Leonard Çakmashi, trajneri i ekipit kombëtar të mundjes, ka rrëfyer ekskluzivisht për emocionet e medaljeve në Lojërat Olimpike, ndjesi të cilat i quan të papërshkrueshme.
Çakmashi, tregon sekretet e kampionëve rusë të natyralizuar, të cilët po shkruajnë historinë e sportit shqiptar. Por trajneri gjithashtu ka një peng për ndeshjen çerekfinale të Valievit, për të cilën thotë hapur se sportistit tonë iu vodh fitorja dhe medalja e arit.
Çakmashi, cilat ishin emocionet që përjetuat në Paris, ku për herë të parë Shqipëria fitoi medalje olimpike?
Në fakt, më parë kisha përjetuar emocionet e titullit kampion bote me Zelimkhan Abakarovin dhe mendoja që ai do të ishte emocioni më i fortë, por kur arritëm edhe medaljet olimpike është një ndjesi që nuk përshkruhet dot. Të dy djemtë na e bënë zemrën mal.
Cila ishte ndeshja që do të veçonit nga eksperienca e mundësve të Shqipërisë Olimpiadë?
Ndeshja më e bukur dhe ajo më decizivja ishte ajo e Chermen Valievit me kundërshtarin nga Uzbekistani në çerekfinale. Nuk e kishim menduar kurrë që në Lojërat Olimpike mund të hanin hakun, po kjo ndodhi në Paris. Valiev duhej ishte medalist i artë për peshën 74 kg, por na i hëngrën pikët hapur fare. Ishte një duel ku Chermeni e zotëroi kundërshtarin, por na u bë një padrejtësi e madhe nga arbitrat. /panorama