Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka deklaruar se kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku do të largohet nga posti i tij brenda këtij muaji.
Sipas Karamuços, ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha e ka firmosur dje udhëzimin që përcakton kriteret se si do të zhvillohet konkursi për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit.
Karamuço shpjegoi se me largimin e Rrumbullakut, nga konkursi do të caktohet edhe drejtori i ri i Policisë së Shtetit për ta firmosur më pas kryeministri Rama.
“Ministri i Brendshëm nuk ka formatin e paraardhësit të tij. Është një teknokrat, nuk është politikan. Ministri është një post politik që komunikon ose përmes medias ose me urdhra dhe udhëzime. Di që një akt e ka firmosur dje, është botuar në Fletoren Zyrtare, në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit. Është udhëzimi i cili përcakton kriteret se si do të zhvillohet konkursi për drejtorin e ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili ka lënë një afat 20 ditor. Brenda shtatorit mendoj dhe parashikoj do të kemi një drejtor të ri Policisë së Shtetit. Do të largohet Rrumbullaku dhe pastaj do të ketë një konkurrim dhe me vendimmarrje do të shkojë deri te kryeministri”, u shpreh Karamuço.