Interi do të kërkojë fitoren, por e di shumë mirë se çfarë telashesh mund të ketë në ndeshjen kundër Jang Bojs në Bernë.interDëmtimet janë një nga problemet e mëdha për trajnerin Simone Inzagi, që i ka alternativat e pakta për këtë duel vendimtar. Por mbi të gjitha problem është bari sintetik ku do të luhet ndeshja. Jang Bojs është një nga transfertat më delikate për të gjitha ekipet në Europë pasi duhet që të ndryshojnë strategjinë e lojës dhe të bëjnë kujdes me kontrollin e topit.
Ndërkohë që të zotët e shtëpisë e përdorin këtë si një armë shtesë për të ndërtuar edhe goditjet standarde dhe strategji për t’i vënë në vështirësi miqtë. Në stadiumin “Vankdorf” e kanë pësuar edhe shumë skuadra të mëdha gjatë historisë. Aty ka humbur Reali i Madridit, Juventusi dhe Mançester Junajtid. Është një “kurth” në të cilin mund të bjerë edhe Interi i Simone Inzagit. Por këta të fundit në Champions kanë bërë shumë mirë dhe duan që të hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit.
JUVENTUSI- Sigurisht që një tjetër aspekt që nuk mund të injorohet është ndeshja kundër Juventusit në fundjavë. Ekipi bardhezi shihet si një nga kandidatët potencialë për titullin kampion dhe Inzagi duhet që t’i japë një goditje në aspektin psikologjik. Është e pashmangshme që disa prej lojtarëve të mendojnë më së shumti duelin me “Zonjën”, pavarësisht se ata janë profesionistë dhe e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të nënvlerësosh kundërshtarin.
FORMACIONI- Pavarësisht problemeve fizike që ka skuadra e Interit, gjithmonë Inzagi e ka luksin që të bëjë ndryshime. Pritet që të luajë me linjën e dytë në mbrojtje dhe në sulm kundër Jang Bojs. Zomer do të jetë në portë, ndërkohë që Bisek do të marrë vendin e titullarit bashkë me De Vrajin dhe Bastonin. Në të djathtë luan Dumfris si titullar dhe Augusto nga e majta. Mesfusha do të përbëhet nga Barela, Fratezi dhe Çalhanoglu. Në sulm luan dyshja e Champions-it, Taremi dhe Arnautoviç. Të dy pushuan në Romë dhe janë gati për të marrë përsipër fatet e skuadrës në sulm. Në ndeshjen ndaj Cervena Zvezdës ishin vendimtarë.