Gazetari Fatos Çoçoli i ftuar në studion e “Open” ka folur për situatën e pronave të paluajtshme në kryeqytet, duke theksuar se Shqipëria është treg në rritje.
Çoçoli u shpreh se qytetarët po inkurajohen të investojnë në kryeqytet me arsyetimin se Shqipëria është treg në rritje ndryshe nga disa vende të tjera në Evropë. “Ndërsa në Milano pritet një rritje prej vetëm 1.5% të vlerës së apartamenteve në vitet e ardhshme, në Shqipëri, Banka Qendrore raporton se çmimi i pronave është rritur me 16.9% në gjashtë muajt e fundit,” tha ai. Sipas tij, çmimi i pronave po rritet gati çdo ditë.
Ai theksoi se ka shumë faktorë që e mbajnë çmimin lart, duke e bërë të vështirë për qytetarët e thjeshtë të blejnë një shtëpi. “Ky është një problem i rëndësishëm, dhe qytetarët duhet të ndihmohen. Nëse qeveria merr iniciativa për të ulur përqindjet e interesit, kjo do të ndihmonte,” shtoi Çoçoli.