MENU
klinika

Mes tyre edhe Millan Radoiçiç! Rolet e anëtarëve të grupit kriminal

Sulmi në Banjskë/ Ngrihet akuzë ndaj 45 personave

11.09.2024 - 14:09

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiç- për sulmin e armatosur në Banjskë.

Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filuar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.

“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiç, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi në një konferencë për media, të mbajtur të mëkurën në Prishtinë.

Në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Prokurori Abazi nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të Serbisë në sulm – gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pe ajo e ka mohuar përgjegjësinë.

Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiç, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.

Ajo e ngarkon Radoiçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”.

Çfarë tha tjetër Prokuroria e Kosovës?

Prokurori Abazi tha se falë bashkëpunimit ndërkombëtar me SHBA-në, shtete të BE-së dhe të tjera, prokuroria ka arritur të sigurojë “prova që ndihmuan në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”.

Ai tha se gjatë procesit të hetimeve “janë sekuestruar dhe konfiskuar prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare, të cilat dyshohet se janë fituar nga aktivitete të paligjshme”.

Sipas tij, janë konfiskuar “mbi 1.266 armë dhe pajisje të tjera”.

“Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete të mëtejshme kriminale, duke goditur strukturën financiare të këtij grupi kriminal”, tha Abazi.

Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiçin në fund të vitit të kaluar.

Ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.

Muajin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për informacione në lidhje me rastin Banjska.

Çfarë bëri Serbia?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha pas sulmit se Radoiçiç gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”.

Që atëherë, nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar për vendndodhjen e tij.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha në tetor të vitit të kaluar se Radoiçiç akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla – qytet në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës – në periudhën nga janari deri më 24 shtator të vitit të kaluar.

Ai u akuzua edhe për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Gjykata e Lartë në Beograd, tetorin e kaluar, e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por ia konfiskoi pasaportën dhe ia ndaloi shkuarjen në Kosovë.

Ndikimi në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me dorëzimin e Radoiçiçit dhe të “grupit të tij paramilitar terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

“Për aq kohë sa Radoiçiç dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti më 28 qershor.

Udhëheqja shtetërore në Serbi ka mohuar disa herë se ka gisht në sulmin në Banjskë.

Në muajin mars, disa media kanë raportuar se ambasadori i atëhershëm i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç, është takuar me Radoiçiçin, por REL-i nuk ka arritur të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë që qarkullonte atëkohë.

Komuniteti ndërkombëtar, disa herë, ka bërë thirrje për llogaridhënie dhe ka kërkuar që ata që janë të përfshirë në sulmin në Banjskë, të sillen para drejtësisë./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ish-Presidenti: Vendet anëtare të BE-së të njohin Kosovën

“Serbia, e përfshirë kokë e këmbë në sulmin e Banjskës”

Kurti kërkon ndëshkimin e Serbisë

“Beogradi po planifikon aneksimin e Veriut”