MENU
klinika

Misteret e emërimit dhe shkarkimit në janar ‘82

Fakti që s’e kemi ditur: Kadri Hazbiu 15 ditë kryeministër

06.09.2024 - 13:55

Nuk e ka ushtruar “de fakto” detyrën e kryeministrit, por “de jure” Kadri Hazbiu, ish ministri historik i ministrisë së Brendshme, ka qenë 15 ditë i emëruar në postin e kreut të ekzekutivit komunist. Rrethanat misterioze të emërimit dhe shkarkimit të tij, nuk janë bërë asnjëherë të ditura, ndërkohë që fakti i panjohur ka mbetur i dokumentuar në dosjet sekrete të Komitetit Qendror të Partisë…

I zgjedhuri i Enverit, pse na duhet Kadri Hazbiu Kryeministër

Kadri Hazbiu ka qenë zgjedhja e parë e Enver Hoxhës për të zëvendësuar Mehmet Shehun, ish-kryeministrin komunist të vetëvrarë në rrethana të dyshimta në dhjetor 1981. Ajo që nuk u mësua asnjëherë bëhet e ditur nga një dokument sekret i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror, më 2 janar 1982. Në prani të liderëve kryesorë, kreu i regjimit, duke folur për gjendjen e rëndë në Këshillin e Ministrave, zbulon për herë të parë emrin e kryeministrit të ri. “Kadri Hazbiu është kandidatura më e përshtatshme, është kuadër i vjetër, shok i luftës dhe nuk ka asnjë lidhje me frymën e Mehmet Shehut”, shprehet Hoxha. Njëherazi me emrin e ish-ministrit historik të Punëve të Brendshme, shefi i Partisë ka hedhur për diskutim edhe atë të Adil Çarçanit, ish-numrit dy të kabinetit Shehu. Në analizë e sipër, më pas ka argumentuar avantazhet e kandidaturës së Hazbiut me një lloj kujdesi për të mos lënduar tjetrin. “Pa dyshim që dhe Adili është i përshtatshëm, është shok i shtruar, por s’e rigjeneron dot qeverinë, pasi është ambientuar me stilin e Mehmetit, pavarësisht se nuk është arrogant”, ka shtuar Hoxha. Në dokumentin e zbardhur nga Haxhi Kroi, sekretari personal i Hoxhës, bëhet e ditur se Kadri Hazbiu jo vetëm është befasuar nga oferta e shefit të Partisë, por aty për aty, me atë modesti, ka vënë në dukje se do të ishte më mirë të qëndronte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ku ende ka probleme dhe kryeministër të caktohej një tjetër. Sidoqoftë, Hoxha që nuk ia ka vënë veshin shumë njeriut që ka zgjedhur për të zëvendësuar Shehun, e ka mbyllur takimin duke porositur të tjerët për të vënë në dijeni edhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike me emrin e kryeministrit të ri. Po çfarë përmban tjetër biseda sekrete e Hoxhës me liderët kryesorë të Partisë dhe cilat ishin arsyet që ndërroi mëndje për zëvendësimin e Hazbiut me Adil Çarçanin…

Shënime nga biseda e Enverit me liderë kryesorë

2 janar 1982

Pas zbulimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, përpara nesh shtrohet detyra e rëndësishme e rigjenerimit të punës në aparatet shtetërore, duke filluar veçanërisht nga Këshilli i Ministrave. Në krye të qeverisë kishim një armik, prandaj atje dobësitë e të metat janë serioze. Mehmet Shehu kishte vendosur një metodë të gabuar, një stil personal që zëvendësonte udhëheqjen kolegjiale me urdhrat e tij. Ai, në mënyrë sistematike, me prepotencën e vet ka ushqyer frikën te njerëzit. Mehmet Shehu donte që njerëzit t’i kishte robotë që të zbatonin qorrazi urdhrat e tij. Fryma e gabuar e Mehmet Shehut, bazuar në urdhrat dhe vendimet e shpejtuara, është reflektuar në punën e qeverisë, në punën e zëvendëskryeministrave dhe të ministrave. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, kanë adaptuar këtë stil, kanë punuar siç kërkonte Mehmet Shehu. Ministrat ishin kthyer në raportues të thjeshtë dhe në zbatues të urdhrave e porosive që merrnin. Puna krijuese dhe iniciativa viheshin re shumë pak. Vendin e tyre e kishte zënë konformizmi ndaj urdhrit, ndaj asaj që thoshte Mehmeti ose Adili, i cili i transmetonte porositë e Mehmetit, frymën dhe tonin e tyre pa rezervë. Dhe shokët e tjerë bënin amin. Tani na bie detyra të gjithëve që ta rigjenerojmë këtë situatë. Është e domosdoshme që shokët e qeverisë, sidomos ata të Kryesisë, të reflektojnë thellë për të metat e dobësitë. Pa dyshim ato janë shkaktuar nga veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut, por edhe shokët zëvendëskryeministra kanë përgjegjësitë e tyre. Nuk do të ishte e drejtë që ata të lanin duart duke menduar se të gjitha të këqijat i takojnë vetëm Mehmet Shehut. Jo, përgjegjësi kanë edhe shokët e Kryesisë Adili, Pali, Manushi, Qiriako, si dhe ministrat e veçanërisht Petro Dode. Disa herë unë u kam kërkuar shokëve të Kryesisë, por edhe ministrave, për të më vënë në dijeni të problemeve që trajtojnë në sektorët e tyre. Me përjashtim të shokut Kadri, që ka ardhur vazhdimisht tek unë dhe te shokët e tjerë, sekretarë të KQ, shokët e tjerë rrallëherë janë parë në zyrat e KQ. Shokët e Kryesisë vinin në aparatin e KQ më shumë kur thirreshin nga ne. Në këto takime ka pasur shpesh këshilla e rekomandime që të hiqnin dorë nga cikërrimat e puna rutinë, që të korrigjonin të metat që vinin nga nxitimi dhe mungesa e studimit. Edhe në këto raste, përsëri asgjë nuk bëhej pa pyetur Mehmetin – shokët zëvendëskryeministra i raportonin çdo gjë atij. Përse shokët e Kryesisë nuk vinin tek unë? Sepse Mehmeti i mbante si në fre, i gënjente se për çdo gjë gjasme ai bisedonte me mua. Pra, në mënyrën si ishte organizuar puna atje, ku dominonte urdhri, të bëhet kjo e të mos bëhet ajo, shokët nuk e shihnin të nevojshme të vinin tek unë, sepse gjasme vinte Mehmeti. Në situatën që ekzistonte kur Mehmeti gjithnjë e më shumë po tregohej prepotent dhe arrogant, kur siç thonë shokët kishte filluar të bëhej i padurueshëm, shokët e Kryesisë dhe ata të qeverisë duhej të vinin medoemos tek unë. Këtë e kishin për detyrë. Mosardhja pasqyron një dobësi të theksuar tek ata. Duke e parë gjendjen kështu siç është, kush duhet të jetë në krye të qeverisë si kryeministër? A mund të jetë Adili? Po ta shohim çështjen nga ana e besimit politik, nuk ka dyshim, shoku Adil i ka të gjitha kushtet. Edhe si njohës i çështjeve të qeverisë, i problemeve ekonomike, është shok i përshtatshëm. Por a do të jetë në gjendje shoku Adil të udhëheqë procesin e rigjenerimit të punës në tërë aparatet shtetërore, të ndryshojë metodën dhe stilin e punës që është kultivuar për vite me radhë jo vetëm në aparatin e Kryeministrisë, por edhe në dikastere e në komitete ekzekutive? Unë mendoj që shoku Adil, duke punuar kaq vjet me radhë me atë stil e metodë që frymëzonte Mehmeti, do ta ketë të vështirë të bëjë kthesë menjëherë. Në një farë mënyre ai është impenjuar me atë stil pune, pavarësisht se nuk është as prepotent, as arrogant. Përkundrazi, është një shok i shtruar, që dëgjon të tjerët dhe mban marrëdhënie korrekte me shokët. Nga ana tjetër, si do ta priste Partia dhe populli emërimin e Adilit në postin e Kryeministrit? Pa dyshim ata kanë besim te Partia dhe do ta pranonin çdo vendim të saj, por të mos harrojmë se njerëzit mbi çdo gjë duan sigurinë që në udhëheqje çdo gjë të jetë e pastër, pa asnjë pikëpyetje. Në rastin konkret, në qoftë se emërojmë shokun Adil si kryeministër, a nuk do të ketë njerëz që do të thonë: Po shoku Adil ka apo nuk ka përgjegjësi për atë gjendje të padurueshme që ish krijuar nga Mehmet Shehu? Unë mendoj se pyetje të tilla, me zë të lartë ose në heshtje, do të kishte. Prandaj, mendoj se më e arsyeshme do të jetë që si kryeministër të vihet një shok tjetër, që t’i ketë kushtet për ta kryer mirë këtë detyrë të rëndësishme. Mendoj se kandidatura më e përshtatshme është ajo e shokut Kadri Hazbiu. Shoku Kadri nuk është i huaj për problemet shtetërore, politike, ekonomike, kulturale e të mbrojtjes. Ai është një kuadër i vjetër në Parti dhe shok i luftës. Populli dhe Partia e dinë që ai nuk ka asnjë lidhje me frymën dhe metodën e Mehmet Shehut. Kadriu është energjik, është kundër arrogancës e prepotencës, i respekton dhe dëgjon shokët, u përmbahet me korrektësi normave të Partisë, parimit të kolegjialitetit. Caktimi i Kadriut si kryeministër do të pritet mirë si brenda, edhe jashtë. Brenda, siç thashë, populli dhe Partia do kënaqen se në krye të qeverisë vjen një shok që njihet si i aftë për të bërë ndryshimet që nevojiten. Kurse jashtë do të konstatojnë që po forcohen pozitat e Partisë, sepse Kadriu njihet si ish-ministër i Brendshëm dhe tash si ministër i Mbrojtjes. Pra, nga të dyja aspektet më mirë bëhet që të caktohet Kadriu si kryeministër. Rëndësi ka që qeveria të ngrihet në nivelin që të kryejë funksionin e saj dhe jo të zëvendësohet nga kryesia. Që të realizohet kjo kthesë, është e domosdoshme të shihet me sy kritik puna e deritanishme. T’i bëjmë procesin punës së Mehmetit, veprimtarisë së tij të mbrapshtë, metodës së tij të huaj. Por është e domosdoshme të bëjmë edhe analizën e punës sonë. Veçanërisht të punës së shokëve të kryesisë dhe të qeverisë. Për të forcuar si duhet punën në qeveri, është e domosdoshme të bëjmë edhe ndonjë ndryshim në ekipin qeveritar. Mendoj se është nevoja të forcojmë punën në Ministrinë e Brendshme. Shoku Feçor nuk është në gjendje t’u përgjigjet kërkesave të këtij dikasteri të rëndësishëm. Prandaj atje si ministër duhet të dërgojmë shokun Hekuran Isai, që është një shok i mirë, punëtor, që i ndjek problemet, që është në gjendje të nxjerrë konkluzione e të bëjë përgjithësime të nevojshme. Hekurani duhet të ketë parasysh që në organet e brendshme të luftohet familjariteti e shoqëria e sëmurë, që janë të dëmshme kudo, por tepër të rrezikshme në punën e Sigurimit.

Metamorfoza e Kadri Hazbiut: Nga maja e piramidës, para togës së pushkatimit

Në harkun e një viti, Kadri Hazbiu është ngjitur në majën e piramidës shtetërore dhe ka përfunduar para skuadrës së pushkatimit. Historia misterioze starton më 24 dhjetor 1981, me daljen e parë publike të Enver Hoxhës, pas tragjedisë së Mehmet Shehut, ku u shfaq i shoqëruar nga Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu, dy anëtarë të Byrosë Politike që kishin goditur më fort Shehun në mbledhjen e fundit të saj. Me këtë gjest të sforcuar, kreu i regjimit vinte në vëmendje dy njerëzit më të rëndësishëm të lidershipit të Partisë, me të cilët do të kapërcente, ndër të tjera, tërmetin e shkaktuar nga vetëvrasja e kryeministrit tradhtar. Në fakt, Ramiz Alia ishte “lexuar” më herët jo vetëm si dorë e fortë e Hoxhës, por edhe si pasardhësi i tij. Enigma këtë radhë lidhej me Hazbiun, që përzgjidhej ndër liderët e tjerë për herë të parë për një event të tillë. Shfaqja e tij në krahë të njeriut më të pushtetshëm në një moment kritik zgjidhte në një farë mënyre hamendjen për emrin që do të zëvendësonte kryeministrin e vetëvrarë. Vetëm pak ditë pas këtij testi publik, Hoxha zyrtarizoi ofertën e tij në një takim me sekretarët e KQ, ku, midis Çarçanit dhe Hazbiut, preferoi këtë të fundit. Me bekimin e njëshit të Partisë, kësisoj, ministrit karizmatik të Sigurimit iu besua posti i kryeministrit. Plot 13 ditë më vonë, Hoxha u shfaq në Byronë Politike me një propozim të ri, sipas të cilit kreun e qeverisë e meritonte Adil Çarçani. Të tjerët, bashkë me Hazbiun, ngritën dorën (nuk kish si të ndodhte ndryshe) dhe Çarçani po atë ditë u fut në zyrën që kishte lënë bosh Shehu. Ajo që kishte ndodhur në kulisat e KQ gjatë këtyre ditëve, nuk u zbardh kurrë. Sidoqoftë, vendimi për emrin e ri të kryeministrit komunist, ish-kryesigurimsit besnik, nuk do t’i kushtonte vetëm spostimin nga maja e piramidës shtetërore. Muajt në vijim do të linin prapa kreshendon e karrierës së tij dhe do ta vendosnin në syrin e ciklonit. Goditja filloi nga thashethemet e rrugës, vijoi me kryqëzatën në sekretariat e Byro dhe u finalizua me procesin gjyqësor, me verdiktin e të cilit Hazbiu përfundoi para skuadrës së pushkatimit. E gjithë kjo vetëm për 10 muaj…

Autokritika e parë dhe thashethemet ndjellakeqe

Ishte prilli i vitit 1982. I pafuqishëm për të mësuar arsyet e vërteta pse Hoxha kishte humbur besimin ndaj tij, Hazbiu u paraqit para shefit të Partisë me një autokritikë, në të cilën rrekej t’i tregonte përgjegjësinë që ndiente për moszbulimin e grupit të Shehut. Mënyra si u prit ndjesa e ish-ministrit nga kreu i regjimit, i la të kuptojë se Partia dhe udhëheqja e saj nuk kishin as dyshimin më të vogël në besnikërinë e tij. Megjithatë, Hazbiu, që e njihte mirë mekanizmin e eliminimit vrastar të Hoxhës, nuk mund të qetësohej përfundimisht nga sjellja “zemërgjerë” e tij. Akoma më dyshues e bënin qëndrimet e ftohta të njerëzve konfidencialë të këtij të fundit. E gjithë vera e atij viti u përjetua me një makth të jashtëzakonshëm. Zërat që qarkullonin në Tiranë, sipas të cilave Kadri Hazbiu do të arratisej, se ishte shkarkuar nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, vinin në veshin e tij në formën e lajmeve ndjellakeqe. Ishte koha kur ish-ministri i Mbrojtjes, bashkë me Hekuran Isain, ishin caktuar në krye të grupit operativ që po studionte situatën rreth zbarkimit të një grupi të armatosur që pritej të desantonte për të vrarë Enver Hoxhën. Në fakt, deri në asgjësimin e kësaj bande të kryesuar nga Xhevdet Mustafa, Hazbiu “de jure” vazhdonte të ishte në postin e ministrit të Mbrojtjes. “De fakto” gjërat rridhnin ndryshe. Më 16 shtator 1982, në ceremoninë për 40- vjetorin e çetës së Pezës, sekretari i Parë i Tiranës, Prokop Murra, gjatë fjalës së rastit “harroi” t’i përmendë funksionin qeveritar. Rebelimi për këtë ngjarje të pazakontë, në mbledhjen e sekretariatit të KQ katër ditë më vonë, mori një përgjigje tronditëse. Kur priste reflektimin për pakujdesinë e protokollit, Hazbiu u vu përballë rrebeshit të kritikave që vinin në dyshim besnikërinë e tij. Tashmë dyluftimi ishte shpallur hapur e zyrtarisht.

“Mysafiri” misterioz që fundosi ish-shefin

Më 24 shtator 1982 u zhvillua plenumi i KQ, që diskutoi mbi “Tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, ku emri i Hazbiut u artikulua për herë të parë në listën e bashkëpunëtorëve të kryeministrit tradhtar. Shehu tashmë ishte shpallur “poliagjent” dhe kryetar i një “organizate kundërrevolucionare”, që kishte përgatitur të bënte një grusht shteti duke eliminuar kreun e regjimit. Pjesë të rëndësishme të këtij plani Hoxha vlerësonte desantimin e bandës së Xhevdet Mustafës, që sipas tij ishte thirrur nga Hazbiu për të vrarë atë. Prova më e fortë e alibisë misterioze vinte nga dëshmia e porositur e të mbijetuarit të bandës, të ashtuquajturit Halit Bajrami, një shtetas neozelandez, agjent i fjetur i Sigurimit, i aktivizuar rishtas para se të vinte në Shqipëri. Ai u vendos në qendër të kombinacionit agjenturor për të vërtetuar “tradhtinë ndaj atdheut” të Hazbiut, ish-shefit të tij të dikurshëm, duke u përdorur në proceset gjyqësore të “grupeve” që kryesoheshin nga Hazbiu dhe Fiqrete Shehu. “Mysafiri” i thirrur nga larg u stërmundua të provonte se grupi prej tre vetash ku bënte pjesë dhe ai, u thirr t’i vinte në ndihmë Kadri Hazbiut për të eliminuar Enver Hoxhën. Kaq ishte e mjaftueshme që ish-ministri të futej në kalvarin e kryqëzatës, fillimisht në sekretariatin e KQ, në Byro Politike dhe më tej në ferrin e hetim-gjykimeve speciale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ish-kryehetuesi: Si na urdhëruan për dënimin...

“Grupit sabotator i Kombinatit të Tekstileve Berat”

Dëshmia e rrallë e mikut të ish-kryeministrit

“Mehmet Shehu u nxi në fytyrë, kur i dhashë traktatin e PKSH”!