MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë kuptojmë me atak kardiak, arrest kardiak dhe sulm në zemër?

20.09.2024 - 09:40

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Çfarë kuptojmë me atak kardiak, arrest kardiak dhe sulm në zemër?

Mjeku: Arresti kardiak është ndalimi i funksionit të zemrës (enët koronare që ushqejnë zemrën me gjak mund të kenë bllokim ose spazmë të fuqishme shoqëruar me dhimbje të forta gjoksi) që ka nevojë për masazh kardiak, respiracion të drejtuar dhe goditje elektrike që pacienti të ringjallet përsëri. Pra, kemi të bëjmë me ndalim të funksionit të zemrës.

Sulm në zemër dhe atak kardiak janë sinonime të njëra-tjetrës. Mund të themi sulm në zemër, mund të themi atak kardiak ose sindrom koronar akut. Të gjitha këta na tregojnë që zemra është e rrezikuar për infarkt ose është duke zhvilluar një infarkt miokardi. Këtu përfshihet ose jo edhe infarkti, pasi jo çdo pacient që ka një atak kardiak bën indarkt.

Ishemia kardiake është vuajtja e qelizave të muskulit të zemrës për mungesën dhe furnizimin e tyre me oksigjen. Ishemia kardiake ndodh atëherë kur pllaka apo materiali yndyror zvogëlon pjesën e brendshme të arteries deri në atë pikë kur ajo nuk mund të plotësojë nevojat e zemrës për gjak.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.