MENU
klinika

Protagonist i Pavarësisë

Mid’hat Frashëri nga të parët që e nisi rrugëtimin historik!

29.11.2024 - 15:40

URAN BUTKA

PJESA E PARË

Mid’hat Frashëri, ky protagonist dhe firmëtar i Pavarësisë, ishte një nga të parët që e nisi këtë rrugëtim historik. “Jemi në fillim të udhës. Duhen përpjekje për t’u bërë komb i lirë, i bashkuar, i qytetëruar”, shkruante ai në vitin 1897. Mid’hati kërkonte bashkimin dhe autonominë e katër vilajeteve, si hap i parë i mëvetësisë, i ruajtjes së integritetit tokësor dhe kufijve etnikë të Shqipërisë. Por që të arrihej njësimi i trojeve dhe i kombit, duhej bërë bashkimi shpirtëror i shqiptarëve, mendonte ai.

“A mund të quhemi vërtet një komb? – pyet ai dhe përgjigjet: “Një komb, për të thënë që rron, duhet të ketë bashkimin shpirtëror, duhet të ketë gjuhën, të jetë i qytetëruar, se ashtu si egërsirë dhe paqytetari e dituri, nuk rron dot për shumë kohë”. Si filozof e përcakton kombin si një konstitucion gjaku, gjuhe, kulture dhe territori. Vullneti e përpjekjet e përbashkëta për liri e pavarësi vijnë pas ndërgjegjësimit, ndriçimit kulturor e formësimit moral të një populli, thoshte ai.

“Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovecnë, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”. Në fillimet e shekullit të njëzetë, Mid’hati, që i kuptoi ndryshimet e kohëve, u parapriu atyre. Ai u drejtohet shqiptarëve që ta shfrytëzojnë këtë moment oportun të papërsëritshëm për të përfituar nga liritë e të drejtat e shpallura, të çelin shkolla e klube shqiptare, të shtypin lirisht libra e gazeta, të bëjnë propagandë kombëtare, për t’u afirmuar si komb. Nuk është e rastit që Mid’hat Frashëri e nisi botimin e gazetës “Lirija” më 14 korrik, ditën e përvjetorit të Revolucionit borgjez Francez të vitit 1789, që përmbysi autokracinë feudale dhe hapi epokën e lirisë.

“Shekulli i nëntëmbëdhjetë, me tronditjen e Revolucionit të Francës, pa zgjimin dhe rritjen e idesë së solidaritetit ndërmjet individëve të një race, të një gjuhe, të një kombi”, – shkruante ai. Nuk është e rastit, gjithashtu, që ai e pagëzoi gazetën së tij politiko-kulturore me emrin “Lirija”, e cila i solli shërbime të mëdha lëvizjes kombëtare dhe kulturës shqiptare. Nëpërmes faqeve të gazetës thjesht shqiptare “Lirija”, L. Skëndo bëhet flamurtar dhe zëdhënës i lirisë dhe i të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve. “Ç’është lirija?” – pyet ai. Dhe është një nga të parët filozofë shqiptarë që e përkufizon kështu thelbin e lirisë qysh në fillim të shekullit të kaluar: “Lirija është që të mos të të trazojë njëri ty dhe ti të mos trazosh të tjerët”.

“Ç’është robëria? – pyet ai. – Është kur s’ke siguri shpirti, kur s’të lënë të rrosh, kur s’të lënë të fitosh, kur s’të lënë të mësosh dhe të hapësh mendjen, kur s’të lënë të flasësh, kur s’të lënë të lexosh e shkruash shqip, kur të ndalojnë shkollat, kur s’ke ku të ankohesh e të mbrohesh, kur s’ka as ligj e as gjykatë, kur je nën mëshirën e pushtetarëve… Lirija është një mjet, është një derë, nga e cila hyjmë në fushë të gjerë të përparimit e të qytetërimit…”. Themelin e diturisë dhe të qytetarisë e përbën gjuha shqipe, sipas M. Frashërit. Motivi i tij në këtë kohë bëhet “Gjuha është rrojtja a vdekja e kombit”. Ai jep kushtrimin: “Të flasim shqip, të shkruajmë shqip, gjithnjë shqip. Gjuha jonë është shprehje e qenies sonë, e ekzistencës sonë”.

Për këtë arsye ekzistenciale, ai kryesoi Kongresin e Manastirit të vitit 1908 për një alfabet të përbashkët tërësisht latin, si edhe thirri Kongresin Arsimor të Elbasanit në vitin 1909, përcaktoi programin e këtij kongresi arsimor, që vendosi për mirëdrejtimin e shkollave shqipe, botimet për shkollat, mbështetjen financiare, si edhe çeljen e Shkollës Normale për mësues. Qysh në fillim të shekullit, Mid’hati shtroi problemin e gjuhës letrare, jo vetëm si një element të bashkimit, por edhe si një funksion i shtetit unik. “Për një komb të vogël dhe të dobët si yni, kjo ndarje dhe çarje është një vështirësi e madhe, një rrezik i vërtetë që s’mund të kemi një të vetëm gjuhë letrare, e cila nxirret dhe përdoret prej tërë kombit tonë, se gjithë kombet e qytetëruar një të vetme gjuhë letrare kanë”. Këto probleme të diturisë, pavarësisë dhe të shtetit të së drejtës i trajtoi gjerësisht në revistën e famshme kulturore të tij “Diturija”, 1909. Për të realizuar aspiratën kombëtare dhe shtetin kombëtar, Mid’hati artikulonte domosdoshmërinë e një lidershipi udhëheqës për lëvizjen kombëtare brenda në Shqipëri, sepse asaj i mungonte drejtimi dhe organizimi i nevojshëm. Shqipëria ishte si një anije në det të trazuar, pa timon e timonier – siç shprehet ai.

Ai kërkon themelimin e një partie kombëtare apo të një forumi të shpëtimit kombëtar, që të mund ta shpëtonte Shqipërinë. “Dhe që të bëjmë një parti të tillë dhe që t’i bëjmë punët mirë, duhet, në radhë të parë, të ndreqim vehten, – mendonte Mit’hati, – duhet të shohim e të kuptojmë ku jemi, nga vjen e liga, ku duhet të shkojmë dhe ç’rrugë duhet të zëmë. Ai shtron tezën se Shqipërisë – shpëtimi do t’i vijë nga vetë shqiptarët. Mid’hati mendon se faktori i brendshëm është kurdoherë imponues. “Shpëtimin tonë ta presim nga vetëheja jonë, si një pemë të përmirësimit dhe të naltësimit tonë, si një punë që të vjen vetiu, me djersën, me përpjekjet dhe dëshirat tona. Kjo është për ne politika më e drejtë, udha më e sigurt, shpëtimi më i ndershëm. Kjo e bën edhe faktorin e jashtëm të të respektojë dhe ndihmojë”. Mid’hati gjykonte se zgjidhja e vetme politike ishte, siç thoshte Mid’hat Frashëri – shpëtimi në indipendencë, për ta bërë fakt të kryer përpara Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike mëvehtësinë e Shqipërisë, ekzistencën e saj kombëtare dhe shtetërore.

Mbështetja e Austrisë, ishte një inkurajimi madh. Nuk ishte e rastit pjesëmarrja e M.Frashërit në Kuvendin e Shkupit, 14 tetor 1912, që vendosi për mbledhjen e kuvendi të përgjithshëm mbarëshqiptar për shpalljen e Pavarësisë. Prej këtij kuvendi kombëtar, u nisën drejt trevave të tjera shqiptare për t’i vënë në zbatim vendimet e tij, protagonistët e pavarësisë: Mid’hat Frashëri, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Salih Gjuka e të tjerë. Gjithashtu, nuk ishte e rastit pjesëmarrja dhe roli i tij në Kuvendin e Vlorës si delegat i Pejës e Gjakovës, por edhe i Elbasanit. Ishin pjekur kushtet e brendshme e të jashtme. Vetë akti i shpalljes së pavarësisë ishte, sipas tij, rezultat i rrethanave dhe i diplomacisë. Mid’hat Frashëri mendonte se qeveria shqiptare, e zgjedhur nga Kuvendi i Vlorës, që në fillesë u gjend përpara dy problemeve kryesore. Së pari, ai diplomatik, për të sensibilizuar e ndikuar faktorin ndërkombëtar në favor të njohjes së shtetit kombëtar shqiptar. Problemi i dytë, sipas M. Frashërit, ishte ai politik dhe strategjik: administrimi dhe mbrojtja e territorit, që ishte nën juridiksionin e qeverisë së Vlorës dhe lirimi i gjitha trojeve shqiptare të pushtuara nga ushtritë e huaja.

“Kjo situatë, shkruante Mid’hat Frashëri, zgjoi edhe pyetjen: a duhej ndihmuar ushtria turke në Janinë dhe a duhej t’i bëhej ballë Greqisë me çdo mënyrë që të ishte apo, duke besuar fatin e saj në duart e Fuqive të Mëdha, Shqipëria duhej të ruante një neutralitet strikt? Sipas M. Frashërit, edhe për këtë problem kishte dy teza: e para, mbrojtja me çdo kusht e Janinës, jo vetëm për momentin historik, që presupozonte mbrojtjen e një qyteti shqiptar dhe e një treve shqiptare nga pushtimi grek, madje të krejt Çamërisë, por edhe për të mbjellë shpresë e përpjekje për të ardhmen. Teza e dytë pretendonte se Shqipëria, e sapolindur dhe pa mjete mbrojtëse duhet të ruante neutralitetin. Kjo ishte edhe pikëpamja e Ismail Qemalit.

Mid’hati ishte për tezën e parë dhe u nis nga Vlora për në Janinë më 13 janar 1913 për të nxitur atje mbrojtjen e Janinës. Ndërkohë, qeveria e Vlorës i kërkoi Esat Toptanit, komandant i redifëve në Shkodër, të luftonte për mbrojtjen e Shkodrës me flamurin shqiptar dhe në emër të Shqipërisë së pavarur. Telegrami që iu dërgua atij kishte edhe nënshkrimin e Mid’hat Frashërit. Madje, Mid’hati shkoi edhe në Shkodër për të ndihmuar në qëndresën shqiptare dhe përfshirjen e qytetit të madh të veriut nën administrimin e qeverisë së Vlorës. “Shqiptarët duhet të kuptojnë se e kanë për detyrë të mbrojnë dhen’e tyre, të bëjnë therori për të mbrojturit e tij. Pra, një therori, edhe e dëshpëruar të ishte, por do të kishte fitimin e saj moral, ishte një lis që po mbillesh në shpresë për të ardhmen”, – shkruante M. Frashëri.

Por problemin më të madh, apo vetë problemin shqiptar, e shkaktoi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila e mori në shqyrtim çështjen shqiptare më tepër si një pjesëz e Turqisë së mundur në luftë dhe në pajtim me orekset e fqinjëve apo të disa Fuqive të Mëdha për ta copëtuar Shqipërinë, duke e katandisur atë në një provincë apo principatë dhe duke lënë padrejtësisht jashtë kufijve Kosovën e viset e tjera të Shqipërisë Verilindore si edhe Çamërinë, madje duke vënë në diskutim Korçën e Gjirokastrën. Mid’hati e konsideronte fatkeqësi për një popull dhe për një politikë që ta linte tërë fatin në një dorë të tretë. Për këto arsye, dhe veçanërisht për çështjen e mbrojtjes së Janinës nga pushtimi grek dhe të Shkodrës nga pushtimi serbo-malazes, më 30 mars 1913 Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen nga qeveria e Vlorës.

Ai inauguroi institucionin e vetëdorëheqjes në shtetin shqiptar, qysh në fillimet e këtij shekulli. Gjithsesi, gjykatorja e Evropës vendosi arbitrarisht për copëtimin e Shqipërisë, pa përfillur as parimin historik e as atë etno-kulturor, as interesat kombëtare të shqiptarëve, as stabilitetin e ardhshëm të Ballkanit, por plotësoi pretendimet absurde e shoviniste të agresorëve ballkanikë dhe kënaqi ekuilibrat e përkohshëm ndërmjet Fuqive të Mëdha. Në kushtet që po kalonte Shqipëria, kur ajo ishte e shpallur e pavarur, por nuk njihej ndërkombëtarisht, në kushtet kur qeveria e Vlorës nuk e ushtronte dot autoritetin e vet, Mid’hati kërkonte një princ të krishterë europian, që të mund ta legalizonte ndërkombëtarisht e ta stabilizonte shtetin shqiptar, ta shkëpuste nga orienti për t’u bërë pjesë e Europës, siç shprehet ai.

“S’kishim gjë të përbashkët me Orientin. Ishte e papranueshme për shtetin e ri, i cili shkëpuste çdo marrëdhënie me Orientin dhe sundimin e një mbretërije orientale, të pranonte kandidaturën e një princi mysliman dhe oriental; do të ishte mohimi i vullnetit të përparimit, i dëshirës që të bëhemi një faktor ndërmjet kombeve dhe shteteve të Ballkanit, të asaj pjese të Evropës”. Shqipëria u bë në gjysmën e saj dhe jo siç dëshironin shqiptarët. Megjithatë, detyra e shqiptarëve, sipas mendimit të tij, ishte ta bënin siç duhet shtetin shqiptar dhe të përpiqeshin për ta bashkuar me gjysmën tjetër. “Po dalim në dritë, me një trup të dobët, në një vend plot gjemba e ferra e rrethuar me gremina… Po bëhemi më vetëhe, me një Shqipëri të lirë, po të cunguar. …Gjysma tjetër e Shqipërisë na mbeti nën të huajtë. Shqipëria që na mbeti, kjo copë Shqipëri, pret shërbime dhe sakrifica nga ne. Sa shumë punë duhet bërë!”.

Ai mendon se tanimë s’i shpëtojmë asnjë justifikimi. “Paskëtaj çdo e keqe, çdo e metë që të bëhet, fajin do ta kemi ne vetë: unë, ti, shokët tanë, gjithë shqiptarët. Së pari, që ta bëjmë Shqipërinë një vend të bukur e të mirë, duhet ta duam e ta adhurojmë atë. T’i duam edhe gurët, edhe drurët e saj, edhe dheun e saj… Krahët tanë dhe mendjen tonë pret ky dhé. S’është burrë ai që shan kombin e tij.. Çdo punë bëhet me shpresë, me kurajo dhe vullnet të fortë. Dëshpërimi është ati dhe biri i vdekjes. Ai pjell vdekje, se edhe vetë nga vdekja ka dalë. Entuziazmi është çelësi i fitores”! Detyra tjetër është respektimi i shtetit, i ligjit, shkruan ai. “S’jemi tani nën një qeveri të huaj që të mburremi me të mosnjohurën e nomit, me të mosbindurit. Tani kemi Shqipërinë tonë, shtetin tonë, nomet tona, qeverinë tonë. Duhet që këtë qeveri, këto nome t’i shikojmë si miqtë tanë, t’i respektojmë për të mirën tonë”. Mid’hati ishte dhe mbeti ithtar e luftëtar i përmirësimit të vazhdueshëm të shtetit, shoqërisë, njeriut. Ai ishte kundër lëvizjeve rebeluese, luftës së brendshme destabilizuese, luftës politike konfliktuale për interesa pushteti, karriere apo përfitimesh personale. Ai dënon lëvizjet rebele kundër shtetit dhe pavarësisë së Shqipërisë, siç ishte ajo e Haxhi Qamilit, më pas ajo e Marka Gjonit, Elez Isufit, Halit Lleshit etj.. Tipike ishte lëvizja e Haxhi Qamilit. Në krye të kësaj lëvizjeje ishin krerë antikombëtarë, të cilët donin ta kthenin Shqipërinë mbrapa.

Në këtë lëvizje regresive, ku plekseshin mendësitë otomane, injoranca, varfëria e skajshme e turmave dhe interesat e krerëve rebelë me interesat e intrigat e të huajve për destabilizimin e shtetit shqiptar, po shfaqej hapur loja e Esat Toptanit në shërbim të tyre. “Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esat Toptani, myfti Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili, tre krerë të një hidre, që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin; fanatizmën e verbër dhe injorante nën maskën e fesë; marrëzinë brutale – jo në figurë letrare, por reale… Një pjesë e esadizmës, fytyrat më shtazore të saj, ishin ato që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri, me djegie, plaçkitje e rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi”. Mid’hat Frashëri e konsideron këtë rebelim si një mynxyrë që, përveç shkatërrimeve, vrasjeve të patriotëve, anarkisë morale e materiale, vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Ai ngrihet mbi dhimbjen dhe mbi dëshpërimin, kur këshillon shqiptarët të mos hepohen, dobësohen e thyhen, por të ringrihen, t’i rivihen punës me zjarr e besim.

“T’u dogj shtëpia një herë? Ke për ta bërë prapë. Edhe një herë zjarri ta bëri hi, ti përsëri do ta ngresh. Tërmeti ta bëri gërmadhë, ti do ta ndreqësh rishtazi”. Ai i këshillon shqiptarët të qëndrojnë në çdo rrebesh të historisë. Ai nxjerr e analizon shkaqet, evidenton pasojat tragjike të rënies së shtetit dhe u jep shqiptarëve mësime. “Edhe kur shteti është i dobët, ai duhet të forcohet e të përmirësohet e jo të shembet; edhe kur qeveria e zgjedhur nuk është aq e mirë, duhet përmirësuar, plotësuar apo rizgjedhur me përgjegjësi, po jo duke e përmbysur me rebelim turme”. Këtë pikëpamje pati ai dhe në vitin 1924. Mid’hati mendonte se Shqipëria e brishtë kishte nevojë për një ndihmë mirëdashëse dhe pa interes, me qëllim që të mbështetet në fillimin e jetës së saj politike. Por, ai nuk e kërkon këtë ndihmë nga vendet që kanë interesa në Shqipëri apo nga fuqitë që fshihen pas tyre.

Ai zbulon Amerikën, kur konkludon: “Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan, për një periudhë disavjeçare (për shembull 5 vjet) dhe ne mendojmë se Republika e Madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision. Ndaj ai i dërgon Presidentit Uillson një promemorie për Shqipërinë, i rekomandon historianë seriozë të çështjes shqiptare dhe gjashtë harta etnografike. Ndërhyrja e presidentit amerikan pranë Konferencës së Paqes, më 10 shkurt dhe 26 shkurt 1920, ishte një mbrojtje e fuqishme e SHBA për Shqipërinë dhe një goditje për planet e mbrapshta të copëtimit të saj. Mid’hati e sheh qysh në atë kohë SHBA si të vetmen fuqi liberale e demokratike, që mund ta ndihmonte Shqipërinë dhe shtetin shqiptar. Si një mendimtar dhe demokrat i përmasave europiane, Mid’hati u drejtohet më 30 tetor 1919 atyre që mbanin në duart e tyre fatet e popujve të vegjël dhe që kanë zënë vend në Konferencën e Paqes, me mesazhin: “Shqiptarët mund të bëhen një faktor rregulli dhe ekuilibri në pjesën juglindore të Evropës, falë inteligjencës dhe cilësive të tyre të punës dhe të durimit. Ata që mbajnë në duart e tyre fatet e popujve dhe që në këtë çast kanë zënë vend në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të binden se kurrë paqja dhe qetësia nuk mund të vendoset në Ballkan, në rast se nuk do të pranohen kërkesat e shqiptarëve.

Fuqitë e Mëdha, me mendje të kthjellët e frymë të re duhet ta ushqejnë këtë eveniment të kësaj periudhe të re, duke i ndihmuar popujt e Ballkanit në veprën e tyre të mirëkuptimit e të paqes, duke i shtyrë drejt përparimit dhe integrimit në Evropën e re”. Por, kur faktori i jashtëm ishte shurdh ndaj kërkesave të drejta të shqiptarëve, apo më keq thurte plane të reja për copëtimin e Shqipërisë, Mid’hati mbështet me të gjitha forcat faktorin e brendshëm, që në rrezik mblidhet e vepron. Ai mendon se Kongresi i Lushnjës kishte vlerë dhe efekt të thellë, sepse vuri mbi bazën e shtetit – idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të plotë të vendit. Mund të thuhet se që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit Kongresi i Lushnjës ishte “manifestimi i parë me rëndësi krejt të veçantë për këtë popull, bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij. Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve të mëdha të saj, mbështjellë rreth Konferencës së Paqes.

Është e vërtetë që kjo simpati nuk vonoi të vinte, kur e pa bota që shqiptari përpiqet vetë për veten, me fuqinë dhe mjetet e veta. Një ngjarje e tillë, – konkludon Mid’hat Frashëri, – ka një rëndësi të madhe për historinë e një kombi. Ushtron një veprim që influencon në gjithë jetën e tij. Është një kandil që ndrit dhe duhet të ndritësojë kurdoherë që gjendet në errësirë dhe në të keq, në çdo kohë dhe në çdo rasje”. Mid’hati i bëri mbrojtjen më të mirë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Kjo veprimtari e vendosi M. Frashërin në krye të diplomatëve të shquar të Shqipërisë.

Ai e ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, ndërkohë që bëri miq e bashkëpunëtorë të fuqishëm në favor të të Shqipërisë si M. Durham, A.Herbert, R. Cecil, F. Iden, J. Godart e të tjerë. Të tërheqin vëmendjen idetë progresiste perëndimore të Mid’hat Frashërit për shtetin e pavarur. Ringjalljen ekonomike të Shqipërisë ai e shikon te ekonomia e tregut të lirë, te veprimtaria e njerëzve të lirë, te iniciativa e lirë private, te forca investuese e njerëzve të pasur, sepse nuk mund të bëhet një vend i pasur me njerëz të varfër, thotë ai. “Do të ishim të lumtur sikur të gjendeshin në Shqipëri kamës të mëdhenj, që të mundnin të formonin shoqëri me kapital, të themelonin banka, të zhvillonin konkurrencën e tregut, që çdo shqiptar të pasurohej e të mbrothësohet. Shqipëria është, mjerisht, një vend ku i pasuri është më i varfër se i varfëri”. Në kushtet që po kalonte Shqipëria ishin mëse të nevojshme investimet e huaja…

Vijon…

Shfaqjet do të vazhdojnë deri më 8 dhjetor

Festivali teatror “Hapat” në edicionin e tretë

"Deri dje, trashëgimi e braktisur"

“K’cimi i Tropojës”, zyrtarisht në UNESCO

Shkolla e parë kombëtare pedagogjike në Shqipëri

Nga Gurakuqi, te Xhuvani e Çabej, personalitetet e Normales së Elbasanit!

Mbahet “Konferenca për Turizmin e Qëndrueshëm”

Shqipëria anëtarësohet në GSTC

“Ari shqiptar t’i kalojë bankës së Moskës”

Kërkesa e Enver Hoxhës për Stalinin në 1949-ën!