Duke marrë shkas nga informacionet e këtyre javëve, por sigurisht edhe nga praktika në farmaceutikë dhe pyetjet e shpeshta të pacientëve mbi këtë sëmundje, u nisa të shkruaj menjëherë për virusin e etheve të Nilit Perëndimor.
Pas 13 vitesh, rikthehet në vendin tonë sërish ky virus, i cili për disa paciente mund të rezultojë edhe fatal në kushte të caktuara. Nuk duhet absolutisht të përhapet panik, por duhet të tregohet kujdes i veçantë për ata pacientë, të cilët mund të rezultojnë më vulnerabël ndaj këtij virusi.
Fakte kryesore:
1. Afërsisht 80% e njerëzve që preken nga virusi i Nilit Perëndimor, nuk paraqesin asnjë simptomë të dukshme, ose paraqesin simptoma shumë të lehta.
2. 20% paraqesin ethe, parehati të përgjithshme, lodhje dhe dhimbje.
3. Vetëm 1% e personave shfaqin simptoma të rënda (ose sëmundja mund të shpjerë në meningit/encefalit) dhe këtu hyjnë personat me sëmundje bashkëshoqëruese, kategoria e të moshuarve e gjithashtu personat me imunitet shumë të ulët.
4. Virusi i Nilit Perëndimor mund të shkaktojë sëmundje fatale neurologjike tek njerëzit.
5. Ky virus transmetohet tek njerëzit nga pickimi i mushkonjave.
6. Zogjtë janë bartës natyralë të virusit të Nilit.
7. Mushkonjat e transmetojnë këtë virus tek njerëzit, pasi ushqehen me gjakun e zogjve të infektuar.
8. Virusi në fakt hyn në gjendrat e pështymës së mushkonjave dhe nga aty, transemtohet tek njerëzit pas pickimit.
9. Ky virus nuk është i transmetueshëm nga njëri person tek tjetri.
10. Nili Perëndimor mund të rezultoje fatal edhe tek disa kafshë, si p.sh te kuajt, tek të cilët mund të shkaktojë edhe encefalit.
Sëmundja e Etheve të Nilit mund të variojë nga 1-15 ditë në format e rënda dhe në ato më të lehta 3-6 ditë.
Cilat janë disa prej simptomave më të shpeshta të kësaj sëmundjeje virale?
1. Temperaturë e moderuar fillimisht (e cila më tej mund të rritet dhe të qëndrojë konstante).
2. Lodhje fizike e përgjithshme.
3. Dhimbje shpine, muskujsh, koke dhe sysh.
4. Nyje limfatike të zmadhuara.
5. Pucra.
6. Kollë e lehtë.
7. Diarre persistente.
8. Nauze ose të vjella.
9. Humbje e oreksit.
10. Gjendje parehatie dhe vështirësi në frymëmarrje.
Si mund të parandalohet përhapja e kësaj sëmundjeje?
1. Mjeti më efikas është dezinsektimi i zonave të mëdha, ku ndodhen insektet që e përhapin këtë virus.
2. Ndërgjegjësimi i gjithësecilit për përdorimin e pajisjeve, locioneve ose spray kundër mushkonjave, në mënyrë që të evitohet një pickim i mundshëm prej këtyre të fundit.
3. Të evitohet nga të gjithë, ato zona ku gjenden kafshë të ngordhura, pellgje me ujë të ndenjur, të cilat tërheqin mushkonjat.
4. Të evitohet mbajtja e mbeturinave në ambientet e shtëpisë, oborreve apo vendet e punës, etj, pasi këto mbeturina sërish do të tërhiqnin mushkonjat.
5. Rekomandohet të përdoren rroba të lehta, me mëngë të gjata, sidomos nga personat vulnerabël, në mënyrë që të shmanget pickimi nga mushkonjat.
6. Të mbahet pastër ambienti i punës dhe i shtëpisë.
Personat e infektuar dhe që e kanë kaluar sëmundjen e Etheve të Nilit Perëndimor, fitojnë imunitet të plotë për këtë sëmundje në të ardhmen.
Aktualisht nuk ekziston një vaksinë, e cila do të mund të parandalonte sëmundjen e Etheve të Nilit Perëndimor.
Trajtimet janë specifike me medikamente, të cilat ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.
Kjo sëmundje u diagnostikua për herë të parë tek një grua në vitin 1937, që shfaqte një temperaturë shumë të lartë persistente dhe emri i sëmundjes vjen nga dega e Nilit Perëndimor që kalon në Ugandë. /Nga Farmaciste : Denada Nako