MENU
klinika

Paketë e re ndihme ekonomike!

Reformë pensioneve/ “Skema, brenda tetorit!”

04.09.2024 - 15:23

Në konferencën e parë për median si ministër i Financave, Petrit Malaj prezantoi sfidat dhe prioritetet e tij në krye të këtij dikasteri, si dhe treguesit financiarë dhe ekonomikë nga janari deri sot. Ecuria e financave ka qenë pozitive në 7 muajt e këtij viti, tha ministri duke theksuar se ekonomia po rritet sipas parashikimeve. Janë hapur 8 mijë biznese të reja, është rritur punësimi. Ndërkohë deri në fund të vitit parashikohet ulja e nivelit të borxhit me 0.7 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %

Pensionet
Sfidë personale e tij por dhe e qeverisë mbetet adresimi i cështjes së pensioneve. Në muajin tetor është parashikuar të ndodhë indeksimi i pensioneve me një vlerë prej 4.1 miliardë lekë, por ministri la të kuptohej që po punohet për diçka më shumë. Pa zbuluar shumë detaje tha se grupet e punës po punojnë me synim pensione më të larta

“Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit. Problem është skema aktuale e pensioneve që do të duhet ta rishikojmë. Kemi ngritur grupet e punës dhe po punojmë me ekspertë të Bankës Botërore. Këtu flas jo vetëm për indeksimin e pensioneve”, tha ai.

Pakete e re ndihme ekonomike
Rritja e të ardhurave, pritet të sjellë edhe një paketë tjetër ndihme për kategoritë më në nevojë e pensionistët përtej bonusit të fundvitit. Pra përvec indeksimit që pensionistët që do ta kenë në tetor të këtij viti dhe bonusin që do ta marrin në dhjetor 2024 po diskutohet dhe një paketë mbështetje.

“Kushtet i kemi që të adresojmë edhe një paketë ndihme për familjet në nevojë” tha Malaj.

Profesionet e lira

Ministri u ndal edhe tek çështja e profesioneve të lira, të cilët kërkojnë kthimin pas të parave që kanë paguar si tatim, pasi Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar pjesërisht ligjin që në muajin qershor.

“Ky ligj është shoqëruar me debate të shumta. Vij nga profesioni i profesioneve të lira. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shfuqizon pjesërisht ligjin por nuk shprehet se çfarë duhet bërë mbrapa. Duke qenë në këto kushte, në si ministri po përgatisim një kërkesë për Gjykatës Kushtetuese, që të bëjë saktësim se çdo ndodhë me fondet e paguara nga profesionistët. Derisa të marrim një përgjigje nuk mund të marrim asnjë hap tjetër”.

Kursi i këmbimit

Kursi i këmbimit ka penalizuar financat tona, sidomos nga dogana, por ka favorizuar në borxhin e nivelit të jashtëm” tha Malaj.

Rivlerësimi i pasurive të patudshme
Vlera e tatimit që aplikohet për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme pritet të përcaktohet brenda muajit shtator. Për këtë është ngritur grupi i punës për të analizuar të gjitha shifrat që janë propozuar.

“Nuk kemi përcaktuar normën ekzakte. Brenda shtatorit do shkojmë me propozim në këshillin e ministrave”

Disa statistika

Duke folur për ekonominë tha se kemi mbi 7 mijë biznese me shumë se vitin e kaluar dhe 13 mijë vende të reja pune me shumë se në 7 muajit e vitit të kaluar. Kemi 8900 persona me shume në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

Sfidat si minister?
-Përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe administrimi prudent i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik.
-Në fokus është përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, dhe alokimi i investimeve publike në ato sectorë që kanë kontributin më të madh në ekonomi.
-Në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, faktor të rëndësishëm do të luajë dixhitalizimi, përfshirja e inteligjencës artificiale, projekt për të cilin po punohet me Microsoft.
-Shpenzimet buxhetore do të orientohen e kanalizohen atje ku ka nevoja sociale, pa humbur fokusin në investimet në sektorë prioritare”,

Kjo e sotmja ishte dalja e parë para medias e Petrit Malaj si ministër i Financave.