MENU
klinika

"Rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike"

Banka e Shqipërisë: Të rishikohet skema e pensioneve

15.11.2024 - 13:40

Banka e Shqipërisë kërkon rishikimin e skemës së pensioneve, ndërsa kërkon që ajo të jetë në përputhje me skemat e Bashkimit Europian.

Kështu deklaroi sot, Zv/guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi, në Komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2025. Ajo thekson se skema aktuale mund të kthehet në një rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike

Minxhozi tha se, “zhvillimet aktuale kanë nxjerrë në pah nevojën e rishikimit të skemës së pensioneve. Skema e pensioneve po sfidohet fort nga ndryshimet demografike, plakja e popullsisë dhe emigrimi i krahut të punës. Mbështesim qeverinë në një skemë të re në përputhje me skemat e BE-se. Skemën e pensioneve duhet t’a rishikojmë sepse bëhet rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike”.

Ndërsa drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli vuri në dukje se, sa i takon skemës së re të pensioneve, fillimisht duhet të analizohet informaliteti që qëndron në parametra të larta.

Themeli deklaroi se, “Ka një shkallë të lartë informaliteti sa i takon deklarimit të pagave. Në gjykimin tonë përpara se të eksplorohen parametrat e reja të sistemit të pensioneve do të ishte e udhës të kuptoheshin drejt përmasat e këtij informaliteti, në mënyrë që të mos devijojnë parametrat e skemës së re”.

“Jemi nga të paktat vende që në momentin që qeveria rrit pagën minimale, ne na rritet edhe numri i punonjësve sepse bizneset kanë shumë punonjës me paga të larta dhe nuk i raportojnë”, u shpreh Themeli.

Ndërsa deputetja e opozitës Jorida Tabaku, u shpreh se, “buxheti 2025 nuk parashikon ndryshimin e skemës së pensioneve”.

“Sot skemës së pensioneve i mungon kontributi i 40% të forcës aktive për punë, për shkak të emigracionit. Ndërkohë buxheti 2025 nuk parashikon fond shtesë që ti adresohet skemës së pensioneve. Ndërkohë kontributet shoqërore që kontribuojnë në skemën e pensioneve është rritur me 60% si efekt i rritjes së pagës minimale,ndërkohë që rritja që rritja që mund të vi nga formalizimi mund të jetë maksimalisht 10-15 milionë euro, jo më shumë. Duke e vendosur në retorikë politike skemën e pensioneve”, deklaroi Tabaku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN