MENU
klinika

Anijet me mbi 800 tonë mbetje toksike

Prokuroria e Durrësit nis hetimet për zyrtarët e portit

22.08.2024 - 10:57

Një skandal i përmasave të mëdha ka shpërthyer ditët e fundit, pasi një anije u ndalua në Tajlandë me mbi 800 tonë mbetje toksike (lëndë të rrezikshme) të nisura nga Shqipëria. Po ashtu u zbulua se ngarkesa të ngjashme kishin shkuar në Kinë. Qeveria heshti prej disa ditësh dhe vetëm dje u kujtua të reagojë, por duket se të gjitha institucionet ja faturojnë njëra-tjetrës skandalin. Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro tha se lëndët e rrezikshme të kapura në Tajvan i përkasin Metalurgjikut të Elbasanit. Sipas saj, ato janë ngarkuar në anije dhe janë transportuar në mënyrë klandestine.

“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohet se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit Metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Mjedisit.

Reagon “Kurum”

Por dje ka reaguar kompania “Kurum”, duke dashur të lajë duart dhe të heqë përgjegjësinë nga vetja. Turqit pretendojnë se nuk kanë dërguar mbetje të rrezikshme në asnjë vend. “Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga “Kurum International”. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare.

“Kurum International”, bazuar në lejen mjedisore që zotëron, respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë”, shprehet Kurum. Por ata dalin blof, pasi në kotejnerë kishte pluhur të dalë ng furrat e metalit. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

Reagon “Dogana”

Sakaq një reagim dje pati dhe nga Drejtoria e Doganave të Shqipërisë, e cila reagoi mbi zërat se janë dërguar mbetje në Kinë, por nuk tha asnjë fjalë për ato të Tajlandës. Dogana po ashtu lau duart, duke thënë se mbetjet janë nga Kosova dhe jo nga Shqipëria. Sipas saj, porti ka shërbyer tranzit. “Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Sëitzerland. Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOË GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China”, shprehet Dogana.

Reagon Prokuroria e Durrësit

Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për të hedhur më shumë dritë. Hetimet janë shtrirë në dy qytete; Elbasan dhe Durrës. Mbetet enigmë dinamika dhe itinerari se si janë transportuar këto ngarkesa të mëdha drejt portit dhe se si janë lejuar të ngarkohen në anije. Fillimisht ka qenë Policia e Durrësit që ka kryer procedurat paraprake të verifikimit dhe procedimit penal, duke ia kaluar më tej dosjen Prokurorisë së Rrethit. Policia konfirmon kryerjen e procedurave, teksa e dyshuar për transportin e mbetjeve si nënkontraktor është kompania “Sokolaj”. Nën hetim dhe verifikim mësohet se janë për veprën penale “shpërdorim detyre”, zyrtarë të Portit të Durrësit, të cilët dyshohet se kanë lejuar eksportin në kundërshtim me ligjin e mbetjeve drejt Tajlandës.

“’Prokuroria e Durrësit nis hetimet për Veprën Penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” mbi ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596, datë 16.08.2024, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i K.Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit. Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike”, informoi dje Prokuroria e Durrësit.

Anijet

Dy anijet “Compton” dhe “Candor” që po transportojnë, një 41 kontejnerë dhe tjetra 61 konteinjerë ishin nisur nga porti i Durrësit më 4 korrik dhe ishin parashikuar të mbërrin në destinacionin final Tajlandë mes 18 dhe 22 Gushtit, por sinjalizimi nga organizata “Basel Network Action” sensibilizoi grupimet ekologjike dhe autoritetet. Madje njëra nga anijet, “Compton”, fiku edhe sinjalin e GPS më 31 korrik, 1 ditë para se të afrohej në Cape Town në Afrikën e Jugut. Zyrtarët tajlandezë deklaruan se nuk do t’i pranonin anijet në territorin e tyre dhe do ktheheshin mbrapsht. Sipas Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët riatdhesohen në vendin e origjinës, pra Shqipëri. Më pas edhe Operatori ndërkombëtar Maersk, përmes një deklarate tha se e gjithë sasia do të rikthehet në Shqipëri.