MENU
klinika

Lufta në shumë familje

Si t’i hiqni fëmijëve tuaj telefonin nga duart?

01.10.2024 - 08:50

Përpjekja për të hequr telefonat e fëmijëve para gjumit, është një luftë e njohur në shumë familje.

Akademia Amerikane e Pediatrisë ka rekomanduar që fëmijët të mos përdorin paisje teknologjike një orë para gjumit për t’u siguruar që ata të flenë mirë. Por, për prindërit dhe kujdestarët mund të jetë pothuajse e pamundur ta fitojnë këtë betejë. Fundi i ditës, kur shkolla, aktivitetet jashtëshkollore dhe detyrat e shtëpisë të përfundojnë, është momenti që shumë fëmijë kërkojnë të qëndrojnë në telefonat e tyre. Ata shpesh nuk do të heqin dorë nga ato pa u grindur.

Fatmirësisht, përdorimi i telefonit para gjumit mund të mos jetë aq i dëmshëm për gjumin e fëmijëve sa mendohej më parë, zbuloi një studim i publikuar më 3 shtator në revistën JAMA Pediatrics. Por, studimi tregon se fëmijët që përdorin telefonat e tyre pasi janë shtrirë është një ide e keqe.

Një studimi i fëmijëve në Zelandën e Re të moshës 11 deri në 14 vjeç zbuloi se përdorimi i telefonave dy orët para se të shkonin në shtrat nuk ndërhynte në sasinë e gjumit që bënin, ata thjesht shkonin në shtrat më vonë dhe ngriheshin më vonë. Megjithatë, të qëndruarit në telefon sapo shtrihesh në shtrat është e dëmshme për gjumin. Përdorimi i telefonave në mënyra interaktive pasi je shtrirë, për gjëra të tilla si lojërat dhe kryerja e shumë detyrave, është më keq për gjumin e fëmijëve, sesa përdorimi i tij në mënyrë më pasive, për gjëra të tilla si shikimi i filmave.

“Ajo që kuptuam është se përdorimi i ekranit dhe gjumi janë në konkurrencë për të njëjtën pjesë të kohës dhe është e pamundur t’i bësh të dyja në të njëjtën kohë”, tha autori kryesor i studimit Bradley Brosnan”.

Një kufizim i studimit është se ai u fokusua tek adoleshentët më të rinj. Efektet e përdorimit të telefonave para gjumit mund të jenë të ndryshme tek fëmijët më të vegjël, ose adoleshentët më të rritur.

Rëndësia e gjumit

Gjumi është kritik për shëndetin e fëmijëve. Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, mungesa e gjumit rrit rrezikun e një fëmije për aksidente dhe lëndime, si dhe probleme shëndetësore, duke përfshirë depresionin dhe obezitetin. Mungesa e gjumit shoqërohet gjithashtu me probleme të të mësuarit, vëmendjes dhe sjelljes. Hulumtimi i ri sugjeron se prindërit duhet të këmbëngulin që fëmijët të mos përdorin telefonat e tyre në shtrat. Megjithatë, shpesh nuk është realiste t’u kërkosh fëmijëve të mos qëndrojnë në telefonat e tyre. Aplikacionet sociale janë krijuar për t’i mbajtur njerëzit të lidhur, me veçori të tilla si njoftimet dhe përmbajtjet e rregullta që nuk ndalojnë kurrë së shfaquri më shumë të reja. Në vend të kësaj, prindërit mund të marrin në konsideratë marrjen e telefonave të fëmijëve para gjumit dhe kthimin e tyre në mëngjes. Është gjithashtu e rëndësishme që prindërit të kujtojnë se gjumi i humbur nuk është rreziku i vetëm që paraqet përdorimi i telefonit për të rinjtë. Në atë orë ose dy para gjumit, adoleshentët ende mund të rrezikohen në internet, të mashtrohen, ose të lidhen pa vetëdije me mashtruesit në internet.

Vendosja e rregullave për përdorimin e smartphone

Ashtu siç është e rëndësishme të siguroheni që telefonat të mos pengojnë gjumin, prindërit gjithashtu duhet të sigurohen që të mos ndërhyjnë në edukimin e fëmijëve, aktivitetet jashtëshkollore dhe kohën ballë për ballë me familjen dhe miqtë. Një politikë është që fëmijët të lënë telefonat e tyre në shtëpi kur shkojnë në shkollë. Fëmijëve mund t’u kërkohet gjithashtu që t’i lënë telefonat e tyre ndërsa janë duke bërë detyrat e shtëpisë dhe në tryezën e darkës. Megjithatë, pothuajse gjithmonë do të kërkohen përjashtime.

Është gjithashtu e rëndësishme që prindërit të flasin me fëmijët për rreziqet me të cilat mund të përballen në internet. Mund të diskutoni pse ata kurrë nuk duhet të ndajnë imazhe intime. Prindërit gjithashtu duhet t’u kujtojnë fëmijëve se shumë profile në internet janë të rreme. Dhe është një ide e mirë për të ndihmuar fëmijët të gjejnë komunitete të shëndetshme në internet. Një mënyrë për ta bërë këtë është të kërkoni së bashku në aplikacionet sociale për përmbajtje që përputhet me hobi dhe interesat e tyre. Pastaj, edhe kur prindërit nuk janë pranë, fëmijëve ka të ngjarë t’u tregohet përmbajtje e ngjashme, sepse algoritmet janë programuar për t’u treguar njerëzve atë që ata mendojnë se u pëlqen. Një diskutim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me mënyrën se si njerëzit postojnë versionet magjepsëse të trupit dhe jetës së tyre në internet, shpesh me foto të filtruara shumë. Përndryshe, fëmijët mund të ndihen sikur nuk janë në përputhje me atë që shohin në mediat sociale. Është gjithashtu thelbësore shmangia e përmbajtjeve të rrezikshme.

Gjëja më e rëndësishme për t’u përcjellë fëmijëve është se nëse hasin telashe në internet, ata mund t’u drejtohen prindërve për ndihmë. Goldberg shpesh trajton raste të fëmijëve që janë abuzuar në internet. Ky hulumtim është një kujtesë se ka mënyra të zakonshme për t’i ndihmuar fëmijët të shmangin rreziqet kryesore të përdorimit të telefonave të tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN