MENU
klinika

'Ndryshime të menjëhershme'

Studimi përcakton dy ‘kulmet’ e përshpejtimit të plakjes

16.09.2024 - 09:10

Plakja mund të mos jetë aq graduale sa duket. Një studim i ri nga Universiteti Stanford në Kaliforni ka treguar se ka dy periudha kur plakja përshpejtohet. ‘Kulmet’ janë në moshën 44 dhe 60-vjeçare.

Në studim morën pjesë 108 persona të moshave 25-75 vjeç që përgjatë disa viteve u merreshin kampionë gjaku dhe biologjikë.

Studiuesit analizuar mbi 135.000 molekula dhe mikroorganizma (baktere,viruse dhe kërpudha) duke zbuluar se pjesa më e madhe e tyre nuk ndryshojnë “gradualisht dhe kronologjikisht”.

“Ne nuk po ndryshojmë gradualisht me kohën, ka disa ndryshime dramatike”, thotë autori Michael Snyder. “Rezulton se mesi i të 40-ave është periudha e një ndryshimi të madh, ashtu si edhe të 60-at e hershme. Kjo është e vërtetë pavarësisht llojit të molekulave që studion”

Brittany Ferri, një terapiste nga Nju-Jorku bie dakord dhe shton plakja nuk ndodh ngadalë.

“Ndryshimet e mëdha mund të ndodhin në pika të caktuara të jetës tuaj. Njerëzit përjetojnë ndryshime që ndikojnë te shëndeti i tyre”.

Sipas Ferri, në të 40-at, njerëzit mund të përballen me më shumë stres dhe ndryshime në stilin e jetesës që ndikojnë te mirëqenia dhe te të 60-at, ndryshimet që lidhen me shëndetin prekin organet dhe sistemin imunitar.

“Me plakjen që ndodh në faza të veçanta, disa prej tyre do të pasqyrojnë ndryshime të dukshme në funksionet e trupit”.

Këto “ndryshime të papritura” mund të prekin shëndetin e njerëzve teksa plaken. “Gjatë të 40-ave dhe 60-ave, molekula dhe mikrobe që lidhen me shëndetin e zemrës dhe sistemin imunitar ndryshojnë shumë. Në të 40-at, ndryshimet në molekula prekin procesimin e yndyrnave dhe alkoolit në trup që mund të ndikojnë te sëmundjet e zemrës. Në të 60-at, ndryshimet në sistemin imunitar na bëjnë më të ekspozuar ndaj problemeve shëndetësore që lidhen me plakjen”.

Studiuesit u shprehën se nuk u habitën nga mosha 60-vjeçare, por nga mosha 40. Fillimisht u mendua se te gratë ndodh për shkak të perimenopauzës ose menopauzës, por rezultoi se edhe meshkujt prekeshin nga e njëjta gjë.

Sipas Snyder, është e rëndësishme që të përshtatim stilin e jetesës gjatë kohës që jemi ende mirë me shëndet.

Ferri rekomandoi që personat në të 40-at duhet të hanë shëndetshëm, të kontrollojnë stresin dhe të reduktojnë alkoolin për të ndihmuar metabolizmin dhe zemrën. Në të 60-at, ajo theksoi se është e rëndësishme të qëndruarit aktiv për të ndihmuar imunitetin dhe të ruhet një peshë normale.