MENU
klinika

I del sërish në mbrojtje Thaçit, sulmon Gjykatën Speciale

Pse Grenell po këmbëngul për lirimin e ish-presidentit

15.08.2024 - 14:54

Jo pak herë, ndoshta për çudinë e shumëkujt, ish-i dërguari i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi gjatë presidencës Trump, Richard Grenell ka paralajmëruar rrëzimin e aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, dhe lirimin e këtij të fundit, edhe pse ish-presidenti i Kosovës akuzohet nga Specialja për vrasjen e kundërshtarëve politikë përkrahës së Ibrahim Rugovës dhe LDK-së. Dje, ish-emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, kritikoi evropianët për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane dhe u tha atyre që të fokusohen në rregullimin e gjykatave ndërkombëtare të vendosura në Evropë. “A duhet të jetë Thaçi në burg edhe pas 4 vitesh? Kjo nuk është vlerë perëndimore”, shkroi Grenell, i cili e ka shprehur jo pak herë mbështetjen për ish-presidentin.

Sulmi ndaj Gjykatës

Grenell reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social rreth vërejtjes së Komisionit Evropian (KE) ndaj platformës “X” për shkelje të rregullave të reja në bazë të Aktit për Shërbime Digjitale (DSA), i cili kërkon që kompanitë digjitale që operojnë në bllok të monitorojnë në mënyrë efektive përmbajtjen në internet për të mbrojtur përdoruesit nga efektet e dëmshme. “Në vend që të ndërhyni në zgjedhjet në SHBA dhe të përpiqeni të krijoni një internet të ri e të censuruar për evropianët, pse nuk përqendroheni në rregullimin e gjykatave ndërkombëtare të vendosura në Evropë? A duhet të jetë Thaçi në burg edhe pas 4 vitesh? Kjo nuk është vlerë perëndimore”, shkroi ai.

Radha e Thaçit pas Trump

Pasi gjykata e hodhi poshtë çështjen e dokumenteve të klasifikuara ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në muajin korrik ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar se “është radha për rastin e Hashim Thaçit”. Ai në rrjetin social X shkroi asokohe se pasi është pushuar rasti i prokurorit special Jack Smith kundër Trump, kjo duhet të ndodhë edhe me Thaçin, i cili po akuzohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë. “Rasti i Jack Smith kundër Trump po shembet. Është radha jote, Hashim Thaçi”, shkroi Grenell. Smith është një prokuror i specializuar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (SPO) në Hagë. Ai kishte deklaruar se Thaçi dhe të tjerët akuzohen për përgjegjësi penale, arrestim dhe ndalim të paligjshëm apo arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Prapaskenat e burgosjes

Grenell, në një intervistë për Human Events në qershor të këtij viti, zbuloi disa prapaskena nga marrëveshjet e diskutuara mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit në vitin 2020. Richard Grenell zbulon edhe arsyen që sipas tij çoi në burgosjen e Thaçit në Hagë. Grenell thotë se burim ka qenë marrëveshja që do arrihej për mbylljen e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë. Më tej Grenell beson se arsyeja e vetme që ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është në burg për shkak se marrëveshja do i mbyllte punën prokurorit Jack Smith. Sipas tij prokurorin e lajmëroi Bruce Schwartz i Departamentit të Drejtësisë. Kur presidenti i Kosovës ishte nisur për në Uashington DC për të përfunduar negociatat për këtë marrëveshje, Jack Smith shpalli aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës.

Premtimet e Grenell

Richard Grenell ka thënë se se administrata Trump, nëse është sërish në pushtet, do ta bëjë Ballkanin Perëndimor prioritet në politikën e saj dhe premtoi se “të gjithë ata që jetojnë në Ballkan. do të jetë në gjendje të bindet për përparimin e të gjithë rajonit”. Siç tha ai, Amerika e ka detyrimin “të vazhdojë ta shtyjë Serbinë përpara” dhe se dëshiron që Ballkani Perëndimor të bashkëpunojë pas konflikteve të tmerrshme. Ai premtoi se administrata Trump, nëse kthehet në pushtet në SHBA me ndihmën e serbëve, do ta vendosë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përparimin e tij në fokus të politikës së saj. Sipas asaj që raportohet nga djali i Trump, Donald Trump Jr, 57-vjeçari Grenell është tashmë “i preferuari” për postin e sekretarit amerikan të Shtetit. Sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Bolton, Grenell ka të ngjarë vërtet të marrë një post të lartë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë