MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Shkodra nuk përcakton se kush do të qeverisë pas 2025-ës, por ka vlerë simbolike

01.10.2024 - 19:22

(Analizë në kuadrin e një cikli paraprak analizash elektorale për 12 qarqet e Shqipërisë)
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në Qarkun Shkodër, PS-ja pati rezultatin më të dobët në gjithë republikën. Mori vetëm 3 mandate deputetësh nga 11 gjithsej (27%). Kandidatët e saj për deputetë siguruan vetëm 30 mijë vota të vlefshme, nga 108 mijë gjithsej në qark (28%). Sidoqoftë, edhe pse doli shumë dobët në Qarkun Shkodër, PS-ja e siguroi fitoren në rang republike më 2021 (mori 48.7% të votave të vlefshme në rang vendi, përkthyer në 74 mandate parlamentare).
Por shumë ujë ka rrjedhur në Lumin Buna qysh atëherë…
Kështu, ish-dega e LSI-së në Qarkun Shkodër ka kaluar me PS-në, pas rikthimit të Ilir Metës në krye të ish-LSI-së. Ajo degë e ish-LSI-së ishte shumë e suksesshme më 2021 – mori mbi 10 mijë vota në Qarkun Shkodër, duke siguruar 1 mandat parlamentar (nga 4 gjithsej që siguroi ish-LSI-ja në rang vendi).

Më tej, në zgjedhjet lokale të vjetshme, PS-ja shënoi një rezultat befasues në Qarkun Shkodër – 5 kandidatët e saj për kryebashkiakë morën plot 56.4 mijë vota, ose 57.5% të votave të vlefshme për kryebashkiakë në qark. Pra, morën pothuaj dyfishin e votave që kishin marrë kandidatët e saj për deputetë më 2021…

Kuptohet që 56.4 mijë votat për kryebashkiakë socialistë në Qarkun Shkodër nuk mund të konsiderohen si vota të sigurta për PS-në në zgjedhjet e 2025-ës. Nuk duhet harruar se një pjesë e mirë e tyre ishin nga votues të PSD-së, e cila i përkrahu në terren kryebashkiakët socialistë.
Sidoqoftë, nga një analizë e hollësishme e votave në 411 qendra votimi të qarkut më 2021 dhe më 2023, si dhe nga një sondazh kombëtar me votues të këtushëm e në emigracion, më rezulton se bashkëpunimi i PS-së me ish-degën e LSI-së në Qarkun Shkodër mund të prodhojë 5 mandate parlamentare. Ndërsa PSD-ja duket se është e abonuar tek 2 mandatet në këtë qark (mori rreth 16.5 mijë vota më 2021 dhe rreth 21.5 mijë vota më 2023).
Meqë Qarku Shkodër ka numër tek mandatesh parlamentare (11), dhe meqë në lojë mbetet një numër tek mandatesh (9) për tu ndarë mes PD-së dhe PS-së, kësaj të fundit i mjafton qoftë edhe një votë më shumë se PD-ja, për të siguruar 5 mandate në qark.
Shtatë mandate të majta parlamentare (PS+PSD) do të ishin një ngjarje e jashtëzakonshme në Qarkun Shkodër, i cili ka gjithsej 11 mandate. Por kjo ngjarje do të ishte vetëm simbolike, sepse gjasat janë që PS-ja të marrë mbi 84 mandate në rang vendi…

SHËNIM: Pritet që në Qarkun Shkodër të kandidojë vetë Rama, i cili në të shkuarën ka kandiduar në qarqe me domethënie simbolike.