Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Albin Kurti ka vendosur që në mënyrë të njëanshme të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Këtë informacion Kurti e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, ku ka bërë të ditur një pjesë të fjalimit të tij me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit. Më tej thuhet se nga 1 janari 2025, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë në Kosovë me dokumente personale. Megjithatë, dëshira e mirë e Kosovës nuk u prit me entuziazëm në anën tjetër, duke u kundërshtuar fuqishëm nga Republika Srpska dhe Milorad Dodik, miku i ngushtë i presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Edhe një herë Dodik, jo vetëm që vazhdoi linjën serbe, por dukej qartazi se po zbatonte “urdhrat” e mikut dhe aleatit të tij në Beograd.
Pengesat
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se qytetarët e Kosovës do të duhet të respektojnë politikën e vizave të Bosnjës dhe Hercegovinës ndaj Kosovës. Regjimi i vizave në Bosnje dhe Hercegovinë kushtëzohet nga vetoja e politikanëve në pushtet nga entiteti Republika Srpska (RS) sepse ata refuzojnë të ratifikojnë marrëveshjen për lëvizjen për lëvizje të lirë me kartë identiteti. “Ndërsa entiteti Republika Srpska refuzon të ratifikojë marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë vendosa t’i jap fund pritjes”, tha Kurti. BiH ishte i vetmi vend në rajon që nuk kishte një regjim pa viza me Kosovën. Të gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi mund të udhëtojnë me kartë identiteti, transmeton n1.ba.
Refuzimi i Dodik
E pak para dhënies së këtij lajmi, kryetari i enklavës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, të ashtuquajtur Republika Serbe, Milorad Dodik, i njohur për qëndrimet pro-ruse dhe afërsinë me Putinin, tha i prerë se në BeH mund të futet kushdo por vetëm me dokumente të Serbisë. “Gjatë dhjetë vjetëve të Procesit të Berlinit, asnjë vend nga Ballkani nuk është afruar me BE-në dhe nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë në pesë vjetët e ardhshme”, ka thënë Dodik Dodik këtë ka deklaruar para samitit të sotëm të Procesit të Berlinit në Berlin dhe ka vënë në dukje se “gjithçka ka të bëjë me një tregim që ne t’i lejojmë njerëzit të hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë me letërnjoftime të Kosovës”.
Ai ka përsëritur se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë “e shpallur në mënyrë të njëanshme” të Kosovës dhe për këtë arsye “nuk mund të pranojë asnjë lloj bisede përveç marrëdhënieve zyrtare me Serbinë”. “Ata që duan të vijnë këtu mund ta bëjnë këtë me dokumente të lëshuara nga Republika e Serbisë dhe për këtë nuk ka problem. Megjithatë, ne kemi parë se nga procesi i Berlinit ka disa presione të llojit që nuk mund të zgjidhen derisa BiH ta njohë Kosovën, nëse ndonjëherë e njohin atë”, ka thënë Dodik mbrëmë në një deklaratë për televizionin lokal RTRS.
Lidhjet me Vuçiç
Fakti që Serbia i njeh dokumentet e Kosovës dhe i lejon qytetarët e Kosovës të udhëtojnë me ato dokumente nëpër territorin e Serbisë nuk është i rëndësishëm për Dodikun dhe ai thotë se, sipas interpretimit të tij, kjo është vetëm dëshmi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se RS, qëndron pas një politike të tillë. Pavarësisht se është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka takuar shpesh presidentin e entitetit të Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik. Më 8 qershor, Vuçiç dhe Dodik në Beograd mbajtën një mbledhje të përbashkët të qeverive të Serbisë dhe Republika Srpska nën moton “një popull, një takim: Serbia dhe Srpska” –
Srpska do të thotë RS. Në këtë “kuvend jo-serb” Dodik erdhi direkt nga Moska, e cila është edhe pika ku takohen dy liderët e Ballkanit. Gjithashtu, duket se i bashkon edhe ideja e “Serbisë së Madhe”, që ka trazuar prej dekadash një rajon të tërë.