MENU
klinika

Çfarë mund ta parandalojë apo përmirësojë këtë proces?

Kur nis procesi i plakjes?

12.08.2024 - 09:10

Plakja është karakteristikë e përbashkët e të gjithë qënieve njerëzore por shpejtësia dhe mënyra e plakjes nuk është për të gjithë ne njësoj. Ne e lëmë pas rininë me ritme të ndryshme. Procesi i plakjes dhe jetëgjatësia përfaqësojnë një nga sfidat më komplekse e multidimensionale që kërkon një përgjigje personale, shëndetësore, sociale dhe ekonomike.

Në shekullin e fundit, ne mjekët, kemi arritur në saj të kurave, të prodhojmë një plakje të masave. Në qoftë se në 1900 –ën jetëgjatësia mesatare ishte reth 42 vjeç, sot është dyfishuar.

Personalisht preferoj të diskutoj në termin e jetëgjatësisë dhe jo të mbijetesës.

Për mendimin tim, duhet të modifikojmë mundësisht këndvështrimin ndaj këtij përkufizimi, i cili është një problem që na prek të gjithëve.

Meqënëse po jetojmë e punojmë më shumë vite, menaxhimi i shëndetit dhe ruajtja e një forme sa më të mirë fizike e mendore është prioritet absolut, si për popullsinë ashtu edhe për politikat shtetërore.

Po të vëmë re, të gjitha statistikat flasin vetëm për arritjen e dyfishimit të jetës mesatare, pa futur indikatorin e rëndësishëm, atë të cilësisë së jetës. Duhet të diferencojmë qartë konceptin e zgjatjes së jetës me atë të cilësisë së saj në vite.

Mbetet detyrë e jona si mjekë të informojmë saktë njerëzit për kulturën shëndetësore, nëpërmjet sensibilizimit për parandalim të patollogjive vdekjeprurëse, edukimin e një jete të shëndetshme si fizike ashtu edhe mendore.

Shkenca ka mundësuar procedura e ndërhyrje specifike, të personalizuara e të domosdoshme të cilat ndihmojnë në identifikim dhe individualizimin e ndërhyrjes mjekësore për një përmirësim të përgjigjes imunitare, të ruajtjes së funksioneve fizike e konjitive sa më optimale për një kohë sa më të gjatë.

E konsideroj jo korrekte, atë që shumëkush e merr të mirëqenë se, po të jetosh gjatë, detyrimisht do vuash nga patollogji të ndryshme të moshës.

Kur quhemi të plakur?

Organizmi ynë është i programuar të jetoj shëndetshëm, pa ndërhyrje të jashtme, deri në rreth 120 vjet. Procesi i plakjes nga ana tjetër nis që pas moshës 30 vjeç. Tradicionalisht kemi rënë dakord të etiketohemi të tillë mbi moshën 65 vjeç. Por ky përkufizim, ka lidhje vetëm me moshën anagrafike dhe është thjesht konvencional, pasi është e pamundur të stabilizojmë një moshë të saktë se kur nis pleqëria.

Specifikisht është një proces degjenerimi që përfshin organet, indet dhe qelizat dhe çon në plakjen, si proocesi final i ciklit të jetës. Karakterizohet nga një dobësim progresiv i organizmit dhe i ngadalësimit të proceseve fiziologjike.

Për të qenë shkencërisht më të saktë, duhet të flasim për moshë kronologjike, moshë biologjike dhe moshe psikologjike.

Mosha kronologjike është koha që kalon e shprehur në vite. Jo domosdoshmërish e lidhur me humbje të shëndetit edhe pse probabiliteti për t’u prekur nga patologji rritet me kalimin e viteve.

Është mosha biologjike ajo që reflekton ndryshimet fiziologjike të organizmit, të ndodhura në kohë. Meqënëse këto ndryshime prekin disa individë më parë se të tjerët, atëherë momenti që jemi biologjikisht të plakur është i ndryshëm në çdo individ. Mosha biologjike e organizmit shumë shpesh është e ndryshme nga ajo që shkruhet në dokumentet e idenditetit. Dy individ të lindur në të njëjten vit, mund të kenë gjendje shëndetësore të ndryshme dhe dy procese plakjeje faktike të ndryshme radikalisht. Një 80 vjeçar që ka shëndet të plotë konsiderohet më pak i plakur se një 65 vjeçar që ka patologji kronike. Mosha psikologjike bazohet në mënyrën se si reagojnë dhe ndihen individët. Ka shumë individ që mbeten psikologjikisht të rinj dhe aktiv fizikisht dhe intelektualisht dhe në moshë të avancuar. Pra, për të klasifikuar një individ të plakur ose jo duhen analizuar të gjithë këta faktorë.

Cilët janë elementët që marrin pjesë në procesin e plakjes?

Çdo gjë që bëjmë ndikon potencialisht jetën tonë. Plakja është një proces që varet nga faktor të shumtë e të ndryshëm por nuk përjashtohet nga ky fakt.

Është e pamundur që vetëm një fenomen të shpjegojë këtë proces. Ka shumë, teori por aktualisht mund të themi që ky proces ëhtë pasojë e predispozitës gjenetike, ambientale dhe të rastësishme.

Procesi i plakjes është humbja graduale e progresive e funksioneve të rëndësishme të organeve dhe sistemeve dhe varet drejtëpërdrejt nga faktorët qe sjellin dëmtime të akumuluara ne saj të ndikimit që ka ambienti.

Është një proces gjenetikisht i programuar që ndodh nëpërmjet ndryshimeve të funksionit të sistemit endokrin, imunitar e nervor si pasojë e humbjes së kapacitetit rigjenerues të qelizave. Ky quhet edhe limiti i Hayflick.

– Parandalimi i patologjive akute dhe kronike është faktori kryesor që sjell një jetëgjatësi të shëndetshme. Një kontroll skrupoloz të faktorëve kardiometabolik, të mbipeshes dhe një jete aktive janë pa dyshim faktorë pozitiv mbrojtës, por nuk janë të vetmit.

– Argumenti i jetëgjatësisë nuk lidhet vetëm me sekuencën e ADN-së e cila nuk ndryshon, por me informacionin epigjenetik (ose epigenoma). Është i padiskutueshëm fakti që sekuenca gjenetike mbetet e pa ndryshuar. Ndërkohë, ndryshon shfaqja e geneve në çdo individ, në varësi të impaktit të shume faktorëve ambiental: si stresi i vazhdueshëm, ekspozimi ndaj substancave toksike e ndotëse, kequshqyerja, jeta sedentare, dhe eksperienca shëndetësore e çdo individi. Shfaqja e geneve individual varet më shumë se 80% nga faktorët ambiental.

Procesi i plakjes është fortësisht i shoqëruar me disa ndryshime epigjenetike të ADN dhe në mënyrë të veçantë të proceseve të metilimit (modifikime kimike). Studimi dhe përdorimi i epigjenetikës na jep mundësinë të identifikojmë e të modulojmë gene që janë në gjendje qetësie si dhe ato të shprehur. Në studimet e bëra, proceset e hipometilimit janë të shoqëruara me vetë plakjen, si dhe lidhen me patologji të moshës si ato kardiovaskolare, osteoporoza, diabeti, kanceri e patologjitë neurodegjenerative. Është interesant fakti që hipometilimi dhe mosha epigjenetike janë më të ulura tek fëmijët dhe 100 vjeçarët. Shpesh ne flasim për “Methylation clock”.

Një publikim në “Circulation”, “Genomic e Precision Medicine”; ku është studiuar mosha biologjike e mbi 2000 individëve në bazë të ndryshimeve epigjenetike të ADN-së, rikonfermohet fakti që ekziston një ngadalesim apo përshpejtim i plakjes biologjike në individ të caktuar, nga faktor të caktuar.

Një koncept që duhet ta bëjmë tonin është se, ne trasmetojmë tek pasardhësit tanë, jo vetëm genet, por edhe modifikimin e trashigueshëm të shfaqjes gjenik (epigjenetik), të ndikuar nga ambienti dhe nga eksperiencat si dhe zgjedhjet e bëra.

Ndikim të drejtpërdrejtë dhe indirekt në jetëgjatësinë dhe në shfaqjen e shumë sëmundjeve kronike ka edhe mënyra e të ushqyerit, infeksionet, inflamacioni i fshehur, izolimi social, kushtet ekonomike jo të favorshme, depresioni reaktiv, trajtime specifike e hormonale si edhe teknikat e riprodhimit të asistuar pasi ndikojnë në ADN. Edhe pesha e ulur në lindje lidhet me karakteristika të plakjes në moshë të rritur.

– Mikrobiota është, për shembull, një meta organ driver në “healthy ageing”, moshimin e shëndetëshëm, sot. Në procesin e plakjes microbiota intestinale bëhet shumë më pak e diferencuar, në krahasim me individët e rinj dhe bëhet më pak fleksibël.

Një përqindje e tejmadhe e qelizave të trupit nuk janë “tonat” por të baktereve, të kërpudhave, e të viruseve që popullojnë aparatin urogjenital, mukozat, lëkurën dhe strukturën intestinale. Tek çdo individ, zorra është e populluar në raport 10:1 (10 qeliza të mikrobeve për çdo qelizë humane). Një komunitet mikrobesh që ndërvepron me një minorancë qelizash humane…Pa prezencën e këtyre miqve, shpesh do e kishim të vështirë të mbijetonim ndaj infeksioneve. Shumë studime kanë vënë në dukje që ndryshimet e mikrobiotës janë të lidhura me plakjen dhe mund të influencojnë gjendjen e shëndetit. Është evidentuar që 100 vjeçarët kanë një mikrobiot që i ngjan të rinjve dhe në veçanti mikrobiota e tyre është më e pasur me baktere pozitive (benefik) dhe ka nivele më të ulura të patogjeneve, të cilat mund të shnderrohen në negativ, në situata te caktuara.

Jetëgjatësia është e lidhur ngushtë me një firmë unike specifike të mikrobiotës që ka efekte pozitive mbi shëndetin. Gjendja e disbiozës favorizohet pjesërisht nga komponenti gjenetik, e pjesërisht nga ushqimi jo i ekuilibruar, përdorimi pa kriter i medikamenteve, specifikisht antibiotikët, inibitorët e pompës protonike, antidepresivët, antipsikotikët.

Është i njohur fakti që bakteret intestinale, potencialisht të dëmshëm ose potencialisht infiamator, janë në përqindje shumë të ulur tek 100 vjeçarët e shëndoshë, në të cilët gjendja e eubiozës mendohet që ndihmon në ngadalësimin e shumë proceseve të degjenerimit sistemik.

Komuniteti mikrobiotik i 100 vjeçarëve të studiuar është i ngjashëm me atë të individëve të rinj.

Përbërja e mikrobiomës eshtë unike për çdo person dhe përcaktohet nga shumë faktorë që në lindje dhe përfundon seleksionimin e saj rreth moshës 3 vjeçare. Ka diferencë të madhe, midis fëmijëve të lindur me lindje vaginale dhe atyre të lindur me lindje cezariane. Këtë fakt nënat e reja duhet ta kenë parasysh.

Në sudimet e fundit është vënë re që flora intestinale është e lidhur edhe me formimin e barrierës ematoencefalike dhe proceseve të mielinizimit e neurogjenezës duke marrë pjesë në mënyrë indirekte në favorizimin e shfaqjeve të patologjive neurodegenerative.

– Edhe kohëzgjatja, tipollogjia dhe gjumi i rregullt ndikojnë në procesin e plakjes. Gjatë gjumit nokturn kemi një ulje të presionit të gjakut, të aktivitetit kardiak, prodhim të disa hormoneve specifik, riorientimin e sinapseve dhe një lloj aktiviteti drenant të substancave neurotoksike, si beta amiloide akumuli i të cilës ështe baza e sëmundjes së Alzheimer. Gjumi i rregullt, si proces dhe plakja cerebrale janë ngushtësisht të lidhura.

Në “SLEEP Health” është publikuar analiza e të dhenave të mbi 6000 individëve të rritur dhe lidhja e markatorëve fiziologjik të plakjes, me kohëzgjatjen dhe gjumin e rregullt, si dhe me ndikimin mbi aftesitë konjitive dhe rritjes së rrezikut për hipertension e diabet. Është vënë re gjithashtu se ekziston një raport i konsiderueshëm midis trashësisë së kortexit cerebral, në imazhet radiologjike në RMN, dhe indeksit të masës trupore (BMI). Mund të themi se sa më shumë rritet perimetri abdominal, aq më shumë “tërhiqet ” materia gri e trurit. Mbetet akoma si hipotezë, por e publikuar në “Neurology” që procesi i plakjes cerebral është i përshpejtuar deri ne 10 vite në disa individ, në kushte të disfavorshme.

Një tjetër studim i bërë nga “School of Public Health” të “Nanjihg Medical University” në Kinë i bazuar në të dhënat e mbi 330.000 pacientëve, duke krahasuar karakteristikat e gjumit; si kohëzgjatjen, kronotipin, prezencën e pagjumësisë dhe gërrhitjen, evidenton një lidhje të ngushte me rritjen e rrezikut të plakjes biollogjike të përshpejtuar (PhenoAge Accel).

Duket absurd fakti por edhe fjetja për një kohë më të gjatë së norma, ndikon gjithashtu negativisht në përshpejtimin e plakjes.

Markatorët e kontrollit : Ekzistojnë markatorë preciz e formula ngushtësisht të lidhura me jetëgjatësinë e procesin e plakjes. Parametrat e tensionit të gjakut, matja e densitetit kockor, profili i yndyrnave, markatorët tumoralë, glicemia, funksionaliteti i veshkave dhe i melçisë. Matja e moshës biologjike, gjatësia e telomereve (porzione të vogla të ADN-së që gjenden në fundin e çdo kromozomi). Monitorimi i mikrobiotës. Të gjitha studimet kanë prodhuar e japin informacione gjithnjë e më të detajuara për ne mjekët dhe janë çelsi i të gjitha indikazioneve të sukseshme.

Çdo analizë e proceseve e bazuar në njohuritë dhe eksperiencë ka aftësi të lartë të pasqyryar një panoramë të probabilitetit të rrezikut të shumë patollogjive degjenerative, kardiovaskolare e tumorale, në baze të të dhënave individuale.

Pikërisht për faktin se, gjithë këto parametra janë specifikisht individual dhe unikë për çdo individ, për të arritur moshën ekstreme në kushte optimale shëndeti, ndaj dhe nuk mund të ekzistojnë receta të gatshme dhe nuk ka asnjë magji të zezë, por vetëm një ndjekje serioze e personalizuar është formula fitimtare e trajtimit.

Doktore Silvana Shametaj Ruli Mjeke kirurge. Aktualisht drejtuese që prej 9 vitesh ne Departamentin e Geriatrise Pneumologjike.
Reponsabile per 20 vjet ne Departamentin e semundjeve te brendshme ne Spitalin e San Marinos. Gjate kesaj kohe, 11 vite pergiegjese e sherbimit te nefrologjise dhe hemodializes ne Spitalin e San Marinos.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN