Si pjesë e një rrëkeje gurësh që vjen nga lart duke tërhequr e shtyrë njeri tjetrin, ndërsa derdhet në një rrugë automobilistike, mbrriti shprehja publike e kryetarit të gjykatës kushtetuese maqedonase. Ligji për gjuhët ka krijuar kaos dhe këtij kaosi i duhet dhënë fund, tha ai, në linjë me shumë qendrime apo akte të shumicës politike apo shoqërisë maqedonase të kohëve të fundit, që ngjajnë si revansh ndaj shqiptarëve. Duke parathënë pezullim të pjesshëm apo shfuqizim të plotë të një ligji që kur u miratua- u quajt sukses i madh kombëtar në 2018.
Pse po ndodhin tani këto qendrime a akte të ngjashëm me rrëkenë e gurëve që nuk dihet kur do ndalet? Gjasa më e madhe është se ato janë pjesë e një skenari restaurues, prapakthyes me regji unike- nga një qendër hibride pushteti ekonomiko-politike. Aktorë rajonalë apo të largët fërkojnë duart nga rritja e konfliktualitetit ndëretnik. Edhe sikur kryeministri Mickovski të mos jetë pjesë e këtyre akteve si ideator, apo në ndonjë rol, ai është përfituesi kryesor i tyre brenda Maqedonisë: me gjasë partia e tij është duke i rritur kuotat e veta elektorale mbi shifrat që dëfteu në zgjedhje. Kjo rritje shërben për të amortizuar koncesionet eventuale për ndryshimet kushtetuese. Kahja e këtyre akteve është e njëjtë- tkurrje në rritje e statusit legal të shqiptarëve pas 5 vitesh mbajtjeje në sirtar të padisë së Levicës; partitë maqedonase kanë të njëjtin qendrim, edhe kur heshtin; partitë shqiptare luftojnë duke treguar me gisht si fajtore njera tjetrën. Shqipëria zyrtarisht (në komunikimin publik) nuk thotë asgjë. Batalione dixhitale kombëtare reagojnë duke u viktimizuar, ose duke kërcënuar, por nuk ka ende akt politik e ligjor reagues. Edhe sa do vazhdojë kështu?
Pse përfshirja e Kushtetueses, hap skenar të vështirë?
Reagimi i fundit maqedonas, megjithatë është më i rëndi. Për disa arsye. Së pari se shfuqizimi i ligjit lidhet me të drejtën e përdorimit të gjuhëve në hapësirën publike, e drejtë themelore kushtetuese për të cilën u luftua derisa u sanksionua në Marrëveshjen e Ohrit e me ligj të veçantë. Ndërkohë Kryetari i Gjykatës kushtetuese që flet me akte legale dhe jo me intervista, e parapriu çfarë lloj vendimi pritet të merret. Ndonëse shkelje e rëndë e statusit të tij të lartë si gjyqtar kushtetues, qëndrimi i Darko Kostadinovskit megjithatë mbështetet në mendimin e paanshëm të Komisionit të Venecias. Ky mendim praktikisht e deklason ligjin në shumë elementë: inkoherent; i parealizueshëm; preferencial,i ngarkuar, etj. Dhe si pohojnë edhe zëra të arsyeshëm shqiptarë- ndonëse jopublikisht- vërejtjet e Venecias kanë njëfarë themeltësie. Ligji që nuk është realizuar në plotësinë e vet asnjëherë, u miratua në një kohë fuqie bukur të madhe të shqiptarëve në parlament dhe i dha atyre hapësira të mëdha të përdorimit të gjuhës që ngjajnë diskriminuese pozitivisht. Për të gjitha këto arsye, por dhe parimisht perëndimorët nuk mund të reagojnë kundër kryetarit të Gjykatës dhe as ndaj Komisionit të Venecias.
Çfarë duhet bërë?
Hapësira e veprimit bllokues është thuajse zero. Gjyqtarët shqiptarë (propozuar nga BDI) janë pak për ta bërë këtë. Protestat nuk është e thënë se mund të bllokojnë, përveç se do nxisin edhe më shumë ndarjen etnike që është shumë e thellë. Ka skenarë pezullimi të pjesshëm, të përkohshëm, apo shfuqizimi tërësor të ligjit-skenari më i keq, që shkon kundër një parimi kushtetues: të drejtat e fituara nuk mund të kufizohen, apo aq më keq të anulohen. Këtë duhet ta thotë avokati i palës shqiptare nëse supozohet se Gjykata do të bëjë debat gjyqësor. Mirpo shkeljen eventuale të kushtetutës do ta bëjë organi më i lartë mbikqyrës i saj, dhe atë nuk ka kush ta korrigjojë.
Në një skenar të tillë, ka vetëm një rrugëzgjidhje optimale. Praktikisht ngjan e pamundur, por e vetmja zgjidhje kushtetuese. Ajo mund të imponohet dhe miratohet me fuqinë e shqiptarëve, të bashkuar pavarësisht llogores ku gjinden. Të miratohet njëherë e mirë dhe urgjentisht një ligj i ri i plotë, sipas modelit më të mirë- pse jo nga Zvicra, realitet i konsoliduar nga vijnë raporterët e paanshëm të Komisionit të Venecias. Miratimi kësisoj është imponim i parimit të Badinterit: ligjet që prekin pakicën etnike, (term që kontestohet sepse shqiptarët nuk duan të konsiderohen pakicë), duhet të miratohen me shumicën e deputetëve të kësaj pakice, pavarësisht krahëve që i përkasin. Ky parim është i vetmi parim që është kushtetëzuar, pra si pjesë e kushtetutës. I ashtuquajturi parim tjetër: partia apo koalicioni më i madh i një etnie bën qeverinë me partinë apo koalicionin më të madh– ishte vetëm një zakon. Këtë zakon për hir të vërtetës e shkelën perëndimorët kur i kërkuan BDI të bënte koalicion me LSDM-në, në zgjedhjet e parafundit. Kështu që BDI-së pas kalimit në opozitë prej shfuqizimit të këtij zakoni, i takon me fuqi të rigjetur, e rishpikur strategjikisht dhe taktikisht, të bëjë thirrje për bashkim në miratimin e një ligji të ri e modern për gjuhët.
Situata ama nuk ngjan më e favorshmja. Një pakicë a faktor i ri po tenton të afirmohet kushtetutshmërisht, faktori bullgar. Ligji i kontestuar për gjuhët, kishte referenca për shqiptarët, por do kërkohet të mos i ketë, duke mbajtur parasysh çdo pakicë a faktor të krahasueshëm demografikisht me 20%, ndërsa bullgarët nuk kanë parti, por shtet që imponohet prapa logos së Bashkimit Europian. Ndërkohë miratimi i një ligji të tillë kërkon një klimë të relaksuar marrëdhëniesh ndëretnike: a është ajo sot, klimë e relaksuar?
Pikëpyetjet rreth arritjeve pas 2001 dhe rolit të Shqipërisë
SI në një rreth vicioz, gurët që bien nga shpati i malit e dëmtojnë këtë klimë, e dëmtojnë rrugën e trasuar të bashkëjetesës ndëretnike pas 2001-it, duke hapur skenarë të rinj e duke shtruar një pikëpyetje themelore. Çfarë u arrit që nga 2001 e këtej, a ishte e qëndrueshme dhe e pakthyeshme? Ok, nisi dhe u jetësua një proces i madh epokal për t’ i dhënë më shumë të drejta shqiptarëve. Por a u hodhën hapa për të krijuar pavarësisht etnisë, një vetëdije të përbashkët komunitare rreth shtetit a identitetit politik maqedonas, mbështetur mbi sportin ku militojnë bashkë sportistët e shquar; betejat e përbashkëta gjatë Rilindjeve kombëtare, festat shtetërore; bashkëjetesa në nivele të ndryshme të shkollimit, (ajo nuk ekziston thuajse fare) etj?
Bashkimi i shqiptarëve rreth një emëruesi minimal të përbashkët-ligj modern për gjuhët, është rruga që duhet ndjekur. Nëse brenda qendrës hibride ka përfaqësues nga të gjithë partitë maqedonase, pse partitë shqiptare nuk duhet të jenë bashkë për një ligj ku bashkimi imponohet dhe kushtetutshmërisht? Në favor të këtij bashkimi kombëtarisht duhet të investohet në mënyrë krijuese Shqipëria. Çdo tërheqje e vendit amë, duke lënë gjërat të rrjedhin kah fuqizimi i aksit proserb, apo pse ndërroi partia shqiptare në pushtet, sjell dobësimin kronik të faktorit shqiptar, garantit të aksit properëndimor, në një vend kaq të rëndësishëm sa Maqedonia. Kjo është totalisht vetëdëmtuese.