Irani ka mohuar raportet se ka furnizuar Rusinë me raketa balistike, duke thënë se nuk ofron mbështetje ushtarake për asnjërën palë në luftën Rusi-Ukrainë.
“Qasja themelore dhe e deklaruar e Republikës Islamike të Iranit ndaj konfliktit në Ukrainë mbetet e qëndrueshme dhe e pandryshuar,” është shprehur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanani sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA.
“Akuzat e përsëritura për dërgimin e raketave balistike në Rusi janë të nxitura nga qëllimet politike dhe motivet e disa vendeve perëndimore dhe janë krejtësisht të pabaza”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Bloomberg raportoi pak ditë më parë se Irani kishte dërguar raketa balistike në Rusi, duke sfiduar disa muaj paralajmërime nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë.
Teherani thuhet se e ka furnizuar Moskën me qindra dronë gjatë luftës 2.5-vjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, por transferimi i raketave sinjalizon përfshirjen më të thellë të Moskës në luftë.
Më herët, misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se Teherani e konsideron furnizimin me armë për palët në konflikt si çnjerëzore dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të mos e bëjnë këtë.