Me entuziazëm dhe frymëzim të pashembullt patriotik, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të shtojë një tjetër festë zyrtare në kalendar.
2 marsi, dita kur Gjergj Kastrioti dhe princat shqiptarë u mblodhën në Lezhë, nën kujdesin e ambasadorit të Venedikut, për të vendosur fatet e kombit, do të jetë pushim zyrtar.
Se sa shumë kishin nevojë princat për një pushim pas gjithë atyre vendimeve të vështira, nuk mund ta dimë, por një gjë është e sigurt: sot më shumë se kurre qytetarët e këtij vendi, e meritojnë edhe një ditë tjetër pushim!
Siç duket nga lista e pafund e festave zyrtare, çdo muaj kemi nga dy deri në katër ditë pushime të garantuara për të “çliruar shpirtin” nga raskapitja në punë.
Pashkë Katolike, Pashkë Ortodokse, Bajram i Madh, Kurban Bajram, Dita e Verës, Nevruzi, Dita e Shenjt Terezës, dhe padyshim, Dita e Rinise, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Punëtorët mund të pyesin se pse Dita e Punës është pushim, por kjo është çështje tjetër.
Me shtimin e datës 2 mars si festë kombëtare, ky është momenti i artë që të bëjmë atë që dimë më mirë: t’i japim punës… një shans pushimi! Deputeti propozues ishte më se i qartë: “Ne vlerësojmë periudhën më të lavdishme të historisë sonë dhe duhet ta bëjmë këtë duke… pushuar!
Dhe në këtë bollëk festash, nëse ndonjë nga festat zyrtare përplaset me të shtunën apo të dielën, ne kemi zgjidhjen ideale: Pushimi kompensues. Nëse nuk ke arritur të pushosh në festën e Krishtlindjes sepse qelloi e dielë, mos u shqetëso: e hëna dhe e marta janë aty për ty! Siç thotë filozofia moderne: më shumë ditë pushimi, më shumë lumturi.
Më shumë pushime do të thotë më shumë kohë për të reflektuar mbi periudhat e lavdishme të historisë. A mund të imagjinohet një përkujtim më i mirë për Gjergj Kastriotin se një ditë e tërë për të mos bërë asgjë? Ai luftoi për lirinë, ndërsa ne e festojmë atë liri….
Por nuk ka pse të kufizojme veten përditët e pushimit: mund të shpallim pushim “Ditën e “Besëlidhjes së Arbërit,” Ditën e “Heroit të Panjohur që nuk e njohim, por e nderojmë,” dhe pse jo, Ditën e “Pse të mos pushojmë edhe këtë të enjte.”
E premtja mund të shpallet dita e pergatitjes për fundjavën.
Mund të shpallnin ditë pushimi edhe ditët kur jemi bërë miq dhe armiq me jugosllavet, rusët, kinezet.., por nuk mjaftojnë ditët e kalendarit Gregorian!
Tani që shumë punë do t’i bëj Inteligjenca Artificiale, dalin e teprojne tri ditë pune në javë. Boll kanë punuar njerëzit.
Ne duhet të jemi pararoje në rajon dhe me gjerë duke pushuar deri sa të lodhemi.
Eshtë koha që të ngrihemi të gjithë në këmbë .. për të pushuar!