MENU
klinika

“SPAK i sekuestroi telefonin Ilir Prodës para se të merrte detyrën”

BIRN: Sa ka depërtuar krimi i organizuar në Policinë shqiptare?

04.10.2024 - 17:40

Një numër oficerësh të lartë të Policisë së Shtetit janë arrestuar, akuzuar apo dënuar për përfshirje në rrjetet e krimit të organizuar, pasi një aplikacion telefoni i botës së nëndheshme u hakerua. BIRN analizon se çfarë dihet për të dyshuarit deri më tani.

Shqipëria ka tashmë një shef të ri të Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së kreut të mëparshëm, Muhamet Rrumbullaku, i cili qëndroi në detyrë për gati dy vjet. Ka qenë një periudhë e vështirë për Policinë e Shtetit, imazhi i së cilës është dëmtuar nga disa oficerë të lartë të arrestuar, akuzuar apo dënuar për krime të rënda, duke përfshirë edhe ndihmesën e rrjeteve të krimit të organizuar për të ekzekutuar rivalët, lejimin e kultivimit të drogës dhe pastrimin e parave. Disa oficerë akuzohet se kanë qenë të përfshirë vetë drejtpërdrejt në prodhimin dhe trafikun e drogës.

Kreu i ri i Policisë, Ilir Proda u përball gjithashtu me probleme, përpara se të merrte detyrën zyrtarisht. Prokurorët e SPAK kanë sekuestruar telefonin e tij bashkë me telefonat e vartësve të tjerë të Prodës si pjesë e një hetimi mbi dekonspirimin e mundshëm të një operacioni kundër një grupi të dhunshëm kriminal. Proda nuk përballet aktualisht me asnjë akuzë dhe rezultatet e hetimit janë të panjohura.

Disa deputetë të opozitës pretendojnë se rrjetet e krimit të organizuar janë në gjendje të ndikojnë tek oficerët e lartë të policisë në zonat e kontrolluara prej tyre, duke u ofruar rryshfete në vlera të mëdha. Në një incident muajin e kaluar, deputeti i opozitës, Gazment Bardhi pretendoi se drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ishte vendosur në këtë detyrë me kërkesë të Pëllumb Gjokës, një figurë lokale e krimit që përballet me akuzë për vrasje. Sulaj i mohon akuzat si shpifje dhe tha se po bënte një kallëzim penal ndaj deputetit Bardhi.

Shkalla në të cilën krimi i organizuar ka depërtuar në Policinë e Shtetit është bërë më i qartë në kohën kur policia franceze fitoi akses në mijëra mesazhe sekrete të dërguara nga kriminelët, duke përdorur telefonët e koduar SKY/ECC. Mesazhet përmbanin informacione për dhjetëra grupe kriminale nga e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë.

Dhjetorin e vitit të kaluar, punonjësve të policisë në Shqipëri iu tha që të plotësonin një pyetësor nëse kishin përdorur apo jo ndonjë telefon të inkriptuar. Askush nuk pranoi që e kishte bërë diçka të tillë. Megjithatë, hetimet e bazuara në mesazhet e SKY/ ECC sollën si rezultat arrestimin e një numri oficerësh të policisë si të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar.

Oficerët e dyshuar të policisë

Oltion Bistri Ish-shefi i Forcës Operacionale, departamentit që ekzekuton urdhër-arrestet, u arrestua në korrik të vitit 2023 me akuzën se kishte rrjedhur informacion sekret në drejtim të rrjeteve të krimit të organizuar në abuzim me detyrën. Si pjesë e operacionit Metamorfoza, prokurorët sekuestruan prona me vlerë 3 milionë euro, përfshirë 22 dyqane, 10 apartamente, një vilë dhe shtatë makina.

Ardrit Hasanbegaj Ish-zv. drejtori i Policisë së Shkodrës është nën akuzë për dhënien e ndihmës ndaj një grupi të krimit të organizuar, ndërsa anëtarë të tij përpiqeshin që të vrisnin rivalët e tyre.

Henerigert Mitri Ish-drejtori i Policisë së Lezhës është nën akuzë për episode të kultivimit në shkallë të gjerë të kanabisit, pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion, lojëra ilegale fati dhe shpërdorim të detyrës.

Altin Morina Një ish-oficer i RENEA-s, Forcës Speciale të Policisë, Morina po përballet me akuza për kultivim kanabisi dhe pjesmarrje të organizatë kriminale. Çështja kundër tij tregon se ai vepronte si agjent për Durim Bamin, një figurë e krimit të organizuar nën akuzë për vrasje, duke u ofruar që të zgjidhte problemet e Bamit dhe shokëve të tij me policinë, të tilla si pagesat e rryshfeteve për oficerët e tjerë të policisë. Morina ishte gjithashtu një investitor në parcelat e kanabisit në Fushë-Krujë.

Agustin Çinari Ish-punonjësi i Policisë së Durrësit akuzohet për përdorimin e burimeve shtetërore, përfshirë sistemin TIMS, për të gjurmuar rivalët e gangsterit Franc Çopja, në mënyrë që këta të fundit të vriteshin.

Martin Musaj Një ish-oficer policie në Elbasan dhe zv.drejtor burgu është akuzuar për ndihmën e dhënë nga grupit Çopja në planet e tyre për të vrarë armiqtë. Ai u arrestua në korrik 2024.

Dedan Gjoni Një ish-shef policie në Tiranë dhe Shijak u arrestua në nëntor 2023 dhe akuzohet për dhënie informacioni në funksion të planeve për vrasje. Ai ka gjithashtu akuzë për trafik droge. Gjoni u arrestua së bashku me Erzen Breçanin, një ish-shef policie në Tiranë i përfshirë gjithashtu në sipërmarrje. Breçani akuzohet për veprën e pastrimit të parave.

Dritan Metaj Ish-shefi i policisë së Kurbinit, një rajon në veri të Tiranës, u arrestua në tetor 2023 me akuzën e dhënies së ndihmës ndaj një grupi kriminal për të shmangur arrestimin.

Agustin Deda dhe Hekuran Marku Të dy ishin pjesë e grupit të sigurisë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas prokurorëve, ata dyshohet se organizuan transportin e një ton kanabisi nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 2016.

Oficerë të paidentifikuar Dosjet e Prokurorisë kundër grupeve të krimit të organizuar përmendin një duzinë me raste ku oficerët e policisë bashkëpunojnë me kriminelët, po rata nuk janë identifikuar ende./BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Gazetarët u dhunuan dhe kërcënuan"

Analiza e BIRN: 2023, viti më i keq për median

BIRN: Pikëpyetje të reja për projektin

Aksionet e aeroportit shiten për një çmim minimal

BIRN: Privatizoi tokë me çmimet e vitit ’94,

“Si i shkaktohet dëm buxhetit nëse aksionet shtetërore rriten?!”