Tensioni rritet vazhdimisht në Lindjen e Mesme. Izraeli pret një sulm në shkallë të plotë nga Irani dhe Hezbollahu përpara samitit të së enjtes së ardhshme të thirrur nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari për të arritur një armëpushim në Gaza. Sipas Haaretz, autoritetet e sigurisë janë në gatishmëri të lartë për një sulm të mundshëm nga Irani apo Hezbollahu, pasi në Izrael vlerësohet se, pavarësisht përpjekjeve amerikane për një samit që synon vazhdimin e negociatave për një marrëveshje të enjten, përgjigja e Teheranit mund të vijë më shpejt. Aparati i sigurisë beson se Irani dhe Hezbollahu nuk duan një luftë më të gjerë në rajon dhe Izraeli ka thënë se nuk do të tolerojë dëme ndaj civilëve, por ka shumë debate brenda aparatit për skenarë të ndryshëm dhe implikimet e tyre, shkruan sërish Haaretz .
Sipas zëdhënësit të IDF, Daniel Hagari, nuk ka ndryshime në udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm dhe “forcat e ushtrisë janë të shpërndara dhe të përgatitura, nëse lind nevoja për të ndryshuar udhëzimet, ne do t’i përditësojmë ato”.Lajmi konfirmohet nga një pakujdesi e publikuar nga një gazetar i Axios, sipas të cilit gjatë një bisede telefonike mes ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, vetë Gallant informoi homologun e tij amerikan se përgatitjet ushtarake të Iranit sugjerojnë që Teherani po përgatitet për një sulm në shkallë të gjerë kundër Izraelit. Austin, njofton Pentagoni, ka urdhëruar vendosjen e një nëndetëse me raketa të drejtuara në Lindjen e Mesme, mes tensioneve në rritje, dhe ka urdhëruar gjithashtu grupin sulmues të aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln që të përshpejtojë vendosjen e saj në rajon.