MENU
klinika

Vuçiç nuk vendos më “dorën në zjarr” për Trump

Pse Serbia po përgatitet edhe për fitoren e Harris

28.10.2024 - 19:57

Javën e ardhshme, Serbia do të ketë një takim për t’u përgatitur për ardhjen e Kamala Harris, kandidates demokrate, dhe Donald Trump, kandidatit republikan, në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, të cilat pasojnë në më pak se dhjetë ditë. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ftuar në televizionin Prva të shtunën, duke pasur parasysh se, siç tha ai, ka dy të panjohura se çfarë po vjen nga Amerika, por pa specifikuar se kur dhe ku do të jetë takimi, apo se kush do të marrë pjesë në të. Vuçiç tregoi shembullin e BE-së, e cila, tha ai, mbajti një takim, lidhur me çfarë do të bënte nëse Trump fitonte. “Ata po përgatiten për të. Ne do të përgatitemi për të dy variantet javën e ardhshme. Do të kemi një takim dhjetë orësh për t’u përgatitur për të dyja variantet”, ka paralajmëruar Vuçiç.

Fitorja e Trump

Të intervistuarit e medias serbe “Danas” thonë se është një vendim i mirë, pasi nëse Trump fiton gjatë tranzicionit të pushtetit, mund të krijohet një situatë e tensionuar për shkak të pritshmërive nga vendet e rajonit dhe reagimeve të liderit ndaj tyre. Igor Novakoviç, drejtor kërkimor i Fondit Isac, i thotë Danasit se në rast të fitores së Kamala Harris, nuk ka të panjohura të mëdha. “Megjithatë, ajo që nuk dihet është se çfarë do të ndodhë në rast të fitores së Trump. Domethënë, atëherë do të ketë nja dy muaj tranzicion të pushtetit dhe situata mund të bëhet mjaft e tensionuar për sa i përket pritjeve nga vendet e rajonit dhe reagimit të liderëve rajonal ndaj tij. Këtu para së gjithash e kam fjalën për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës”, thekson ai.

Dy “botë” të kundërta

Dhe Boshko Jakshiç, analist i politikës së jashtme, i pyetur se çfarë pikash duhet të përmbajë ai plan, ai përgjigjet se në radhë të parë duhet nisur nga politika e jashtme. “Politikat e tyre janë një konflikt absolut i dy vizioneve, jo vetëm të Amerikës, por edhe të botës. Në rastin e Trump, është forcimi i izolacionizmit të Amerikës, përballja me Kinën, rrezikimi i Ukrainës, qasja e kujdesshme ndaj Rusisë dhe mbështetja e të gjitha partive autoritare në mbarë botën. Prandaj, në atë variant, qeveria në Beograd mund të ishte më e kënaqur sepse sigurisht që nuk do të vinte nën kritika. Edhe pse ajo do të duhej të merrte në konsideratë opsionin se çfarë do të bëjë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Kinës, sepse Trump është aq i kthyer kundër Kinës, saqë për të është pothuajse një obsesion”, thekson Jakshiç. “Në rastin e Kamala Harris, mund të pritet vazhdimi i doktrinës së Biden-it për demokracinë kundër autokracisë, e cila përfshin luftën për të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, institucionet e pavarura dhe median e lirë. Pra, një listë e tërë që nuk i përgjigjet autoriteteve serbe. Duhet të ketë një plan se si t’i rezistojmë atij lloj presioni që do të vinte nga Uashingtoni”, thekson Jakshiç.

Zgjidhja për Kosovën

I pyetur nëse Kosova duhet të jetë në agjendë, ai është përgjigjur se nuk ka zgjidhje, as njëra e as tjetra. “Trump u përpoq të lëvizte diçka me stimuj ekonomikë, por nuk funksionoi. Madje pati një fiasko sepse Izraeli e njohu Kosovën pas Marrëveshjes së Uashingtonit, gjë që nuk është premtuese. Sa i përket Kosovës, nga Harris mund të pritej një koordinim më i madh me BE-në dhe ndoshta kjo do të nënkuptonte përfshirje më të madhe të Amerikës për të nxitur negociatat. Amerikanët tradicionalisht janë mjaft të pakënaqur me inertitetin e BE-së, e cila nuk bën ndonjë përparim në këtë drejtim. Dhe ndoshta do të insistonin shumë më tepër që pikat nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të zbatohen”, përfundon Jakshiq. Kujtojmë se, ndryshe nga herët e mëparshme, Vuçiç nuk tregon mbështetje të tepruar dhe të dukshme për asnjërin nga kandidatët në zgjedhjet në Amerikë dhe vlerëson se fushatat e të dy kandidatëve janë jashtëzakonisht të mira.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndizet sërish fitili i tensioneve Serbi-Kosovë

‘Ndalim’ i dinarit serb shkakton debate dhe frikë në Veri


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë