MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Radiografia e dashurisë platonike të Berisha-Meta për modelin Albin Kurti

09.08.2024 - 20:57

Sot në opinionin politik dhe publik të Tiranës, jo të gjithë që duan Albin Kurtin janë me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Por të gjithë që duan apo mbështesin publikisht Sali Berishën dhe Ilir Metën, duan Albin Kurtin.

Ky është një fenomen që nuk ka shumë lidhje organike në territor dhe ideologji, por më shumë një sforcim si pasojë e kapsllëkut të madh ideor, e mni të gjitha politik njerëzor i kosmosit të opozitës shqiptare.

Sot Shqipëria politike është një eden për çdo komunitet opozitar europian. Kemi një qeveri që drejton vendin në fund të mandatit të tretë, e ku mbi të gjitha ka pasur një rekord problemesh të mëdha të moralit të eksponentëve të shumtë të mazhorancës ndër vite.

Një mjedis pjellor për të lindur, ngritur, zhvilluar, elaboruar, por edhe ndërtuar, një opozitë nga më të mirat që mund të ketë parë vendi.

Një korpus të freskët ekspertësh, një risjellje të mendjeve të mënjanuara në të shkuarën, një deal i ri, një marrëveshje bashkimi i të gjithë komponentëve që sot janë në opozitë me Partinë Socialiste të Edi Ramës.

Por mbi të gjitha një laborator politik ku gëlonin talentet e reja të politikës, që vinin nga katedrat e universiteteve apo vendeve të tjera ku mbruhen politikanët, siç janë natyrisht banka, biznese, apo edhe organizma të shoqërisë civile, që do të nxirrnin në brek një skuadër që i mbijeton trajnimit të egër opozitar në shqotë, stuhi, e ku nuk të bën fajde as rrjeti social e as interneti, por mendja, duart, e shpirti.

Por siç dihet, e siç është thënë pa fund këto vite, nuk e lanë që të mbillet një opozitë e re, pasi toka është e xanun nga dinosaurët që e godasin tokën pa fund, duke ngritur pluhur e zhurmë. E në këtë zhurmë aq shurdhuese, janë edhe zërat e opinionbërësve që i kanë mbrojtur dinosaurët, me teorinë që më mirë tre dinosaurë, sesa një bing-bang që të sjellë një botë e re në këtë vend, ku të trondisë nga themelet botën e vjetër. Kjo natyrisht është ezauruar, e tashmë jemi në faktin që në tokën e xanun janë po ato gjallesa të mëdha që kanë markuar territorin e nuk lejojnë asnjë të afrohet. Kush del si i ri, duhet të jetë produkt i tyre, por që asnjëherë nuk arrin të bëhet një kandidat për tu shndërruar në një krijesë postakullnajore.

Të vetëdijshëm që nuk ja dalin të rrëzojnë Edi Ramën, edhe pse përdorën metoda ekstreme, Sali Berisha dhe Ilir Meta, i hodhën sytë nga Albin Kurti. Nëse i rikthehemi me kujdes zhvillimeve, që nga viti 2019, pra kur u dogjën mandatet, kur ndodhën protestat studentore, kur u dogj kryeministria në protesta që transmetoheshin nga televizioni rus RT, pati një përplasje të madhe nga Tirana në Prishtinë për tema që as sot nuk arrin dot të kuptojë se pse. Megjithatë, pati një aleancë, e cila në vitin 2021, u bë mjaft e qartë, edhe pse jo shumë e afërt teknikisht.

Aleanca ndërmjet Berisha-Meta dhe Albin Kurtit. Një aleancë, e cila dukej qartë se kishte dyshime dhe probleme, siç kanë çdo marrëdhënie politike apo elektorale, por që kishte një rezultante. Që ishte e qartë: të tre donin dhe duan ta rrëzojnë Edi Ramën. Natyrisht për arsye të ndryshme. Por ajo që u vu re, madje që përpara ngjizjes jo aq ngjizëse të aleancës ishte një dashuri platonike e dyshes komanduese të opozitës shqiptare për modelin Albin Kurti.

I cili arriti të bëhej mazhorancë parlamentare në Kosovë, madje mazhorancë absolute, pa qenë realisht një organizatë politike që ka një shtrirje dhe fuqi politike në shumicën e popullsisë së Kosovës. Albin Kurti arriti të bëhej mazhorancë, duke arritur të bëjë bashkë të gjitha grupet ”minoritare” dhe të margjinuara ndër vite.

Vetëvendosja e Albin Kurtit nuk është një shumicë absolute në territorin e Kosovës, madje baza ideologjike e majtë e saj, është minorancë. Prej vitesh Kurti nisi një ngjizje me disa grupe të margjinuara, ku më i rëndësishmi është ai i islamit politik që përfaqësohet nga një grup klerikësh që në Kosovë janë kthyer në yje reality show apo analista që flasin për gjithçka. Jo vetëm në ligjëratat nga xhamitë që publikohen si video virale, por edhe në panele televizive, eksponentë si Shefqet Krasniqi apo të tjerë, u përkrahën fort nga Albin Kurti, duke u nxjerrë në pah si substrakt kulturor i lëvizjes së tij. E këtë Albin Kurti e bëri duke larguar ato element që ishin themelues të Vetëvendosjes por kundërshtare ideologjike të pjesmarrjes së këtyre grupimeve në Vetvendosje. Alma Lama, gazetarja që u bë deputete e më pas diplomate në Vatikan, ishte viktima e parë e paktit të Kurtit me Islamin politik.

Kjo aleancë nuk ishte e vetmja e Kurtit, pasi pati edhe ngjizje me grupime të tjera si të ashtuquajturët nostalgjikë të Jugosllavisë, por edhe ish-marksisto leninistët e Kosovës të zhgënjyer me Hashim Thaçin dhe liderët e pas luftës. Të gjithë këto grupe kishin një emërues të përbashkët; inatin dhe urrejtjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin. Natyrisht për arsye të ndryshme, por edhe Albin Kurti e ka nisur karrierën si një kundërshtar i Perëndimit që në Rambuje e deri në paktin Ahtisari. Këtu Sali Berisha puqej në çdo pikë me Albin Kurtin, e ndaj ka sens koncepti i tij për ta ngritur një model albinian në Shqipëri. Ku gjithashtu ka grupime ideologjike ekstreme si majtistët apo edhe përfaqësues të islamit politik, madje edhe nstalgjik të vjetër e të rinj të Rusisë, si derivat i nostalgjisë prosovjetike.

Dhe në realitet pati mjaft përpjekje edhe në Tiranë për të ngjizur një terren të tillë, ku si emërues të përbashkët të kishte antiamerikanizmin. Nisi që në 2016-n kur u miratua reforma në drejtësi, ku u farkëtua një kryqëzatë virtuale, e praktikuar përgjithësisht prej ish-operativëve të SHIK-ut të Bashkim Gazidedes. Të cilët për ironi të fatit edhe nga SHBA ku janë qytetarë me të drejta të barabarta sulmonin ambasadën amerikane në Tiranë në faqet e saj zyrtare në rrjetet sociale.

E thënë të vërtetën, ky det virtual antiamerikan e antiperëndimor për 8 vite ka qenë kaq i madh në rrjet, sa ka lodhur edhe vetë njerëzit që kanë marrë pjesë. Pasi u pa e qartë se nuk është një komunitet, por një lob që tenton të ndezë një komunitet. Ndoshta po të gjente një Albin Kurt, edhe në Shqipëri mund të bashkoheshin të gjithë këto grupe ekstreme e të kundërt me nëjri-tjetrin që qëllim të përbashkët kanë që të bëhen faktor. E pikërisht këtu është çështja, te lidershipi, Berisha e Meta, nuk mund ta përfaqësonin modelin Albin Kurt, për shumë arsye, por në radhë të parë se vetë përfaqësojnë një histori krejt të ndryshme. Ka shumë gjasa që Kurti të ketë kopjuar modelin Berisha sidomos në populizmin dhe demagogjinë në komunikimin publik. Plus që ka edhe një favor më të madh; ka bërë burg, ndryshe nga aleatët e tij. E faktori B është jetik për lidership. Mbase ka kohë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN