MENU
klinika

Pse po përshkallëzohen tensionet

Shpërthimi në centralin bërthamor më të madh të Evropës, Rusia e Ukraina akuza

19.08.2024 - 08:44

Shpërthimi në centralin bërthamor më të madh të Evropës, Rusia e Ukraina “hidh e prit” akuza, ja pse po përshkallëzohen tensionet
Siguria po përkeqësohet në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia pas një sulmi me dron në rrugën hyrëse të shtunën, tha Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Ekipi rus që menaxhon termocentralin bërthamor tha se një dron ukrainas hodhi eksploziv në rrugën hyrëse të përdorur nga stafi.

Rusia ka kontrolluar termocentralin më të madh bërthamor në Evropë pothuajse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Termocentrali është ende në funksion, ndërsa Moska dhe Kievi vazhdimisht akuzojnë njëri-tjetrin për sabotim të punës së tij dhe rrezikim të sigurisë në zonën e termocentralit. “Ne po shohim përsëri përshkallëzimin e sigurisë bërthamore dhe rrezikun për sigurinë e termocentralit bërthamor”, tha Grossi.

“Unë mbetem jashtëzakonisht i shqetësuar dhe përsëris thirrjen time për përmbajtje maksimale nga të dyja palët dhe për respektim të rreptë të pesë parimeve konkrete të vendosura për të mbrojtur termocentralin,” shtoi ai. Një ekip i IAEA vizitoi zonën të shtunën dhe raportoi se dëmi dukej se ishte shkaktuar nga një dron i pajisur me një ngarkesë shpërthyese. Në raport thuhet se s’ka pasur viktima apo dëmtime në pajisjet e centralit bërthamor. Megjithatë, dëmtime janë shënuar në rrugën ndërmjet dy hyrjeve kryesore të termocentralit.

Moska dëshiron të diskutojë sulmin në Zaporizhzhia me IAEA, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA duke cituar Roman Ustinov, i cili është i dërguari rus në Vjenë. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Ukraina po përgatit një sulm ndaj termocentralit bërthamor të Kurskut dhe për të sulmuar Rusinë me një ‘bombë të pistë’.