MENU
klinika

Miniera e litiumit “përndjek” Vuçiçin!

Çfarë pritet në Beograd nga 1 tetori

30.09.2024 - 18:40

Pas një fundjave me spekulime dhe akuza të ndërsjella të qeverisë dhe opozitës për pengim, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, mund të thuhet nën presionin e publikut, caktoi një seancë të re të jashtëzakonshme për litiumin. Seanca duhet të fillojë disa orë para fillimit të seancës së rregullt vjeshtore, ndonëse qeveria në fund të javës së kaluar pretendoi se nuk mund të mbajë seancë të jashtëzakonshme gjatë seancës së rregullt që fillon më 1 tetor. Ata akuzuan edhe opozitën se po pengon caktimin e seancës me diskutime të pafundme për ndryshimet në ribalancimin e buxhetit. Gjatë fundjavës as opozita nuk ka ndenjur duarkryq, por ka vulosur njoftime dhe deklarata duke pretenduar se SNS po bën gjithçka që seanca të mos zhvillohet, vëren media serbe “Danas”.

Caktimi i seancës

Nuk është plotësisht e qartë se pse shumica qeverisëse priti momentin e fundit për të caktuar një diskutim për një çështje që intereson gjithë Serbinë. Përshtypja është se dikush i ka sugjeruar kryetares së Kuvendit që seanca për ndalimin e kërkimit dhe shfrytëzimit të litiumit duhet të mbahet. Opozita e ka paraqitur kërkesën më 10 shtator, çka do të thotë se seanca, nëse do të kishte vullnet, mund të ishte caktuar brenda pak ditësh. Në vend që të vinte në rend dite propozimin e opozitës për Rio Tinto dhe litium, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, caktoi seancën për ribalancimin e buxhetit për 23 shtator, edhe pse nuk kishte asnjë arsye për miratimin urgjent të këtij ligji. Duke qenë se qeveria ka një shumicë komode në Kuvendin e Serbisë dhe se nëse nuk dëshiron, propozimet e opozitës nuk do të marrin kurrë shumicë, pyetja është pse ata deri më tani kanë rezistuar ndaj caktimit të një seance për litiumin. Jo sepse kanë frikë nga diskutimi, apo çfarë do të thotë opozita atje, sepse mund ta ndryshojnë shumë lehtë përmes mediave të tyre propagandistike. Para së gjithash, sepse refuzimi i ligjit për ndalimin e minierave të litiumit mund të ndikojë në vlerësimin e tyre. Sepse edhe në mesin e mbështetësve të tyre, ka nga ata që janë kundër minierave të litiumit dhe ardhjes së Rio Tintos, shton më tej “Danas”.

Tre mundësitë e opozitës

Dhe sipas rregullores, opozita mund të kërkojë diskutim për litiumin në seancën e rregullt, por sipas procedurës tjetër. Për të rinovuar kërkesën për thirrjen e seancës në rrethanat e reja, është dashur vetëm nënshkrimi i një deputeti dhe nuk ka qenë e nevojshme mbështetja e të 86 deputetëve të opozitës. Një mundësi tjetër që kishte në dispozicion opozita ishte që të kërkonte ndryshimin e rendit të ditës së seancës që do të caktohet në seancën e rregullt. Por ka një por, pra a do të lërë kryetarja e Kuvendit një afat prej 7 ditësh nga dita e thirrjes së seancës, në mënyrë që opozita, në përputhje me Rregulloren dhe nenin 92, të paraqesë një amendament për rendin e ditës. Mundësia e tretë e përmendur këto ditë nga opozita është rruga. Nëse qeveria kishte frikë nga rruga, apo rënia e vlerësimit, ata caktuan diskutimin për litiumin vetëm në minutën e fundit.

“Fundi” i Vuçiçit

Kryetari i Partisë së Re Demokratike (DSS), Millosh Jovanoviç tha se “regjimi i Vuçiçit është në këmbë xhami”. “Besoj se do të shfaqet në një tjetër problem të mprehtë politik, që është lufta kundër minierave dhe shfrytëzimit të litiumit dhe borit në vendin tonë. Populli serb dhe opozita serbe nuk do t’i lejojë ata të ndotin vendin tonë për të shpëtuar industrinë gjermane të automobilave”, theksoi Jovanoviç. Ndërsa gazetari dhe filozofi, specialist i vlerësimeve politike, Gjorgj Vukadinoviç thotë se jemi dëshmitarë të një fushate brutale në mediat pro regjimit, e cila po punon shumë, natyrisht me urdhër të dikujt, për të “larë” kompaninë Rio Tinto dhe për të ngritur vlerësimin e saj në publikun serb. Megjithatë, sipas tij, alternativa tjetër është që Vuçiç të “fundoset” bashkë me projektin. Sesa do të realizohet, do të shihet nga tetori.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vuçiç akuzon Daçiç për ‘tradhti’

Miniera e litiumit “përçan” qeverinë serbe

Pritjet nga zgjedhjet në Serbi

A mund të jetë Vuçiç prapë fitues?