MENU
klinika

Shteti mbulon gjysmën e financimit të nevojshëm

Çelet skema kombëtare e investimeve për fermerët

06.09.2024 - 17:01

Për sezonin e dytë të të mbjellave bujqit do të kenë ca para të tjera në dispozicion. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmon për A2 CNN se do të çelë muajin tjetër Skemën Kombëtare të Investimeve për fermerët. Ndryshe nga ajo skema tradicionale në Bujqësi dhe Blegtori, fondi prej rreth 200 milionë lekësh do të shpërndahet për ndërtimin e serave të mbrojtura nga breshëri, por pas nuk do mbeten as investimet edhe për blegtorinë.

“Faktikisht ne e diskutuam edhe para 4 muajsh që Skema Kombëtare Bujqësisë dhe Blegtorisë ishte e pamjaftueshme. Ndaj do të ishte optimale që të vijohej me të njëjtën skemë mbështetëse si ajo e para. Kjo me qëllim vijimin e aktivitetit bujqësor”, thotë për A2 CNN Esmeralda Ballesha, eksperte e sektorit bujqësor.

Me programin IPARD të Bashkimit Europian, të pezulluar, fermerëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në sektorin bujqësor do iu vihet në ndihmë me një fond gjysmën e vlerës së financimit.

“Sigurisht ka nevoja të jashtëzakonshme dhe në investim. Si në përpunim, paketim pa transport. Ideja është në mungesë të fondeve IPARD apo fondeve alternative, fermerët shqiptarë janë në një ngushticë të madhe në drejtim të financimit”, thotë Ballesha për A2 CNN.

Gjithsesi shkalla e lartë e informalitetit dhe problemet e tjera në sektor bëjnë që ekspertët ta shohin me skepticizëm përthithjen e parave në garancinë sovrane. “Do të mund të marrin vetëm një numër i kufizuar fermerësh dhe ajo nuk do të mund të zgjidhë hallet e vërteta të sektorit”, thotë Ballesha.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit skema Kombëtarë në Bujqësi dhe Blegtori regjistroi një numër total prej 71.537 aplikimesh. Fondi në dispozicion rezultoi i mjaftueshëm vetëm për 72 për qind të fermerëve në total. Pjesa tjetër pritet të përfitojë nga Skema Kombëtare të Investimeve, që veç bujqësisë dhe blegtorisë përfshin edhe peshkimin.