Shtatë shtetas shqiptar dhe 3 të huaj janë vënë në pranga gjatë megaoperacionit të SPAK, i cili zbërtheu rrjetin e trafikut ndërkombëtar të kokainës që importohej nga Amerika Latine.
Burime nga policia bëjnë me doje se në pranga ka rënë Geis Fejsullai, 42 vjeç banues në Tiranë.
Po ashtu është arrestuar Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë.
Aldi Zonja, Baki Huqi, Klajdi Birçe dhe dy persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Ndërkohë që kanë prangosur dhe tre shtetas të huaj, që dyshohet që ishin ekspertët e përpunimit të lëndës narkotike që fshihej në lëkurën e kafshëve.
Personat e Arrestuar
Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
Aldi Zonja, 37 vjeç, banues në Tiranë
Baki Huqi., 57 vjeç, banues në Durrës
Klajdi Birçe, 40 vjeç, banues në Tiranë
A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë
Ismajl Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
Shtetas të huaj:
Hiëlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
Samuel Alfonso Moreno Serran., 42 vjeç, shtetas venezuelian
Tipologjia e grupit kriminal
“Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara.
Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian.
Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.
Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.
Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.
Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal”, thuhet në njoftimin e SPAK.