Gushti është padyshim muaji që shumë rezervojnë pushimet e tyre. Më në fund momenti për pak relaks ka mbërritur dhe thuajse të gjithë mendojnë për disa ditë buzë detit. Të parët që kanë nisur pushimet patjetër që kanë qenë personazhet e famshme. Arratisjet e tyre i kemi përmbledhur në këtë hapësirë, për të sjellë një copëz nga pushimet e tyre.
Shumë kanë zgjedhur të pushojnë me partnerët dhe familjet, duke gjetur kohë për të shijuar dashurinë. Romancë dhe shumë sensualitet është ajo çfarë na ofrohet në këto foto. Por natyrisht që ka edhe nga ato, që këtë verë, pushojnë pas një ndarjeje. E teksa disa janë ende single, të tjerë e kanë gjetur dashurinë, edhe pas një ndarjeje të vështirë.
Manjola Nallbani
Për artisten koha ka ndalur. Manjola Nallbani ka festuar këto ditë ditëlindjen e saj të 55-të dhe mund të themi me plot gojën, që i bën sfidë më së miri edhe vajzave në të 20-tat. E si për ta konfirmuar këtë fakt, këngëtarja ka publikuar disa foto nga bregdeti, ku shfaqet me një bikini të zi.
Duhet thënë, se edhe këtë verë ajo është në top-formë dhe absolutisht që komplimentet shkojnë të gjitha për të. Si çdo verë, edhe këtë herë, ajo publikoi foto me bikini, si për të konfirmuar edhe njëherë, se vështirë se mund të ketë rivale.
Anna Lika dhe Bjordi Mezini
Prej më shumë se një vit, ky çift e mbajti sekret lidhjen e tyre. Por tashmë prej muajsh ata shfaqen të pandarë nga njëri-tjetri duke shijuar dashurinë publikisht. Edhe për Bjordin dhe Annën këto ditë kanë qenë ditë relaksi.
Çifti ka zgjedhur të pushojë në Greqi, ku bashkë me ta kanë qenë edhe disa nga familjarët e Annës. Ky ka qenë një vit aspak i lehtë për aktoren, e cila ka humbur të ëmën. Megjithatë, Bjordi ka qenë mbështetja e saj kryesore. Dhe këto foto, duken se vijnë nga ditët e tyre plot dashuri dhe qetësi.
Jori Delli dhe Fred De Palma
Pushimet e këtij çifti kanë qenë shumë sensuale. Çifti është shkëputur për disa ditë pushimesh, ku edhe kanë zgjedhur Mikonos. Natyrisht që postimet nuk kanë munguar në adresat e tyre, duke na zbuluar sesi janë çifti kur pushojnë.
Poza seksi, kërcime sensuale dhe shumë puthje, janë gjithçka që kemi parë nga ky çift përgjatë këtyre ditëve. Jemi të sigurt që vera e Jorit dhe e partnerit të saj të famshëm Italian, nuk ka përfunduar ende. Pak romancë dhe shumë sensualitet do të vijojmë të shikojmë nga çifti.
Elhaida Dani dhe Ledjan Agalliaj
Postimet e tyre në rrjetet sociale kanë qenë të rralla, madje aq sa shpesh në media është shkruar se edhe dyshja i ka dhënë fund lidhjes së tyre. Por Elhaida dhe Ledjani vijojnë të jenë më të dashuruar se kurrë dhe këtë verë po shijojnë disa ditë pushimesh në Greqi.
Vetë çifti ka publikuar imazhet në rrjetet sociale, ku duken të përqafuar me njëri-tjetrin, duke shijuar ditët e verës.
Pasi kanë udhëtuar në Itali, duket se Greqia ka qenë ndalesa e radhës për ta. Pas këtyre angazhimeve këngëtarja do të rikthehet në Tiranë, ku edhe do të angazhohet me festivalin e RTSH.
Bieta Sulo
Të rralla kanë qenë postimet e saj me bikini, duke preferuar që të ruajë një imazh disi më serioz. Por kur vjen puna për disa ditë relaksi në Itali, me familjen, natyrisht që edhe Bieta nuk mund t’i rezistonte tundimit për të publikuar disa foto nga bregdeti.
Duhet thënë se Bieta gëzon linja perfekte dhe shpresojmë që ta shohim edhe më shpesh me bikini përgjatë verës. Në Instagramin e saj ajo ka shpërndarë edhe foto e video gjatë ditëve të saj, ku së bashku me Albanin janë edhe fëmijët, si për të përmbushur tablonë e familjes.
Rudina Hajdari
Për Rudinën, kjo verë ka qenë plot dashuri. Vetëm pak javë më parë, ajo bëri publike historinë e saj të dashurisë me regjisorin, Tan Kazazi. Çifti ka shijuar disa ditë në jug të vendit, ku fotot dhe videot nuk kanë munguar nga ky çift i ri.
Por veç ditëve romantike, Rudina, ka gjetur kohë për të pushuar edhe me vajzën e saj, Sihana. Veç plazhit, ish-deputetja ka zgjedhur që të vizitojë me të bijën edhe disa pika turistike të vendit tonë, me gjasa për t’i mësuar disi historinë edhe vogëlushes së saj.
Alketa Vejsiu
Për Alketën vera nis herët dhe gjithnjë shijon aq shumë. Ditët buzë detit janë shumë të rëndësishme për moderatoren, duke shijuar detin dhe ditët me familjen. Gjithnjë pushimet nisin nga jugu i vendit dhe vijojnë me një xhiro në disa nga vendet më luksoze të Europës.
Këtë herë, fotot vijnë nga jugu i Francës, ku moderatorja ka zgjedhur që të pushojë disa ditë në jaht. Natyrisht që ajo shpesh herë publikon foto nga vendi ku ndodhet, por zgjedh gjithnjë që të mbajë sa më diskrete familjen e saj, duke preferuar, që kohën me ta, ta kalojë larg rrjeteve sociale.
Mira Konçi
Mira Konçi ka udhëtuar nga SHBA për të bërë disa ditë pushime në Turqi. Këngëtarja e njohur, që pas divorcit nga kompozitori Shpëtim Saraçi ka preferuar që të ruajë një profil më të ulët në rrjetet sociale, ndaj edhe postimet i ka gjithnjë e më të rralla.
Megjithatë, kur vjen puna për disa ditë pushimesh me vajzën e saj, natyrisht që këngëtarja s’mund të na linte pa na i treguar. Mira dhe Era kanë shijuar këto ditë pranë njëra-tjetrës duke zgjedhur që pushimet këtë vit t’i kalojnë në Turqi dhe jo në vendin tonë.