MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Bllokimi i Tiranës/ Dy pamje të ndryshme dhe një palë pranga në mes

29.11.2024 - 13:44

Të martën Tirana u ngrys e bllokuar. Opozita bllokoi në një perimetër të gjerë rrugët e kryeqytetit, të cilat edhe pa këtë lloj ndërhyrjeje, janë të bllokuara “vetvetiu”. Një shkulm i shumëfishtë urrejtjeje, ndeshjeje e përplasjeje mes policisë dhe opozitës, me një shumicë qytetarësh të trazuar anash, nga ajo frakturë e shtuar e rutinës së tyre. Në thelb, çdo lloj proteste është një injeksion adrenaline për nervin e një qeverisjeje të vetëkënaqur e të shkëputur nga realiteti. Në pasojë ajo nuk është asnjë hap më shumë drejt tentativës për rotacion politik. Mosbindja guerrile mund të trembë qeverinë, por është mjeti i fundit për të fituar simpatinë e votuesit. Tundja e flamujve të ankthit, lenë pak hapësirë për gaz e entuziazëm për fushatën e pritshme.

Të premten Tirana u bllokua sërish. Disa mijëra shqiptarë, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare zhvilluan paradën e madhe kuq e zi për të festuar 112 vjetorin e Pavarësisë. Me daulle dhe qeleshe, me kostume kombëtare, Bulevardi Dëshmorët e Kombit u bë shtrati i një lumi gjigant krenarie. Me Harley Davidson buçitës dhe kalorës mbi kuaj, me cyrle lozonjare dhe kitara DJ, për disa orë rresht bulevardi ishte një oaz feste me parakalues që brohorisnin sesa gjë e mrekullueshme është të jesh shqiptar. Valëvitja e flamujve kombëtarë nën një qiell hareje, është një shkas më shumë për të paraprirë festën e pritshme të një mandati të katërt, jo si pohim për çfarë duhet bërë, por si mohim i asaj që është bërë më herët. Festa edhe në mort, është më mirë se morti vetëm.

Një mori turistësh kuriozë që ndiqte paradën ndoshta e kishte të pamundur të kuptonte sepse shqiptarët janë të zhurshmën edhe në funeral, edhe në dasma. Për dikë që vjen nga veriu i Evropës, fjala vjen, është i paqartë se cili ind ballkanik e bën shqiptarin e zakonshëm që të mos mungojë në përcjelljen e një të panjohuri dhe të nxjerrë armën për të vrarë në dasmën e djalit të dajës.

Mes të martës dhe të premtes, të mërkurën, Sali Berisha rifitoi lirinë me vendim gjykate. E kishin mbyllur në sallonin e zonjë Liri, sepse po vetë kishte hyrë – siç ka bërë gjithmonë – në një kurs përplasjeje me drejtësinë. Opozita e brohoriti si fitore, maxhoranca e topitur nuk i dha zë as gëk-ut dhe as mëk-ut publik. Njëra e tkurrur nën mungesën e shpresës për ndryshim, tjetra e frikësuar se do të jetë po njëlloj në pushtet, por me njerëz krejt të tjerë në polifoto. Me të përzënët për shkak të fatit fundor të vetë Berishës në sfond.

Të dy palët po marrin dëshmi dita-ditës se në Tiranë është shfaqur një pushtet i ri që po trazon ujërat e kënetës politike të tranzcionit. Se po zbulohet ajo fluskë gjigante hipokrizie ku ka jetuar klasa politike shqiptare. Tërësisht e shkëputur nga realiteti, e dashuruar verbërisht vetëm nga një pakicë gjithmonë e më e rrudhur, të përbërë nga idhujtarët e pashmangshëm të pushtetit, nga llogaritarët e interesit, nga viktimat e varësisë ndaj tifozerisë me politikës, por e përbuzur nga një shumicë gjithmonë e më e madhe shqiptarësh, ajo po ndeshet me një realitet kryeneç që nuk ka as takat dhe as mundësi që ta ndryshojë. Një stap i ri i ardhur në Tiranë, me akronimin SPAK, me shumë probleme të vetat, me defekte dhe paqartësi, në fund të fundit, ka trazuar ujërat e ndenjura të kënetës në Tiranë. Ka nxjerë në dritë një sekret publik: në politikë, në gjyqësor, në botën e krimit, në media, në biznes e në çdo qelizë tjetër të shoqërisë shqiptare, “hajër” kanë bërë sojsëzët. Eshtë e pamundur që të filtrohet e gjithë këneta, por uji po trazohet ligsht. Nuk është keq si fillim! Qoftë dhe duke bërë shumicën e qytetarëve spektatorë në një shfaqje me kukulla llupëse, shpesh në kufirin e qesharakes, që nuk le shkas për vdekje nga mërzia. Në Tiranë po prodhohet një histori ndryshe. Nuk e shohin vetëm të verbërit dhe budallenjtë e padobishëm! E madje, nuk e dallojnë ulërimën e historisë tek porta edhe shumë nga subjektet e saj të mpira e tarallake në skenë.

Lala: Janë edhe 2 aplikacione të reja që po përdoren nga bota e krimit

Çfarë pritet të dalë nga zbërthimi i mesazheve në ‘Matrix’?

Shpërblime dhe ndihma financiare në rast fatkeqësie familjare

Qeveria merr vendimin: Çfarë përfitojnë punonjësit e Gardës

Njihuni me historinë e veçantë të jetës së saj

Ndërron jetë Mbretëresha e Suedisë