MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

7 fushëbetejat ku do të përcaktohet fituesi i zgjedhjeve në SHBA

11.10.2024 - 13:17

Në zgjedhjet e 2020-ës, Biden grumbulloi mbi 7 milionë vota më shumë se sa Trump në rang kombëtar, por vetëm 44 mijë prej tyre në 4 shtete të federatës amerikane ishin vendimtare për vajtjen e tij në Shtëpinë e Bardhë. Në qoftë se Trump do të kishte marrë 44 mijë vota më shumë në Wisconsin, Arizona, Georgia dhe Nevada (të shpërndara proporcionalisht), fitorja do të kishte qenë e tij!

Sipas kushtetutës amerikane, mandatin presidencial nuk e fiton kandidati me më shumë vota në rang kombëtar, por ai që ka më shumë elektorë të tij në Kolegjin Elektoral.

Kolegji Elektoral përcaktohet nga zgjedhjet presidenciale çdo 4 vjet në SHBA, dhe përbëhet nga 538 elektorë të 50 shteteve të federatës amerikane (numri i elektorëve për secilin shtet varet nga popullsia e çdo shteti). Në shtetet ku fiton një kandidat demokrat, caktohen elektorë të përzgjedhur prej tij. Ndërsa në ato ku fiton një kandidat republikan, caktohen elektorë të përzgjedhur prej tij. Për t’u shpallur fitues, njëri nga kandidatët në garë duhet të ketë të paktën 270 elektorë që votojnë për të.

Në dy zgjedhjet ku Trump ka qenë në garë (2016 dhe 2020), 7 shtete kanë regjistruar garat më të ngushta, ku fitorja është lëkundur mes Trump dhe rivalëve demokratë: Pennsylvania, Michigan, Wisconsin, Nevada, Arizona, Georgia, North Carolina (shihni tabelën më poshtë).

Sipas portalit RealClearPolitics, diferenca mes Kamala dhe Trump nuk e kalon aktualisht vlerën 1% në asnjërën nga 7 fushëbetejat e zgjedhjeve të 5 nëntorit (ky portal llogarit çdo ditë mesataret e sondazheve të ndëryshme që zhvillohen në shtete të ndryshme të federatës amerikane). Kështu, Trump ka një epërsi milimetrike statistikore në 4 nga 7 shtetet dhe Kamala në 3 prej tyre. Por diferencat në të shtatat janë fare brenda marzhit të gabimit statistikor të sondazheve (që është mesatarisht plus/minus 3%).

Në javët që kanë mbetur, të dyja kampet pritet të shpenzojnë qindra milionë dollarë për reklama televizive dhe në rrjetet sociale, si dhe për patronazhistë të tyre që do të trokasin derë më derë, në mënyrë që të fitojnë garën e centimetrave të fundit në secilin prej 7 fushëbetejave: Pennsylvania, Michigan, Wisconsin, Nevada, Arizona, Georgia, North Carolina.

Shënim 1: Sondazhet këtë vit priten të jenë më të sakta, sepse kompanitë e sondazheve po përdorin algoritme për të ekstrapoluar me afërsi ata votues të Trumpit që janë të prirur mos të marrin pjesë në sondazhe. Algoritmet i bazojnë në deviacionet e sondazheve që janë evidentuar në zgjedhjet e 2016-ës dhe 2020-ës.

Shënim 2: Washington, DC, edhe pse nuk e ka statusin e shtetit, dërgon 3 elektorë në Kolegjin Elektoral. Vetëm shtetet Maine dhe Nebraska dërgojnë elektorë sipas një parimi të përafërt proporcional. Kudo tjetër, përdoret parimi mazhoritar (kush fiton qoftë edhe me 0.01% në një shtet, siguron gjithë elektorët e atij shteti).