MENU
klinika

“Meksika në Tiranë”

Aktivitetet e Javës Kulturore Meksikane

12.11.2024 - 16:59

Për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Java Kulturore Meksikane. Nga datat 13 deri me 16 nëntor, kjo javë do jetë e mbushur plot me evente artistiko-kulturore. Kjo javë do të kremtojë edhe me 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Meksikë.

Programi i Javës Kulturore Meksikane do të nisë më 13 nëntor, në ambientet e COD, në Kryeministri, me aktivitetin “Diplomacia dhe Kultura”, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Ambasadori i Meksikës në Itali, Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda. Ky i fundit, do të mbajë edhe një konferencë me temë “Diaspora Meksikane, politikat publike” si dhe do të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi midis AIIS dhe COMEXI.

Po më 13 nëntor, tek holli i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, do të inaugurohet skulptura alebrije “Fëmija Monarka”. Kjo vepër arti përfaqëson një dhi shqiptare dhe një flutur shtegtuese monarke, duke simbolizuar miqësinë mes dy vendeve përmes dy elementëve të faunës së tyre.

Gdhendjet në dru Oaxacan, të njohura më mirë si alebrijes, janë bërë një nga format më të njohura të artit në Meksikë. Pedro Linares, një krijues i aftë figurative dhe mik i Frida Khalo dhe Diego Rivera, ishte personi i parë që filloi të bënte alebrije të cilat ishin produkt i imagjinatës së tij. Ai ëndërronte për kafshë fantastike imagjinare dhe shumëngjyrëshe në ëndrrat e tij, të cilat të gjitha përsërisnin një fjalë pa pushim. Ajo fjalë ishte “alebrije”. Që atëherë, Pedro dhe familja e tij filluan të krijonin krijesa me dizajne dhe modele të ndërlikuara.

Ndërsa më 14 nëntor tek akademia e filmit Marubi në Tiranë, një ndër regjisorët më ndikues në Evropë dhe jo vetëm, Jesus Garcés Lambert, do të mbajë masterclass me temë “Between fiction and documentary, find your own voice”.

Për të gjithë ata që duan të shijojnë ushqimet dhe pijet meksikane, më 14 nëntor, do të organizohet një event degustimi pjatash meksikane dhe tequilash. Nga ushqimi i ngushëllimit (tamales) apo ushqimi i rrugës (tacos), deri tek chile relleno, që është një pjatë festive, ato mund të shijohen në ora 20:00, tek Destil Creative Hub në Tiranë.

Java Kulturore Meksikane do të mbyllet me një koncert më 16 nëntor, tek Katedralja Ortodokse, të artistit Israel Varela, ku do të prezantojë një pjesë nga albumi i tij i 10-të “Frida en Silencio”./atsh

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Interes për fshatrat turistikë

Berati destinacion i turizmit ndërkombëtar