MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Solidariteti familjar dhe mafia

16.09.2024 - 18:24

Kriminologët, antropologët socialë dhe studiuesit që janë marrë me krimin e organizuar në vendet e pazhvilluara apo edhe në ato rajone ku ky organizim ka pasur dhe ka një peshë të madhe, si në Italinë e Jugut, fjala vjen, kanë vënë re se një nga format mbi të cilat ngrihen këto struktura kriminale është familja. Më tej akoma, kapomafiet shfaqen, po ashtu, si pasardhës të traditës më të mirë kristiane dhe shpallin se kanë kult familjen, nderin dhe besimin. Nga pikëpamja antropologjike, ky imazh vjen nga koha kur shoqëria njerëzore kaloi nga faza e gjuetarëvë shëtitës, në atë të familjes, fisit, klanit dhe etnisë më në fund.

Krimi i organizuar apo mafia që është bërë një sinonim i organizimit kriminal mbi bazë familjen, fisin apo klanin, e shpallin të shenjtë solidaritetin familjar e atë fisnor. Pikërisht këtë tha Sali Berisha në një dalje on-line para gazetarëve. Ai përmendi solidaritetin familjar, sevapin e zekatin për të justifikuar akuzat që i bën SPAK.

Prej kohësh Berisha e ka shitur imazhin e tij si një familjar shembullor dhe familjen e tij si një organizëm të shëndoshë. Për të, siç thotë ai, familja është e shenjtë dhe solidariteti familjar, po ashtu. Në peizazhin politik europian kur flitet për të djathtë e të majtë zakonisht thuhet që e djathta ka të shenjtë atdheun dhe familjen, ndërsa e majta është më liberale dhe aspiron botën pa kufij, pranon dallimet gjinore dhe të ngjyrës së lëkurës dhe ka një qëndrim më liberal për martesën dhe familjen.

Ky dallim bëhet në Europën Perëndimore apo në SHBA dhe është produkt i fazës së re ku ka hyrë përplasja e majtë e djathtë në arealin politik perëndimor. Mirëpo te ne, një vend që vjen nga një traditë e gjatë fisnore e klanore, nga një periudhë po ashtu e gjatë e glorifikimit të familjes socialiste dhe atdheut socialist si qendra e adhurimit politik, rishfaqja apo rimarrja e këtyre topikave sjell një kuptim krejtësisht tjetër. Sot familja e Sali Berishës është akuzuar me fakte për korrupsion dhe vjedhje të padëgjuara më parë.

Sot kjo familje paraqitet e organizuar dhe solidare për të abuzuar me fondet publike dhe me pasurinë e këtij vendi. SPAK ka nxjerrë vetëm 500 faqe me akuza, por në perceptimin publik dhe në realitetin shqiptar ndodhen ende mijëra faqe që e fajësojnë këtë familje për tentativë që të vjedhë dhe të pasurohet duke abuzuar me pasurinë publike. Dosja « Gërdeci » që po hetohet dhe do të sjellë edhe ajo fakte të tjera të abuzimit me pasurinë publike dhe me pasojë vdekjen e 21 personave, nxjerr në reliev edhe njëherë atë që Berisha pa iu dridhur qerpiku e quan solidaritet familjar, sepse, në emër të biznesit vdekjeprurës të të birit, vuri në dispozicion makinën shtetërore për të ndërtuar atë punishten vrastare.

Ajo që të trondit në gjithë këtë histori është vëmendja e vakët dhe nganjëherë solidariteti i një pjesë të gazetarëve apo analistëve që nuk iu bën përshtypje kjo që po ndodh, për shkak se janë të sëmurë nga zilia dhe urrejtja për Ramën. Nuk ka besoj asnjë vend normal në planet që përballë fakteve të tilla si ato që i janë vënë Sali Berishës në tavolinë, përballë kapadaisjes dhe arrogancës që ky i fundit shfaq para të gjithëve duke u mbrojtur si kapomafie që deklaron se për të familja është e shenjtë dhe solidariteti familjar është vlerë që mund të të çojë deri në krim, pra përballë gjithë kësaj katrahure mendore, ka ende nga ata që dalin në mexhlis dhe solidarizohen me të vetëm se ai është kundërshtar i Ramës. Përdorimi i kultit të familjes dhe të atdheut nga mafia ka qenë për shumë kohë një kod që mbulonte krimin me nderin abstrakt të një familjeje ku ligjin e bën dhuna dhe krimi.

Me deklaratën e fundit që bëri, Sali Berisha është i bindur se ashtu si kapomafiet për të nderi dhe solidariteti familjar janë mbi ligjin dhe se, në emër të tyre, ti mund të vjedhësh e të vrasësh por të gjithë duhet ta dinë se këtë e bën nga që je një burrë i ndershëm dhe një kryefamiljar që mendon vetëm për familjen. Në fakt kur mendon se origjina jonë e afërt ka qenë fisi, klani, barbaria dhe lufta për territor e për prona, kur mendon se çfarë marrëzie kolektive na ka pushtuar sot të gjithëve që marrim rrugët nga sytë këmbët për të punuar në shtëpi bari, për të bërë punët më të rrezikshme dhe për t’u renditur disa herë në krye të krimit botëror, e kupton se familja shqiptare ka diçka që nuk shkon, se në atë familje bashkë me qumështin diçka është mëkuar keq.