MENU
klinika

“Tereza e Bekuar e Kalkutës”

27 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës

05.09.2024 - 12:50

Sot janë bërë 27 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur në Shkup më 26 gusht 1910. Ajo është e njohur zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës (dhe e nderuar në kishën katolike si Shën Tereza e Kalkutës), ishte një murgeshë dhe misionare me prejardhje shqiptare.

U lind në Shkup, asokohe qendra e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.

Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njiheshin dy mrekulli.

Dy mrekulli të njohura botërisht i hapën rrugën shenjtërimit të Shën Nënë Terezës:

Dëshmia e parë ishte ajo e Monika Besra nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak. Kjo ngjarje kishte ndodhur një vit pas vdekjes së saj në vitin 1998. Ajo rrëfeu se ishte udhëzuar nga shoqërueset e saj në një kishë ku iu tha që të lutej para fotos së Nënë Terezës. Ato i kishin dhënë një medaljon të Nënës Terezës të cilin e vendosën mbi stomakun e saj. Kur u zgjua Besra tha se dhembja e sëmundja ishte zhdukur. Kjo mrekulli u njoh në vitin 2003 Papa Gjon Pali i Dytë.

Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.

Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chawla dhe u botua në 1992.

Ajo vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN