MENU
klinika

Porositi vrasjen e ish-gruas

Dorëzohet avokati Alban Bengasi pasi Apeli i shtoi dënimin

08.11.2024 - 13:51

Është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici avokati Alban Bengasi.

Vetëdorëzimi i të pandehurit ndodhi një ditë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, që i shtoi dënimin me mbi 3 vite burg pasi kishte fituar lirinë pas kryerjes së dënimit të dhënë nga Shkalla e Parë me 1 vit e 4 muaj burg vetëm për dhunë në familje.

Apeli i Posaçëm vendosi këtë të enjte ta dënojë Bengasin me 7 vite burg për dhunë në familje në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal si dhe në aplikim të nenit 334 pika 1 që i shton dënimit edhe pesë vjet burgim.

3 vite burg iu dhanë për veprën penale që parashikohet në nenin 333 pika a, mbi formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në bashkim të dënimeve, Bengasi duhet të vuajë sipas Apelit 7 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar duhet te kryej 4 vite e 8 muaj në një burg të sigurisë së lartë.

Sipas SPAK avokati që njihet si mbrojtësi që ka përfaqësuar para drejtësisë persona të njohur të botës së krimit, kishte ofruar 120 mijë euro grupeve kriminale që ti vrisnin bashkëshortën, me pretendimin se e kishte tradhëtuar.

Më 30 janar 2020, në Rrugën “Mihal Grameno” porosia vihet në zbatim kur shtetësja B. Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj. Kjo e fundit u dhunua nga një person. Alban Bengasi për shkak të konflikteve familjare, ka qenë porositësi i aktit të dhunës, thotë SPAK ndërsa i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani.

Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e Blerta Bengasit, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen B. Bengasi, ditën e ngjarjes.