MENU
klinika

Muaji i terrorit në verën ‘48-ës

M*sakra e Koplikut, si regjimi torturoi 56 burra dhe gra!

05.09.2024 - 12:44

Masakra komuniste e Koplikut është një nga ngjarjet më tragjike të Malësisë, ku regjimi komunist arrestoi dhe torturoi 54 burra dhe gra duke vrarë pa gjyq katër prej tyre.

Masakra e Koplikut mbetet një plagë në historinë e Malësisë së Madhe. Plot 54 burra e gra, u burgosën, rrahën, masakruan dhe u vranë për të terrorizuar mbarë popullsinë antikomuniste të atyre anëve. Mes viktimave ishin edhe katër burra të njohur në Malësi: Dom Aleksandër Sirdani, Taro Keqi, Nikë Mark Rexha dhe Dom Pjetër Çuni. Para pak ditësh në Shkodër u organizua ceremonia e nderimit të 56 të vrarëve në 29 gusht të vitit 1948. E njohur si masakra e Koplikut konsiderohet si një nga aktet më të rënda të qeverisë komuniste.

Tashmë edhe pas 34 vitesh kur regjimi ka rënë ende nuk bëhen publik emrat e atyre që organizuan vrasjen. Në fjalën e tij Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, deklaroi se e vërteta nuk duhet të dalë për hakmarrje. Nderimi për viktimat e viteve të para të pushtetit komunist u bë në ditën evropiane të përkujtimit të viktimave nga regjimet totalitare e njohur si “Dita e Shiritit të Zi”. Masakra e Koplikut u përkujtua edhe në kuadër të 23 gushtit, ditës së shiritit të zi e cila është Dita Europiane e Kujtesës së krimeve komuniste, naziste, fashiste e staliniste. Vera e vitit 1948 në Koplik u mbyll në mënyrën më gjakatare të mundshme. Për më shumë se një muaj popullsia civile e Malësisë së Madhe, e njohur për qëndrimin antikomunist, u terrorizua dhe shumë burra e gra u rrahën, u torturuan dhe u vranë. Në një shkrim për gazetën “Dielli”, Sokol Paja rikujton Masakrën e Koplikut, duke sjellë në vëmendje figurën e Dom Aleksandër Sirdanit, një prej viktimave të atij terrori.

“Përgjatë muajit 28 korrik-29 gusht të vitit 1948, në kryeqendrën e Malësisë u masakruan, u rrahën, u vranë dhe u torturuan 56 burra e gra dhe u vranë pa gjyq katër burra me emër dhe ndikim të veçantë në Malësi: Taro Keqi, Nikë Mark Rexha, Dom Aleksandër Sirdani dhe Dom Pjetër Çuni. Kjo masakër e dhunshme u krye prej komunistëve në hetuesinë e Koplikut”, shkruan Paja në gazetën “Dielli”.

Ai i kushton disa radhë jetës së Dom Aleksandër Sirdanit, i cili kishte studiuar në Insbruk të Austrisë, ishte autor i disa veprave letrare dhe meshtar në disa fshatra të Malësisë ku ishte kujdesur për trashëgiminë kulturore.

“Më datë 26 korrik 1948 Dom Aleksandër Sirdani pasi çoi meshën e së dielës në famullinë e tij në Bogë ku kritikoi komunistët dhe reprezaljet e tyre sidomos në Veriun e Shqipërisë, një ditë më vonë arrestohet dhe dhunohet përgjatë gjithë rrugës nga Boga deri në hetuesi, në Koplik ku mbërriti i copëtuar prej dhunës shtazarake.

Dëshmitari i vdekjes së tij, At Anton Luli ka dëshmuar se pastaj komunistët e rrahën për vdekje duke e shpërfytyruar. Në grahmat e fundit të jetës, kishte kërkuar ujë për të pirë, ndërkohë që komunistët në shenjë hakmarrjeje primitive e mbytën të gjallë në gropën septike të hetuesisë. Vrasja e Dom Aleksandër Sirdanit ishte e përllogaritur prej komunistëve. Erdhi pikërisht në një kohë kur regjimi diktatorial po likuidonte kokat kryesore të fesë në Shqipëri dhe kur po ndryshonte statutin fetar të Klerit Katolik, për ta shkëputur përgjithmonë nga Vatikani dhe për ta vendosur nën diktatin e regjimit komunist shqiptar. Pasi shkatërruan kuvendet fetare, mbyllën shtypshkronjat, shkollat fetare, konfiskuan qendrat e botimeve mediatike dhe letrare, pasi arrestuan udhëheqësit kryesorë dhe strukturat drejtuese të fesë në Shqipëri, komunistët kaluan në ekzekutimin e priftërinjve nëpër fshatrat e largët në Veri të Shqipërisë. Synimi i komunistëve ishte i qartë: zhdukje totale të institucioneve fetare dhe ideologjisë fetare.

Dhuna, terrori, përndjekja dhe vrasjet e pamëshirshme ishin panorama që shoqëroi qeverisjen dhe qasjen e komunistëve shqiptarë ndaj kundërshtarëve. Komunistët bënë hakmarrjen dhe reprezaljen më të tmerrshme sidomos mbi klerin katolik pasi ishin klerikë të shkolluar në universitetet më të mira në Perëndim, ndërsa komunistët ishin injorantë përballë tyre, se ideologjia fetare nuk përputhej me ideologjinë komuniste, se komunistët ishin armiq të betuar të religjiozëve të shuguruar”, shkruan Sokol Paja në artikullin e “Diellit”, “Dom Aleksandër Sirdani, përkujtim në 72-vjetorin e Masakrës së Koplikut”.

DËSHMITË

Të dhënat e Kishës Katolike Shkodër dhe Vatikan News-it tregojnë që më 31 korrik 1948, bashkë me Dom Aleksandër Sirdanin, u mbyt në atë gjiriz edhe kleriku tjetër, Dom Pjetër Çuni (burime të tjera përmendin data të tjera dhe ende nuk ka një variant zyrtar se në cilën nga ditët e korrikut pas datës 27 të arrestimit, u vranë klerikët). Pasi kishte studiuar Teologji dhe ishte shuguruar meshtar në Romë, ai kishte nisur shërbimin në Veri të Shqipërisë, prej nga kishte edhe prejardhjen, por në verën e vitit 1948, më 27 korrik, u arrestua dhe pak ditë më vonë, u vra gjatë torturave të hetuesisë. Makabër është edhe trajtimi i viktimave të tjera të asaj vere në Malësinë e Madhe. Siç kuptohet nga shkrimi që Ndue Bacaj i kushton Taro Keqit, publikuar në revistën “Fjala”, në atë gropë ku u mbyt Aleksandër Sirdani dhe Dom Pjetër Çuni, u hodh edhe trupi i Taro Keqit pasi e vranë në tortura.

Ndue Bacaj shkruan që më 28 korrik 1948 në Reç dhe rajone të tjera të Malësisë u bënë shumë arrestime, përfshirë babanë e Taro Keqit, Keq Sadikun, patriotin dhe luftëtarin e njohur të mbarë Malësisë, ndërkohë që Taroja shpëtoi, sepse nuk ndodhej në shtëpi. Edhe pse Taroja nuk e kishte të vështirë të arratisej, ai nuk mund ta linte babanë në duart e hetuesve, ndaj, megjithëse nuk u besonte premtimeve të komunistëve, u paraqit në zyrat lokale në Koplik, ku i hodhën menjëherë prangat.

“Në burgun-hetuesi kishte një dhomë të veçuar ku pyeteshin dhe torturoheshin të arrestuarit e burgosur, që për atë “moment” ishin 56 burra e gra të mbyllur në një dhomë…Taro Keqin diku nga mesnata e atyre ditëve tmerri, me duar lidhur e dërgojnë në dhomën speciale të pyetjeve e torturave. Në ketë dhomë (sipas të dënuarit politik që bëri 23 vite burg, të ndjerit Caf Jonuz Culaj nga Reçi), hetues i Taros kishte qenë ai me inicialet LL.N., shef Sigurimi në atë kohë në Koplik. Taron, në këtë hetuesi, e pyesin: Kush bën pjesë në organizatën tradhtare “Shqiponja me dy krena”? Kush e udhëheq atë? Ku i bani mbledhjet? etj. etj.. Taroja i befasuem nga këto pyetje vetëm hesht , gjë që nuk i pëlqen hetuesit, i cili ngrihet në këmbë dhe e godet Taron, i cili ato ditë kishte qenë i sëmurë me ethe. Taroja si trim i paepur që ishte edhe pse i prangosur, e godet fuqishëm hetuesin e tij me hekurat e duarve duke e rrëzuar përtokë të gjakosur. Britma e hetuesit kriminel bëri që policët që rrinin mbas dere, të futeshin brenda dhe të gjithë së bashku, hetues e policë, të godasin e torturojnë Taro Keqin duarlidhur, i cili do të jepte shpirt nga torturat e këtyre kriminelëve komunistë…Në këtë burg-hetuesi komunistët do të vrisnin pa gjyq edhe dom Aleksandër Sirdanin, dom Pjetër Çunin dhe Nikë Mark Rexhën nga Kelmendi. “- shkruan Ndue Bacaj.

Tre të fundit, sipas tij, janë pa varr. Nikë Mark Rexha, ndodhet në listën e martirëve kelmendas, që humbën jetën gjatë regjimit komunist. Bashkë me vrasjet pa gjyq të këtyre burrave, ato ditë në Malësi u burgosën dhe u dhunuan dhjetëra burra e gra të cilët provuan formën më të ashpër të hakmarrjes për qëndrimin antikomunist të viseve të tyre. Luigj Gega, i Unionit të ish-të Burgosurve Politikë të Malësisë së Madhe ka thënë në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 29 gusht 2020, në përvjetorin e Masakrës së Koplikut, se mes të arrestuarve ishte dhe një grua shtatzënë, foshnja e së cilës u lind në qeli dhe nuk mundi të mbijetojë. Këto troje jetë e mot nuk kishin pranuar të nënshtroheshin, por asnjëherë nuk kishin pasur përballë një kundërshtar më pak njerëzor sesa pushtetarët e rinj të Shqipërisë.