Barcelona iu kthehet rutinës me ndeshjet në La Liga, teksa sonte në mbrëmje do të jete mysafire në “Balaidos” kundër Selta Vigos. Në konferencën për shtyp para takimit, trajneri i saj, Hansi Flik ka konfirmuar se Lamin Jamal nuk do të jetë gati për këtë takim, sikurse dhe mungesën e Kristensen.
Duke qëndruar në temën e të dëmtuarve, trajneri gjerman ka saktësuar se të dielën (një ditë pas takimit) do të bashkohet me grupin edhe Ronald Arauho. Vëmendja natyrisht që ka qenë te Lamin Jamal, i cili me shumë gjasa nuk do të jetë as të martën në Champions në takimin kundër Brestit.
SELTA – “Ne presim të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Është gjithmonë e rëndësishme që pas një ndalese të kampionatit të kthehemi të fortë dhe ky është qëllimi. Në Vigo duam tri pikët”.
MUNGESA E JAMAL – “Do të donim ta kishim në skuadër, por mos mendoni se jemi të frikësuar pa të. Kundër Sociedadit është e vërtetë që kemi bërë një ndeshje jo të mirë, por motivi nuk ishte mungesa e Jamal. Të gjithë e dimë se ai është një lojtar i rëndësishëm, por duhet të përshtatemi me situatat. Nuk jam i shqetësuar. Jamal do të luajë kur të jetë gati 100%”.
PA JAMAL, BARÇA NUK FITON – “Kjo është një pyetje mjaft e mirë për lojtarët”.
NDRYSHIMI I SISTEMIT – “Ndoshta kemi disa probleme të vogla për shkak të mungesave, por kemi një skuadër me përbërje mjaft të mirë. Kemi lojtarë që mund të përshtaten në pozicione të ndryshme. Ne kemi bërë një plan për ndeshjen ndaj Selta Vigos dhe të shohim rezultatin”.
KRISTENSEN E ARAUHO – “Ndërhyrja kirurgjikale e Kristensenit ishte diçka e vogël. Arauho nga ana tjetër do të jetë të dielën me ekipin. Por nuk mund t’i jap atij 100% ngarkesë. Vjen nga një dëmtim i gjatë dhe jo i lehtë”.
GAVI – “Është gati për të qenë titullar në Vigo. Kur e pyes Gavin nëse është gati, ma bën të qartë se është gati të luajë në çdo pozicion. Ka një dëshirë të madhe”.
10 VJET TE BARCELONA… – “Nuk jam parashikues i të ardhmes. Por dhjetë vjet?! Ndoshta pasi të kem kaluar pak më shumë kohë këtu në Barcelonë do të jap një përgjigje më të saktë. Por sinqerisht nuk e mendoj të qëndroj një kohë kaq të gjatë. Kam katër nipa e mbesa dhe ata meritojnë tu kushtosh kohën e duhur. Tani jo, por ndoshta pas të shtatëdhjetave”.