Kryebashkiaku socialist i Tropojës Rexhë Byberi dhe zëvendësi i tij në detyrë, Abedin Kërrnaja, të vendosur nën akuzë për shpërdorim detyre nga ana e SPAK, do të mbeten në “arrest në shtëpi”.
GJKKO vendosi këtë të të enjte masën e sigurisë për dyshen e zyrtarëve. Byberi dhe Kërrnaja akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë miratuar leje për projekte që konsistojnë në hapjen e rrugëve, të cilët kanë çuar në dëmtim të pyjeve, e çka përbën shkelje të rregullores së zhvillimi të territorit.
Prokuroria e Posaçme në aktakuzë sqaron se Byberi dhe zëvendësi i tij kanë shkelur ligjin për ndërtimin e dy akseve rrugore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 277. 611.520 lekë dëme.
Akuza lidhet me projektet e miratuara nga Këshilli Bashkiak për ndërtimin e rrugës Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules, me një gjatësi 3.2 km, totalisht ndërtim i ri, i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese, por edhe miratimin në parim të projekt idesë për rrugën “Qafë Murrizi- Qafë Agri”.
“Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore, pasi për kryerjen e punimeve për hapjen e një rrugë të re, duhej të bëhej aplikimi në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh”, thuhet në aktakuzë.