MENU
klinika

Erdogan kthen sytë nga Brics

Turqia në kërkim të aleancave përtej Perëndimit

04.09.2024 - 09:00

Turqia ka kërkuar zyrtarisht t’i bashkohet bllokut ekonomik BRICS, pasi kërkon të krijojë lidhje të reja përtej aleatëve të saj tradicionalë perëndimorë, ka raportuar Bloomberg, duke cituar njerëz që e njohin këtë çështje.

Sipas gazetës, Ankaraja paraqiti një kërkesë për t’iu bashkuar grupit “disa muaj më parë”. “Përçarjet” midis anëtares së NATO-s, Turqisë dhe vendeve të tjera anëtare të bllokut ushtarak mbi konfliktin në Ukrainë, thuhet se ishin ndër arsyet për aplikimin e Ankarasë për në BRICS.

Që nga shpërthimi i konfliktit mes Moskës dhe Kievit në vitin 2022, Ankaraja ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi më parë strategjinë e aleatëve të tij për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe deklaroi se Turqia “nuk do të jetë palë në këtë luftë”.

Ankaraja ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht konfliktit në Ukrainë, vuri në dukje Bloomberg.

Udhëheqja turke thuhet se po zhgënjehet gjithnjë e më shumë për mungesën e përparimit në përpjekjen e saj prej dekadash për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, shtoi gazeta. Turqia u shpall vend kandidat në vitin 1999. Megjithatë, Parlamenti Europian pezulloi bisedimet e pranimit me vendin në vitin 2019 për shkak të shkeljeve të dyshuara të të drejtave të njeriut.

Ministria e Jashtme dhe presidenca e Turqisë nuk pranuan të komentojnë për Bloomberg mbi kërkesën për t’u anëtarësuar në BRICS. Kryediplomati i vendit Hakan Fidan tha në qershor se Ankaraja ishte e interesuar t’i bashkohej grupit.

BRICS u themelua në vitin 2006 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, me Afrikën e Jugut që iu bashkua në vitin 2011. Rusia aktualisht kryeson bllokun.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën se Ankaraja është me të vërtetë e interesuar të bëhet anëtare e BRICS-it. Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe iu bashkuan grupit në fillim të këtij viti.