Ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për ndryshimin e pagës për punonjësit e Kadastrës.
Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare bëhet me dije se si do të ndahen klasat e pagave dhe shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “titullar institucioni” në drejtoritë vendore dhe zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
VENDIMI
“Vendim nr. 534, datë 12.8.2024 për një ndryshim në vendimin nr. 322, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “për miratimin e strukturës së pagës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve dhe punonjësve administrativë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës”, të ndryshuar: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr. 35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr. 111/ 2018, “Për kadastrën”, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Lidhja nr. 2, bashkëlidhur vendimit nr. 322, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve dhe punonjësve administrativë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës”, të ndryshuar, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, – thuhet në vendim.
Në këtë të fundit thuhet më tej se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024 fillojnë nga momenti i emërimit/transferimit të nëpunësve në detyrë dhe përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2024, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) për secilën klasë, të përcaktuara në lidhjet nr. 1 dhe nr. 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.
“Në kuptim të këtij vendimi: a) drejtoritë e përmbajtjes apo sektorët e përmbajtjes janë ata/ato që realizojnë funksionet për të cilat është krijuar dhe funksionon institucioni. Në to nuk përfshihen strukturat organizative përgjegjëse për funksionet horizontale të institucionit, sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore; b) drejtoritë mbështetëse apo sektorët mbështetës janë ato/ata që kryejnë funksionet horizontale të institucionit, sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Klasat e pagave dhe shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) për pozicionet e punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “titullar institucioni” në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, – thuhet në vendim.
Klasat e pagave dhe shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) për pozicionet e punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “titullar” në drejtoritë vendore dhe zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë sipas lidhjes nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Pagat bazë për klasë dhe shtesat mbi pagë të punonjësve administrativë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës janë sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve të administratës shtetërore.