pikërisht sepse ka mundur të rrisë numrin e votave brenda në qytet duke ngushtuar dezavantazhin kundrejt kandidatit të opozitës.

Sa i përket dy njësive të tjera administrative, rezultati i zgjedhjeve të gushtit 2024 duket i ngjashëm me atë të majit 2023 me një avantazh të lehtë të Vangjel Tavos kundrejt Jorgo Goros.