Konsumatorët privatë do të mund të përfitojnë nga disa skema sa i takon rritjes së eficiencës energjetike në njësitë e tyre të banimit.
Projektligji për performancën energjetike të ndërtesave përpos një sërë angazhimesh dhe afatesh që vendos për të arritur objektivat përcakton në një nen të veçantë edhe stimujt financiarë sesi kjo do të behët e mundur.
Konkretisht në nenin 30 që ndalet pikërisht tek stimujt financiarë detajohet se do të jetë në dorën e qeverisë që të miratojë instrumente të ndryshëm për të arritur objektivat që vendosi plani kombëtar për rinovimin e ndërtesave, rinovimi i stokut kombëtar i ndërtesave publike, auditimin dhe certifikimin e tyre.
Vendimi në fjalë që duhet të miratojë qeveria përcakton mënyrën e funksionimit të skemës, burimin e financimit, institucionin përgjegjës për administrimin e skemës si dhe kushtet, kategoritë dhe kërkesat për përfituesit, të drejtat dhe detyrimet si dhe elementë të tjerë të nevojshëm për aplikimin e masave mbështetëse.
“Skema e financimit mund të jetë e llojit: a) grant i cili mbulon një përqindje optimale të një vlere totale investimi të llogaritur; b) kredi e butë; c) paguaj sa kursen ose kontraktim i performancës energjetike” thuhet në pikën 4 të nenit 30.
Në pikën pasardhëse përcaktohet se fondi i vendosur në dispozicion për mbështetjen e konsumatorëve privat sipas shkronjës b) dhe c) do të jetë i kthyeshëm të paktën në vlerën 100%, pavarësisht llojit të financimit të përzgjedhur dhe i shpërndarë në kohë për të gjithë jetëgjatësinë e përcaktuar të investimit.
Sa i takon ndërtesave me shumë njësi banimi (p.sh. ndërtesat me shumë apartamente) kuorumi i nevojshëm për të aplikuar dhe proceduar me realizimin e skemës së mbështetjes është 60% e pronarëve të njësive të banimit.
Sipas draftit gjatë rinovimit të ndërtesave do të merren parasysh në çdo rast qëndrueshmëria sizmike, mbrojtja nga zjarri dhe aksesi në ndërtesë i personave me aftësi të kufizuara. Ministri përgjegjës për energjinë, realizon një analizë të detajuar mbi mundësinë e heqjes së TVSH dhe taksave të tjera për disa ose të gjithë elementet ndërtimore ose pajisjet që përfshihen në këtë ligj dhe e propozon për miratim në këshillin e ministrave.
Çdo institucion publik dhe ndërmarrje shtetërore duke përfshirë njësitë e qeverisjes vendore, operatorët e sistemit të shpërndarjes, etj., mundësojnë dhënien e lejeve sipas fushës së përgjegjësisë me procedurë të përshpejtuar për çdo përfitues të skemave të financimit./MONITOR