Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, i ftuar në një studio televizive, tha se rritja me 4,1 për qind rritja për pensionet është thjesht një indeksim.
Duke u ndalur te inflacioni, Hoxha tha se INSTAT ka dalë jashtë kontrollit dhe nuk pasqyron çmimet reale të tregut. Ai theksoi se minimumi rritja duhet të ishte 30 mijë lekë të vjetra në muaj.
“Nuk përbën ndonjë lajm, meqë fillojnë pensionet më 1 tetor të indeksuara, jo të rritura. Një pensionist në qytete, në zonat urbane, rritet pensioni me 752 lekë mesatarisht. Çdo qytetar përfiton një herë në dy dite nga një kafe 50 lekëshe. Zonat rurale mesatarisht rriten me 450 lekë, që i bie që në tre ditë e gjysmë të pijë nga një kafe 50-lekëshe. INSTAT-i ka dalë jashtë kontrollit, nuk pasqyron çmimet e tregut. Si është kjo rritja me 4,1 për qind?!
Pasojat janë të rënda për qytetarët. Duhen shpallur objektivat nga qeveria për këtë ligj. Kryesorja është çfarë masat do marrë për ta përmirësuar gjendjen, jo vetëm në financat e shtetit, por të individit. Ndjesia e qytetarëve është që inflacioni s’është kaq. Kjo rritje do fillonte në janar nëse do ishte e saktë 4,1 për qind. Në këndvështrimin tim çmimet janë rritur mbi 35-40 për qind. Minimalisht, secili nga pensionistët të merrte jo më pak se 30 mijë lekë të vjetra shtesë në muaj. Por kjo s’e zgjidh problemin social. Sot minimalja në zonat rurale duhet të jetë 250 euro, sepse jemi në pragun e minimumit jetik”.