MENU
klinika

I hap rrugë zgjedhjes së Kryesisë së re

Socialistët në ankth, Rama mbledh Asamblenë e PS

07.09.2024 - 10:53

Kryeministri Edi Rama do të mbledh nesër (më 8 shtator) në orën 11:00 Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku pritet të votohet për zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë së PS-së dhe merren disa vendime të forta. Kjo mbledhje vjen në një moment të tensionuar për Partinë Socialiste, duke qenë se shumë figura të spikatura brenda partisë janë zëvendësuar me emra të rinj dhe anonim. Por ky hap pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme edhe në drejtimin politik dhe administrativ të PS, me fokus të veçantë në ndarjen e përgjegjësive dhe përshtatjen e strukturave përballë sfidave të fundit.

Tirana është bërë pika më e nxehtë e këtij procesi, ku përplasen interesat e ndryshme dhe ku priten ndryshime të rëndësishme, përfshirë emërime të reja dhe ndarje të përgjegjësive midis drejtuesve politikë. Ndryshimet e paralajmëruara veçanërisht ato në qeveri janë të lidhura ngushtë edhe me problemet që disa ministra kanë me Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe synohet që të ndahen përgjegjësitë politike nga ato administrative dhe të qeverisjes. Pra në mbledhje mund të ketë largime ministrash, ku tre prej tyre rrezikojnë postin, si dhe ndryshim i drejtuesve politik në disa qarqe. Ky zhvillim është i rëndësishëm për të kuptuar dinamizmin e brendshëm të PS-së dhe për të ndjekur se si Rama do të përpiqet të balancojë interesat e ndryshme dhe të forcojë pozitën e partisë përballë sfidave të ardhshme.

Pritshmëritë janë të mëdha dhe çdo vendim që do të merret nesër do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin dhe drejtimin e ardhshëm të partisë dhe të qeverisë. Po ashtu, fjalën hapëse në mbledhjen e Asamblesë pritet ta mbajë Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, e më pas fjala do i kalojë Kryeministrit Rama, për të vijuar më pas zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë së PS-së. Kjo është mbledhja e parë e Asamblesë Kombëtare të PS-së nga momenti kur delegatët e Kongresit votuan për përbërjen e forumit më të lartë vendimmarrës të forcës kryesore politike në vend.

Mesazhi i Ramës

Ndërkohë kujtojmë se në kohët e fundit, kryeministri Edi Rama ka lëshuar herë pas here mesazhe të rëndësishëm për para anëtarëve të Partisë Socialiste, duke theksuar nevojën për angazhim të rinovuar në shërbim të qytetarëve. Rama ka kërkuar që socialistët të rrisin përpjekjet e tyre për të qenë më afër qytetarëve dhe për të adresuar shqetësimet dhe nevojat e tyre në mënyrë më të efektshme. Përveç kësaj, kreu i PS, Edi Rama ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa të forta kundër të korruptuarve brenda partisë dhe qeverisë. Ai ka bërë të qartë se do të ketë spastrime të ashpra për ata që janë të përfshirë në skandale korruptive, duke nënvizuar angazhimin e tij për të ruajtur integritetin e Partisë Socialiste dhe për të pastruar radhët e saj nga individët që dëmtojnë reputacionin e partisë dhe të qeverisë.

Ky mesazh është një sinjal i qartë për të gjithë anëtarët socialistë dhe për publikun se Rama është i vendosur të bëjë ndryshime të rëndësishme dhe të sigurojë që përfaqësuesit e PS-së të veprojnë në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe ndershmërisë. Sakaq pritet që këto zhvillime të kenë një ndikim të konsiderueshëm në dinamizmin e brendshëm të partisë dhe në mënyrën se si do të përballen me sfidat e ardhshme. Megjithatë mbetet të shihet nesër se çfarë do të ndodhë më konkretisht, duke qenë se kryeministri Edi Rama është njeri i paparashikueshëm dhe që i pëlqejnë surprizat.

Ja axhenda e Asamblesë së PS

Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftoj se më datën 08.09.2024, ora 11.00, në sallën e Hotel FAFA Durrës, zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS me rend dite:

1. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i Rendit të ditës.
2. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
3. Zgjedhja e organeve drejtuese të PS.
4. Të ndryshme.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I PS, Blendi KLOSI