Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi liderin e Hezbollahut, Syyed Hassan Nasrallah duke e këshilluar të largohej nga Libani disa ditë përpara se të vritej në një sulm izraelit dhe tani është thellësisht i shqetësuar për infiltrimin izraelit në rangjet e larta të qeverisë në Teheran.
Menjëherë pas sulmit ndaj pajisjeve komunikuese të Hezbollahut, Khamenei dërgoi një mesazh me një të dërguar për t’iu lutur sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut të nisej për në Iran, duke cituar raportet e inteligjencës që sugjeronin se Izraeli ishte infiltruar brenda Hezbollahut dhe po planifikonte të vriste atë, sipas Reuters.
I dërguari ishte një komandant i lartë i Gardës Revolucionare iraniane, gjenerali Abbas Nilforoushan, i cili ishte me Nasrallah në bunkerin e tij kur u godit nga bombat izraelite dhe gjithashtu u vra.
Khamenei, i cili ka qëndruar në një vend të sigurt brenda Iranit që nga e shtuna, urdhëroi një breshëri prej rreth 200 raketash që të hidheshin në Izrael të martën, tha një zyrtar i lartë iranian. Sulmi ishte hakmarrje për vdekjen e Nasrallah dhe Nilforoushan, tha Garda Revolucionare në një deklaratë.
Deklarata përmendi gjithashtu vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe sulmet e Izraelit në Liban. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e Haniyeh.
Izraeli filloi të martën atë që e cilësoi si një inkursion tokësor “të kufizuar” kundër Hezbollahut në Libanin jugor. Ministria e Jashtme e Iranit dhe zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila mbikëqyr agjencinë e inteligjencës së jashtme të vendit Mossad, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.