MENU
klinika

U vlerësua miqësia dhe partneriteti mes dy vendeve

Fitorja e Donald Trump/ VOA: Shqipëria uroi presidentin e zgjedhur!

06.11.2024 - 20:20

Në Tiranë, autoritetet më të larta shtetërore dhe përfaqësues të jetës politike uruan zotin Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale, përmes mesazheve drejtuar atij në rrjetet sociale. Në të gjithë këto mesazhe vlerësohen miqësia dhe partneriteti mes dy vendeve, si dhe shprehet vendosmëria për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, shteti dhe politika shqiptare shprehin besimin se partneriteti dhe bashkëpunimi i ngushtë shqiptaro-amerikan do të thellohen më tej.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi sot zotin Donald Trump për fitoren në zgjedhjet Presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Begaj u shpreh në një mesazh përmes platformës X se pret të forcojë më tej bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, ndërsa theksoi se Shqipëria vlerëson miqësinë e gjatë dhe partneritetin strategjik me SHBA-të.

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mesazhin e tij në platformën X përgëzoi zotin Trump për fitoren në zgjedhje, që e cilësoi “të jashtëzakonshme”.

Zoti Rama shënoi se ishte një nder i vërtetë të punonte me presidentin Biden “për të forcuar lidhjet në mes dy vendeve, dhe se do të ketë privilegjin të punoj me zotin Trump, si Presidenti i 47-të i SHBA-ve, për të përmirësuar më tej partneritetin për paqe, begatinë dhe përparimin e mëtejshëm”.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, theksoi në Platformën X se zoti Trump “triumfoi në zgjedhjet më historike dhe se kombi amerikan e ktheu me madhështi atë në Shtëpinë e Bardhë si President i 47-të i SHBA-ve”.

Nga banesa e tij, ku qëndron në arrest shtëpie prej Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si i dyshuar për korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin, dhe i përcaktuar familjarisht më herët nga Uashingtoni i papërshtatshëm për të vizituar SHBA-të “si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë”, zoti Berisha tha se qytetarët amerikanë votuan kështu “për të ardhmen e ndritur që meritojnë, për vlerat themelore të njerëzimit, për mirëqënien e tyre dhe paqen botërore”.

Ndërsa Lulzim Basha, ish kryetar i Partisë Demokratike dhe drejtues i grupimit Demokratët Euroatlantikë, uroi zotin Trump për atë që e cilësoi si “fitoren e madhe dhe rikthimin historik politik në Shtëpinë e Bardhë”. Zoti Basha shprehu sigurinë se “miqësia dhe aleanca e madhe e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara do të arrijë nivele të reja”.

Ai kujtoi se në çdo çast vendimtar të historisë së kombit të tyre, shqiptarët janë bekuar nga mbështetja dhe miqësia e Shteteve të Bashkuara, ndaj të dy vendet, siç tha ai, duhet të vazhdojnë së bashku këtë rrugëtim të mrekullueshëm të lirisë dhe demokracisë, me besim dhe përkushtim ndaj vlerave përbashkëta./VOA

“Duhet të koordinohen të gjitha institucionet”

Rama: Kuvendi, institucioni kyç për integrimin në BE

"Pa vullnetin e PS, SHBA dhe BE s’do ta kishin bërë Reformën në Drejtësi"

Rama u përgjigjet akuzave të opozitës: S’kemi kohë për të humbur!

Nga ‘takimi’ me alienët deri te lufta shkatërruese!

Baba Vanga bën parashikimin ‘e frikshmëm’ për 2025-n